Karol Wojtyla – Papa Shën Gjon Pali II – 100 vjetori i lindjes

Religjion

Karol Wojtyla – Papa Shën Gjon Pali II – 100 vjetori i lindjes

Nga: Don Lush Gjergji Më: 18 maj 2020 Në ora: 11:17
Papa Shën Gjon Pali II dhe Don Lush Gjergji

Wojtyla – Papa Gjon Pali II, u lind në “Wadowice (Poloni) më 18 maj 1920, në një familje të përshpirtshme katolike, nga prindërit Karol Jozef dhe Emilie Kaczorowska. U pagëzua në kishën famullitare më 20 qershor 1920.

studion teologjinë, në fillim në mënyrë private, e më pas me një grup shokësh, në seminarin e fshehtë. Për meshtar u shugurua më 1 nëntor 1946. Ipeshkvi i njeh shumë mirë aftësitë intelektuale, natyrën, virtytet e tij morale. Për këtë e dërgon në studime të mëtutjeshme posdiplomike në Romë, në Universitetin Domenikan “Angelicum”.

Në vitin 1949, megjithatë arrin dekreti i ri ipeshkvor: Don Karoli ishte emëruar kapelan në famullin e Shën Florianit, në qendër të Krakovës, ku kishte ndërtuar kishën në nder të Shën Florit martir të Ulpianës gjatë perandorit romak Hadrianit (117 -138)..

Në vitin 1951 sipas dëshirës së argjipeshkvit të tij Don Karoli duhet lëshuar famullinë dhe tërësisht t’i kushtohet shkencës, hulumtimeve, në veçanti studimit të filozofit Max Schiler-it. Në vitin 1953 u emërua profesor në Seminarin e argjipeshkvisë së tij, si mësimdhënës dhe edukator për meshtarët e ardhshëm.

Mirëpo, në jetën e Don Karolit gjithnjë arrijnë befasitë. Në vitin 1958, u emërua ndihmës ipeshkëv i Krakovës

Në vitin 1962, papritmas vdes argjipeshkvi i Krakovës Mons. Baziak. Ipeshkvi i ri Wojtyla, aktivisht merr pjesë në punimet e Koncilit të Dytë të Vatikanit, kurse në vitin 1964 emërohet për argjipeshkëv të Krakovës, pas dy vitesh që drejtoi argjipeshkvinë, si vikar kapitular.

Edhe si argjipeshkëv ishte shumë i ngarkuar në punët e Koncilit të Dytë të Vatikanit, në veçanti rreth krijimit të dokumentit konciliar Lumen Gentium. Argjipeshkvia e tij është e madhe dhe mjaft e gjerë, për kah madhësia e dyta në Poloni, pas asaj të Varshavës, pra, me 2 milionë banorë dhe rreth 1500 meshtarë.

Në Vitin 1967 Papa Pali VI e emëron kardinal Mons. Karol Wojtylen. Pranë kardinalit Wyszynskit është shtyllë e Kishës polake. Në takimet e ndryshme, vizitat baritore, tubimet shkencore dhe kishtare, erdhi në shprehje kultura dhe përvoja e tij pastorale, në veçanti në Sinoda Ipeshkvore, ku ai ishte anëtar i përsheshëm i Sekretariatit në emër të episkopatit polak.

Papa Pali VI vdiq në Castelgandolfo, më 6 gusht 1978.

Për papë, u zgjodh kardinali dhe patriku Venedikut Albino Luciani, Papa Gjon Pali I.

Mirëpo, shumë shpejt ndodhi tronditja i vërtetë, pikëllim i madh. Bota u shtang dhe “ngri” me lajmin mbi vdekjen e befasishme të Gjon Palit I.

Kardinal Karol Wojtyla zgjidhet Papë më 16 tetor 1978 dhe e mori emrin simbolik Gjon Pali II. Ndërroi jetë në Pallatin Apostolik në Vatikan, më 2 prill 2005. Procesi i lumturimit filloi më 8 maj 2005. U shpall i Lum më 1 maj 2011, Shenjt më 27 prill 2014.

PAPA GJON PALI II dhe SHQIPTARËT

Papa Gjon Pali II kishte njohuri, nderim, mbi të gjitha dashuri dhe mirëkuptim për popullin shqiptar, duke i falënderuar para së gjithash Nënës Tereze.

Ja dëshmia konkrete: Më 2 shkurt 1981 ishim në audiencë private te Papa Gjon Pali II, së bashku me Imzot Nikë PRELEN (1918-1996), ipeshkvin e Kosovës.

Papa ndër të tjera na tha: “UNË PAS POPULLIT TIM POLAK MË SË TEPËRMI E DUA POPULLIN SHQIPTAR, SEPSE, SË PARI, KENI VUAJTUR TEPËR GJATË E TEPËR SHUMË DHE PADREJTËSISHT, DHE SË DYTI, SEPSE NA KENI DHURUAR NËNËN TEREZE”.

T’i përkujtojmë vetëm disa hapa dhe veprime konkrete:

Në vitin 1980 Gjon Pali II në Otranto të Italisë, pjesa më e afërt bregdetare me Shqipërinë, mbajti një fjalim të përmallshëm për Shqipërinë dhe Shqiptarët

Në vitin 1984 Papa e vizitoi Barin e Italisë dhe ndër të tjera pati thënë: “Prej këtij qyteti mendimi im është drejtuar po ashtu kah VËLLAZËRIT dhe MOTRAT TË SHQIPËRISË, të cilët s’kanë mundësi që botërisht ta tregojnë fenë e tyre, që është e drejta themelore e njeriut...”.

Më 27 prill 1986, Papa Gjon Pali II u takua me një grup besimtarësh shqiptarë katolikë që jetojnë në Romë, ku ndër të tjera tha:” S’MUND TË MBYTET NJERIU QË E KA FENË E GJALLË…KJO ËSHTË SHPRESA JONË…NËSE NË JETËN E NJERIUT MBYTET ZOTI, MBYTET EDHE NJERIU...”.

Më 6 maj 1988, Papa Gjon Pali II, pati në audiencë një grup besimtarësh katolikë shqiptarë nga SHBA-ja dhe prej disa vendeve të Evropës. Me atë rast tha: ”E NJOH HISTORINË TUAJ, SHPESHHERË TË SHKRUAR ME GJAK. E DI SE ME ARSYE MBAHENI KRENARË PËR LIGJET E TRADITAT TUAJA BUJARE…”

Gjatë viteve të krizës së Kosovës, ai personalisht, apo nëpërmjet Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, është angazhuar në gjitha forumet ndërkombëtare, botërore për të drejtat dhe lirit jo më vetëm të njeriut, por të Popullit, duke u bërë Miku i madh i çështjes shqiptare, në veçanti i Kosovës

Imzot Nikë PRELA, po ashtu prej vitit 1981 e deri në kalim në amshim e ka informuar Papën Gjon Pali II mbi gjendjen në Kosovë, si dhe të gjitha institucionet fetare dhe shtetërore botërore.

vetëm disa takimi të paharrueshme me Papën Gjon Pali II dhe Imzot Nikë Prelën. Më 30 tetor 1991, Imzot Nika hollësisht gojarisht dhe me shkrim e informoi Papën Gjon Pali II për gjendjen gjithnjë e më të keqësuar në Kosovë. Papa e inkurajoi Imzot Nikën, nëpërmjet tij Kishën dhe Popullin Shqiptar, që t’i mbesë besnik parimeve ungjillore, paqes dhe pajtimit.

Po e përkujtoj me shumë mall takimin e tyre të fundit më 17 tetor 1995, në Vatikan, kur Papa i kishte ftuar të gjithë ipeshkvijtë e ish-Jugosllavisë, për të shqyrtuar çështjet e rëndësishme fetare, kulturore, shpirtërore, politike, ekonomike dhe shoqërore.

Imzot Nikë Prela ishte në karrocë dhe pa këmbë, pa shëndet, por me shumë vullnet dhe zemër të madhe. Papa Gjon Pali II ishte dukshëm i emocionuar. U ndal, e përqafoi vëllazërisht, i lartësoi duart kah qielli dhe para të gjithëve tha: “KOSOVA – PLAGA DHE SHPRESA JONË”.

Me atë rast, Ipeshkvi ynë, me pak fjalë të zgjedhura e paraqiti gjendjen tonë duke thënë: “KOSOVA ËSHTË NDËRGJEGJJA E NJERËZIMIT, SEPSE ATY SHKELEN TË GJITHA TË DREJTAT THEMELORE TË NJERIUT, POR EDHE ATO KOMBËTARE DHE FETARE…”.

Papa në mbarim ndër të tjera tha: “Shkëlqesi, të keni zemër dhe guxim, vetëm vazhdoni strategjinë tuaj të mirëfillët. ZOTI ËSHTË ME JU…NE JEMI ME JU dhe me popullin tuaj…KOSOVA ESHTË VARRI DHE SHPRESA JONË” (duke menduar në vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtit, vr. ime; shënimi nga ditari im).

Nëna Tereze, gjithnjë i thoshte Papës, por edhe të tjerëve, sidomos Bill Clintonit, Kofi Annanit… që të bëjnë gjithçka për shpëtimin e Kosovës, për Popullin Shqiptar. Këtë e vërtetoi edhe Bill Klintoni, gjatë vizitës së varrit të Nënës Tereze në Kalkutë, duke thënë: “Unë e kam kryer amanetin, premtimin dhënë Nënës Tereze për Kosovën. Tani Ju luta që të ndërmjetësojë te Zoti për mua, për familjen time, për Amerikën dhe botën mbarë”.

Papa Gjon Pali II, e vizitoi Shqipërinë më 25 prill 1993, shtetin e parë ballkanik, dhe me atë rast shuguroi katër ipeshkvinj, përtëriu hierarkinë kishtare në Shqipëri. Ai, në të gjitha fjalimet e lartësoi para Evropës dhe botës historinë, traditën, kulturën, tolerancën dhe vëllazërinë gjithëshqiptare, si shembull për tolerancë fetare, për ekumenizëm, për dialog ndërfetar dhe bashkëjetesë paqësore dhe jodhunore për të gjithë.

Në vitin 1994, Gjon Pali II e emëroi Dom Mikel Koliqin kardinal të Kishës Katolike, simbolin e të gjitha martirizimeve të lashta dhe të afërta të Kishës, dhe të popullit shqiptar.

Nëpërmjet Nënës Tereze dhe Papës Gjon Pali II, çështja e Kosovës, si dhe ajo e shqiptarëve në përgjithësi, është ndërkombëtarizuar dhe sensibilizuar dukshëm, sidomos të Bill Clintoni, por edhe te Kofi Annani, Bleri, Dalema, Shiraku, Shroderi dhe shumë të tjerë, dhe kështu ajo u bë “pyetje e ndërgjegjes së njerëzimit”.

Mos ta harrojmë edhe lumturimin e Nënës Terese (19 tetor 2003), nderin e Kishës dhe të popullit Shqiptar, Bijën dhe Motrën tonë, Nënën e mbarë njerëzimit, ku delegacioni dhe shtegtarët nga Kosova ishin më së afërmi Papës Gjon Palit II me dëshirë dhe kërkesë të tij.

Me një fjalë: po të kishte qenë Gjon Pali II shqiptar, s’di çka do të kishte bërë më tepër për ne. Këtë duhet ta dimë të gjithë e mos ta harrojmë, sepse ia kemi borxh, së pari të madhit Zot, Papës Gjon Palit II, Shën Nënës Tereze, botës, si dhe gjakut të bijve dhe të bijave tona.

Si përmbledhje mund të përkujtojmë: Shën Gjon Pali II ka shkruar 14 enciklika papnore; ka vizituar 127 shtete në botë, prej të cilave dallohen: 9 vizita në Poloni, 8 vizita në Francë dhe 7 vizita në SHBA.

Ishte “Papa shtegtar” paqeje, mirësie, mëshire hyjnore, dashuri dhe vëllazërie. Dikush e ka krahasuar me të drejtë me Shën Palin apostullin e botës. Një Njeri, Papë, Shenjt shumë i veçantë dhe i paharrueshëm për Kishën dhe mbarë njerëzimin, sidomos për ne Shqiptarët.

Shën Gjon Pali II lutu për ne!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat