Nikaj-Mertur, ruajtja e riteve fetare dhe besimi që u lanë pasardhësve

Religjion

Nikaj-Mertur, ruajtja e riteve fetare dhe besimi që u lanë pasardhësve

Nga: Gjon Neçaj Më: 12 nëntor 2020 Në ora: 13:50
Nikaj-Mertur

Hulumtimet dhe gjurmimet për Nikaj Merturin, në shtratin e të cilit kanë bashkëjetuar historia, feja, eposi i Kreshnikëve dhe dimensioni njerëzor i pakrahasueshëm me virtytet më të çmuara të racës së saj njerëzore, prej shekujsh nën trysninë e përhershme të evanzioneve të ndryshme, janë turrur për të përmbysur jo vetëm racën e tyre, por fenë, zakonet dhe mbase edhe jetën në këto regjione të Shqipërisë veriore.

Karakteristikë e veçantë e krahinës Nikaj Mertur është se banorët e këtyre anëve jo vetëm i ruajtën traditat shumë shekullore të të parëve të tyre, ditën ti kultivojnë ato tek pasardhësit e tyre dhe në kohërat më të zymta të pushtimeve të shumta, thurën këngë, vaje e rapsodi dhe aedët e mrekullueshëm të krahinës i ruajtën të paprekura deri në ditët e sotme.

Këngët, vajet dhe rapsoditë e kreshnikëve i bënë ata që të personifikohen me Gjeto Basho Mujin, Halilin, Gjergj Elez Alinë, Ajkunën, Omerin, duke treguar heroizma dhe virtyte të pashoqe gjatë rrjedhave të ekzistencës së tyre, e mbi të gjitha mbajtën gjallë fenë katolike, ndonëse në vitin 1967 shkatërruan kishat në Gjonpepaj, Rajë, Curraj Epër, etj.

Krishterimi ka gjurmë të hershme. Ende ruhen rrënojat e disa kishave, varreza ose toponime qe lidhen me banoret paraardhës të Nikajt. Ndër më të njohurit janë kisha e Vargut dhe varrezat pranë saj, siç thuhet në dokumenta “qytezë e seli ipeshkvnore e Pultit”. Kisha e Luzajës në Curraj, edhe kjo ish- seli ipeshkvnore, varrezat në lagjen Susaj në Lekbibaj, rrënojat dhe varrezat e vjetra në Paplekaj, kisha dhe varrezat e Shiokut në Gjonpepaj, varrezat e Mavriqëve në Kalbs e Marin këndej e andej lumit Curraj,etj.

Banorët e Nikaj Merturit janë të bindur se këto varreza nuk u përkasin brezave paraardhës të fiseve të tyre, por një popullsie tjetër që s’kishte lidhje gjaku me ta. Megjithatë janë ruajtur e adhuruar si vende të shenjta, me bindjen se ato i përkisnin një popullsie shqiptare të besimit katolik. Betimi në kishën e Vargut, të Paplekajve ose të Luzajës, ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme për banorët e Nikaj Merturit. Deri në kohët e vona, këto kanë qenë vende tubimesh dhe të betimit tradicional të përvitshëm që bënin fshatarët e Currajve, Lekbibajve, Gjonpepajve etj.

At Zef Pllumi, i cili ka shërbyer në vitin 1946 dhe në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar si famullitar i kishës se Nikajve, ne librin e tij “Rrno për me tregue”, i përshkruan kështu malësorët e këtyre anëve:

“Po të ishte kjo zonë në perëndim, do ta thurshin me tel e mos me lanë kurrkënd me hi pa kontroll. Këtu të gjithë njerëzit janë mbretër dhe në mes vetit kanë marrëdhënie të barabarta si mbretër. Vetëm këtu është i saktë koncepti i njeriut të lirë. Këtu janë njerëzit më të lirë që ka bota…”

Sot në themelet e kishës së hershme është ndërtuar kisha e re e pagëzuar famullia “Shën Sebastiani”, Gjonpepaj, Nikaj.

Kjo kishë i ka rezistuar sistemit komunist dhe janë ruajtur nga fshatarët e Gjonpepajve ikonat dhe kambana e kishës që daton e shekullit të 17-të. Ajo ka qenë prej metali tunxh. Krahas vitit ishte shkruar “kishës së Nikajve”.

Por në fillimin e viteve nëntëdhjetë u dëmtua dhe me kërkesë të banorëve dhe me mbështetje të bamirësve, në vitin 2000 filluan punimet për ndërtimin e kishës së re dhe u shugurua në vitin 2002.

Sipas banorëve, para disa vitesh erdhën nga Shkodra ida fretën dhe morën kambanën e kishës, nën pretekstin se do ta riparojnë, por ajo nuk u pa më. Pas kërkesave të herëpashershme të fshatit Gjonpepaj,u kishin thënë se do sjellin kambanë tjetër, por deri më tani as kambana e kishës që u ruajt me dekada, as kambanë tjetër nuk erdhi, ndonëse kisha ka përfunduar para 14 vjetësh. Këtë e pohon edhe prifti Dom Maurizio Cacciola që shërben në famullinë “Shën Gjoni” Dushaj.

Drejtuesit vendorë, në zbatim të ankesave të banorëve lidhur me vjedhjen e këmborës, kryerja e riteve fetare në kishën e re, pas një takimi me priftin që mbulon edhe famullinë e Nikajve,ka vënë në dijeni edhe ipeshkvin me qendër në Laç, në pritje të kërkesave, në bisedë me të, ndihet optimist se kërkesat e besimtarëve do realizohen.

Edhe në Curraj Epër ekziston një kishë e vogël që nuk ishte shkatërruar. Pas vizitës së Ipeshkvit Monsinjor Lucjan Avgustini ,ndjesë paste, ne korrik të vitit 2011, është ribërë rikonstruksioni i saj, ndonëse banorët janë larguar dhe tashmë aty banojnë 3-4 familje.

Edhe në Curraj Epër është ruajtur dhe mbrojtur feja katolike gjatë sistemit të kaluar.Nga familja e Grimc Demës, shtatorja e Jezu Krishtit ka qëndruar 23 vite e groposur nën dhe, ku ateistët nuk arritën ta zbulonin, një luftë kjo mes besimtarëve të Krishtit me ata “të pa fe”, siç i cilësonin banorët. Pra arritën që nën një regjim që I kishin shpallur luftë fesë, mbajtën të paprekur bekimin e Hyit.

Tashmë kjo zonë baritore përfshin Nikaj Merturin, si Njësi Administrative me 2300 banorë, me fshatrat Lekbibaj, Shëngjergj, Curraj Epërm, Curraj, Tetaj,Qeresh-Mulaj, Gjonpepaj, Bëtoshë, Peraj, Palç, Salcë, Brisë. Është zona më e thellë malore e dioqezës dhe historikisht edhe kjo zonë ka qenë shërbyer nga etërit françeskanë.

Që nga gjeneza e këtij komuniteti katolik, ka sakrifikuar duke e mbrojtur besimin, me betimin “pasha fenë!”

Image
Nikaj-Mertur
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat