Dallimi ndërmjet religjionit dhe fesë

Religjion

Dallimi ndërmjet religjionit dhe fesë

Nga: Dedë Palokaj Më: 3 korrik 2017 Në ora: 14:27
Dedë Palokaj

Ballafaqimi me misterin e Zotit, i cili i kalon kufijtë e mendjes njerëzore, ndikojë që njeriu sipas natyrës së tij religjioze (homo religiosus), t’i krijojë religjionet, mitet dhe kultet e perëndive. Dikush mund të mos e sheh dallimin në mes religjionit dhe fesë, duke i trajtuar ato thjeshtë si forma të besimit me qëllime të njëjta. Religjionin dhe fenë, si çështje të njëjta, i hasim nëpër fjalorë, traktate, literaturë dhe shpjegime të ndryshme. Mirëpo dallimi është i madh. S’do mend se për të kuptuar misterin e Zotit të papashëm, fshehtësirat e pakuptueshme të natyrës, të gjithësisë dhe të historisë së shoqërisë, dhe për ta shpëtuar vetveten njerëzit i menduan, i krijuan vet religjionet dhe mitologjitë, si elemente të një bindjeje dhe sigurie mbi botën e matanshme. Duke kërkuar kuptimin e ekzistencës dhe Autorin e jetës, njeriu kërkon rrugëdalje nëpërmjet religjioneve dhe besëtytnive duke sajuar përfytyrime për Zotin e papashëm. Kështu për të vënë lidhje me Zotin, njeriu beson lehtë në perceptime të gabuara duke krijuar botëkuptime, bashkësi dhe sekte religjioze. Është e drejtë personale e secilit njeri t’i takojë një religjioni të caktuar dhe të besojë në mënyrën e tij të lirë. Për këtë në botë kemi një mori religjionesh por edhe shtrembërimesh religjioze. Çdo religjion e ka doktrinën e tij, ritet dhe kodin moral. Për këtë ka shumë koncepte mbi Zotin në botën e sotme, ka njerëz dhe bashkësi religjioze që në vend se t’i fisnikërojnë besimtarët me virtyte të larta i mbushin me fanatizëm dhe urrejte. Edhe pse në botë kemi shumë religjione, mirëpo janë të pamjaftueshme religjionet për ta shpallur dashurinë e Zotit për njeriun dhe për njëri - tjetrin, si pasqyrim i marrëdhënies me Zotin e vërtetë. Mund të ketë ngjajshmëri në mes religjionit dhe fesë, por sipas besimt të krishterë dallimi mes tyre është rrënjësor.

Nëse i referohemi Biblës, shohim se ajo që nga faqet e para, i refuzon, i hedh poshtë si të padobishme religjionet, mitologjitë dhe të gjitha elementet e natyrës mitike, të cilat e pengojnë kthimin e njeriut kah Zoti i vërtetë. Sipas Biblës, perënditë, perëndeshat dhe të gjithë idhujt e religjioneve, janë premtime dhe mashtrime të rreme, që pengojnë njeriun të mendojë, të arsyetojë, të besojë në mënyrë kritike dhe të shëndoshë në Zotin e dëftuar.

Çka e dallon fenë prej religjionit? Ç’është feja dhe eksperienca fetare? Feja në krishterim bazohet në përvojën e hirit (gr charis - dhuntia, dashamirësia e Zotit) që i atribuohet veprimit të Zotit, aq shumë, sa që, në fund të fundit, vetë Zoti shikohet si mishërim i hirit, i cili në Jezu Krishtin zbulohet plotësisht. Sepse “S’ka asnjë person tjetër nën këtë kupë qielli që Hyu ua dha njerëzve me anën e të cilit do të mund të shëlbohemi”(Vap 4, 12). Mu për këtë, të jesh i krishterë, nuk do të thotë të jesh një person i mbushur me ndjenja religjioze apo të jesh pjestar i një bashkësie religjioze, të kesh ndjenja humanizmi, të jesh njeri i mirë dhe i moralshëm etj., por më saktë do të thotë të besosh në Jezu Krishtin, të kesh marrëdhënie miqësore me Të dhe të lejosh që të udhëheqesh nga Shpirti Zotit. Sepse është vështirë të jesh njeri - njeri i mirë. Këtë vështirësi e përjetojmë çdo ditë. Mjafton një çast për t’u bërë hero i madh i popullit e të fitosh lavdi, por duhet një jetë e tërë për t’u bërë njeri - njeri i mirë dhe i lirë me shpirt të pasur, me moral dhe etikë të lartë, i denjë në kuptimin e plotë të fjalës, pra njeri i vërtetë i Zotit. Sepse të bëhesh njeri është art i të gjitha arteve - është art i jetës ndërtimi i të cilit kërkon fisnikërim, humanizim dhe punë të veçantë në jetën e bashkuar me Zotin e vërtetë. Njeriu lind i lirë, ndërsa tërë jetën është në pranga të mëkatit dhe bënë luftën për tu çliruar dhe për të jetuar të tashmen dhe të ardhmen e vet të lirë. Mu për këtë Jezusi erdhi në botë, jetoj dhe vdiq në kryq për njerëzimin, por nuk mbeti i vdekur si profetët e kaluar. As vdekja as mëkati nuk kishte pushtet mbi Të. Ai tha:“Prandaj Ati më do, sepse e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma marrë: por unë e jap prej vetes. Kam pushtet ta jap jetën e kam pushtet ta kthej prapë atë” (Gj 10 17 - 18). Jezusi sipas dashurisë së madhe që ka ndaj njeriut na shpagojë (pagojë dënimin) nga mëkati njerëzor sepse “Nuk ka njeri të drejtë, as vetëm një” (Rom 3, 10). Është vështirë të kuptohet gjithë domethënia e plotë e fjalës “shpagim” nëse nuk kuptohet lidhja e saj me skllavërinë e vjetër, e cila më asnjë sakrificë dhe më asgjë tjetër nuk mund të zhdëmohet.

Mu për këtë, të bëhësh njeri do të thotë të bëhësh i krishterë, të jetosh përgjithmonë me Jezusin e ngjallur dhe të jesh pranë të afërmit dhe për të afërmin. Kjo njeriun e bën njeri, sepse njeriu i ri është njeriu i liruar nga mëkati dhe skllavëria e shprehive të stërvitura. “Nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re; e vjetra u zhduk, dhe, ja u bë e reja! (2 Kor 6, 17). Për këtë Krishti thotë: “Ju jeni drita e botës” (Mt 5, 14). Pa Jezu Krishtin, njeriu mbetet nën pushtetin e mëkatit dhe i pafuqishëm për tu liruar. Jezusi nuk i fton njerëzit në një religjion të ri, në ide humaniste, morale dhe religjioze, por i fton në jetë, në Mbretërinë Qiellore dhe thotë:“Unë jem Udha e Vërteta dhe Jeta” (Gj 14, 6); “Nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë qiellore” (Mt 18, 3). Fjala“fe” nuk i përket fjalorit religjioz. Feja është e mbinatyrshme, është vepër e hirit të Jezu Krishtit, që tejkalon synimet dhe fuqitë e njeriut, sepse është “dhuratë e patregueshme ”(2 Kor 9, 15) e Shëlbuesit.

Për shkak se jemi të kërcënuar - të shtërnguar dhe në lëkundje të vazhdueshme nga mëkati, bota në të cilën jetojmë i ngjanë shtëpisë në të cilën mbretëron frika dhe pasiguria. Asnjë religjion në botë nuk ofron zgjidhje mbi faljen e mëkateve, ku besimtari me siguri të plotë mund të pohon se iu kanë falur apo nuk iukanë falur mëkatet e bëra. Krishti është shumë më tepër se religjioni, religjioziteti, se sa ligjet e përgjithshme të shoqërisë, respektimi i traditave dhe të ideve humaniste etj. Krishti është themeli i fesë, është religjioni, teologjia, morali, dialektika e jetës dhe gjithë antropologjia. Aty ku përfundon religjioni fillon feja ose fundi i religjionit është fillimi i fesë së krishterë.

Me krishterimin dymijëvjeçarë fillon qytetërimi i botës Perëndimore. Këtë e dëshmon bija e jonë shqiptare, Nënë Tereza, Nëna e Botës, me jetën e saj kushtuar Krishtit dhe Kishës, tani shenjëtresha e dashurisë e njohur me porosinë e saj: “Vetëm dashuria do ta shpëtoj botën.” Mu për këtë ajo u ngrit në piedestalin më të lartë botëror të shenjtërisë. Duke jetuar sipas thirrjes fisnike dhe duke u identifikuar me dashurinë e Jezusit, ajo u bë Nënë univerzale e shekullit dhe figura më e shquar e gruas, e popullit tonë shqipëtar dhe e krejt rruzullit tokësor. Kisha themelues i së cilës është vet Jezu Krishti u bë edukatorja e Europës dhe e gjithë botës perëndomore. Mbi themelet e krishterimit Parëndimi u bë hemisfera më e zhvillur e botës. Mu për këtë për ne shqiptarët dielli lind në Perëndim!

Historia e Europës dhe e botës Perëndimore është e lidhur ngushtë me historinë e Kishës. Ndihen të privilegjuar dhe fatmirë ata popuj që më kohë zun rrënjë në trungun e lashtë krishterë. Kisha Katolike duke e ruajtur fundamentin e saj të fesë, të vërtetën e marrë nga apostujt të cilët janë shtyllat e fesë krishtere e që sot janë ipeshkëvijtë - pasardhësit e apostujve të cilët të bashkuar me pasardhësit e Shën Pjetrit në Romë e drejtojnë Kishën nën provanin Hyjnore dhe përkujdesje baritore. Kështu Kisha duke ecën përpara me kohën në mijëvjeçarin e tretë dhe duke iu përshtatur kohërave dhe njohjeve të reja historike, kulturore, shkencore, filozofike dhe teknike si dhe proceseve të pandërprera që nga themelimi i saj e deri më sot, ajo u bë forca më e fuqishme e jetës morale dhe shpirtërore në botë.

Në Bibël, profetët, të dërguarit e Zotit ishin të ashpër ndaj religjioneve. Ata me ngulmë dhe guxim të madh i kritikonin religjionet dhe ishin kundër tyre për t’i asgjësuar tërësisht. “Idhujt e paganëve janë argjend e ar, prodhim i dorës së njeriut. Gojë kanë e nuk flasin, sy kanë e nuk shohin, veshë kanë e nuk dëgjojnë, hundë kanë e nuk nuhasin. Duar kanë e nuk prekin, këmbë kanë e nuk ecin, zë nuk qesin prej gurmazit të tyre!” (Ps 115). Idhujt respektivisht perënditë e tillë janë vepra artistike, që njësoj janë të pafuqishëm si në mitologji ashtu edhe në religjione. Bibla mëson që të rrënohen perënditë e imagjinuar, kultet e mbështetura në besëtytni, në rite magjike, në okultizëm, ezoterizëm etj. Sepse në Betlehem lindi Zoti për të vdekur gjithë perënditë tjerë që s’janë gjë tjetër veçse pjellë e mendjes njerëzore. “Sot, në qytet të Davidit ju lindi Shëlbuesi – Krishti Zot!” (Lk 2, 11).

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat