20 vjet më parë në luginën e ferrit në fshatin Bllacë, 100 mijë shqiptarë me sytë e tyre e panë vdekjen dhe tmerrin

Reportazhe

20 vjet më parë në luginën e ferrit në fshatin Bllacë, 100 mijë shqiptarë me sytë e tyre e panë vdekjen dhe tmerrin

Hasan Hasanramaj                Nga Hasan Hasanramaj Më 1 prill 2019 Në ora: 09:37
Kolonat e gjata të fëmijëve, pleqve, të grave, të sëmbuarve të përcjellat në mes këtyre vija të hekurudhës të përcëlluar drejt kampit të Bllaces

Bllaca, një fshat malor, më ma shumë katërqind shtëpi, me popullsi qind për qind shqiptare, shtrihet midis Shkupit e Kaçanikut. Popullata shqiptare e kësaj ane nga pushtuesit shekullorë përjetuan ditë dhe momente të vështira. Ishte mbarimi i muajit dhjetor të vitit 1944 kur në fshatin Bllacë pas katër orësh lufte të përgjakshme komunistët maqedonas u detyruan të tërhiqen para forcave të rezistencës shqiptare, duke i lënë në fushën e mejdanit një mijë e pesëqind të vrarë dhe shumë të plagosur, kurse nga ana shqiptare kishte pak të vrarë e disa të plagosur.

Pas kësaj masakre komunistët maqedonas, në krye me komandantin kriminel Stevo Atanasovskin, në shenjë të hakmarrjeje u urdhëroi treqind e tetë djelmoshave të zgjedhur shqiptarë të fshatit Bllacë të rreshtohen buzë kanalit, të cilin e hapen me duart e tyre dhe të gjithë i pushkatuan. Andaj edhe sot e kësaj dite, nënat, motrat dhe popullata e këtij lokaliteti vajtojnë e mbajnë zi për djemtë dhe vëllezërit që u masakruan, jo në luftë, por të pushkatuar nga xhelatët shovinistë maqedonas. Barbaritë e serbo-maqedonasve serish dolën në shesh me fillimet e bombardimeve të NATO-së mbi caqet serbe, më 24 mars të vitit 1999.

Këto ishin ditët më të gëzueshme për popullin shqiptar anekënd Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, por edhe sinjal se forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe do të vazhdojnë terrorin e paparë antinjerëzor me një intensitet dhe tërbim më të egër ndaj popullit të pafajshëm shqiptar.

Image
Kolona e traktorëve me të zhvendosur të përndjekur nga forcat serbe largohen nga Kosova

Para njëzetë vjetëve në të gjitha rrugët e kryeqytetit tonë Prishtinës dhe të qyteteve e të fshatrave anekënd Kosovës mund të shihje vetëm pamje të tmerrshme - kolona të gjata fëmijësh, pleqsh, grash, të sëmurësh. Të gjithë kishin një drejtim: stacionet e trenit dhe të autobusëve në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Lypjan, Ferizaj, Kaçanik. Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan. Të zhveshur, këmbëzbathur, pa bukë, pa shtrojë, pa mbulojë e me lot në sy, të tmerruar e të frikësuar se çka do të mund të ndodhte çdo minutë, çdo orë, me dhunë u detyruam të largohem nga trojet tyre stërgjyshore ku lindën e u rritën duke lënë pasurinë e çdo gjë që kishin, me dhunë të paparë u detyruan ta marrinë botën në sy.

Një përndjekje e madhe, një eksod i paparë i cili i përngjante eksodit të hebrenjve të viteve dyzetë të ndërmarrë nga nazistët gjermanë, cak kishte gropën e tmerrit e të ferrit në Bllacë, aty ku para shtatëdhjetë nëntë vjetëve u bë masakra e paparë mbi qytetaret e pafajshëm shqiptarë.

Image
Kamionët duke u ngarkuar me të zhvendosur për ti thënë lamtumire trojeve të tyre stërgjyshore

Lugina e Bllacës krijoi lotët dhe mallkimet me të cilat mbuluan shumë trupa të pajetë ...

Pamjet e fytyrave të zhvendosurve, të trishtuara dhe të dërrmuara të fëmijëve, të grave shtatzëna, të pleqve, të sëmurëve e të masës së hutuar, fizikisht të dërrmuar e të demoralizuar, të përkujtonte “Zonën e Errësirës”, ku njerëzit e pashpresë ishin të dënuar për vdekje të ngadalshme. Nuk ishin këto pamje patetike të ndonjë filmi artistik, por dhimbje të qindra mijë njerëzve të lënduar në shpirt, të cilët duke mos pasur mundësi t’u kundërvihen forcave paramilitare të armikut shekullor anekënd Kosovës, merrnin botën në sy...

Image
Të zhvendosurit këmbëzbathur, po bukë, pa shtrojë dhe mbulojë me lot në sy të tmerruar e të frikësuar së çka do të ndodh me ta

Vaji i fëmijëve të gjitha moshave, zërat e dhimbshëm të nënave duke kërkuar fëmijët e humbur në këtë rrëmujë, klithjet tmerruese për ndihmë, tollovitë e papërshkrueshme të të gjitha moshave (që i dokumentojnë fotografitë e këtij reportazhi), të bënte që ta humbasësh edhe atë pakë shpresë për jetën.

Image
Kjo përndjekje e madhe, një eksod jo i parë i cili i përgjonte eksodit të hebrenjve gjatë viteve dyzet

Të zhvendosurit nga Kosova: fëmijë, pleq e sidomos nëna shtatë zëna, që lindnin fëmijë të vdekur, filloi t’i kositë vdekja e pamëshirshme. Lugina e tmerrit dhe e ferrit në kampin e Bllacës, me njëzet hektarë sipërfaqe, ku ishin grumbulluar njëqind mijë të zhvendosur nga Kosova, pas të reshurave të shiut të përzier me borë, u shndërrua në kënetë balte të gjallë, e cila për çdo ditë gëlltiste njerëz të pafuqishëm.

Image
Kjo nënë me beben e po sa lindur në gji në krye të kolonës me të zhvendosurve që nuk dinë ku shkojnë

Kjo ishte strategjia serbo-maqedonase për shfarosjen e njëqind mijë të zhvendosurve nga Kosova në Luginën e Bllacës, të cilët shikimin e kishin drejtuar kah kufiri ku ishin koncentruar forca të mëdha të njësive policore e ushtarake serbo-maqedonase dhe silleshin me përbuzje e agresivitet, që pak a shumë i ngjante agresivitetit të vrastarëve që kishin dëbuar popullatën pafajshme nga trojet e tyre stërgjyshore.

Image
Njëqind mijë qytetaret gjatë qëndrimit dy javor kurrë nuk do ti harrojnë ditët e vështira që i kaluan në shi, në bore dhe në baltë në Bllace

Vaji i fëmijëve të lodhur, të rraskapitur, të uritur, të lagur dhe pa vetëdije nuk kishte të ndalur. Gjëma e pleqve dhe plakave arriti kulmin, sepse nuk e dinin sa do të qëndronin në kampin e barbarive, të rrethuar me tela me gjemba dhe në çdo dhjetë metra të mbrojtur nga forcat ushtarake e policore serbo-maqedonase, të cilat nuk lejonin lëvizje askund. Lumi Lepeci bartte me vete lotët dhe mallkimet e kësaj mase të qytetareve të trishtuar të Kosovës martire. Shiu i përzier me borë në luginën e Bllacës krijoi lotët dhe mallkimet me të cilët mbuloi shumë trupa të pajetë. Të gjithë pyesnin: Çfarë do të ndodh me ne?!

Image
Qytetaret me gëzimet me të mëdha duk duar trokitur hyrjen e forcave te NATO ne Kosovë

Autoritet serbo-maqedonase e kishin një qëllim, që kësaj pjese të popullatës, të zhvendosur nga Kosova, t’i shkaktojë tragjedi të njëpasnjëshme duke e mbajtur të ngujuar në kushte që s’i duron as kafsha e lëre më qenia njerëzore. Sot, kur po bëhen njëzet vjet, dhe gjithmonë sa të jemi gjallë, me shpirt e me zemër i falënderojmë vëllezërit tanë shqiptarë nga të gjitha anët e Maqedonisë, të cilët në momentet më të vështira, kur ne vëllezërit e tyre nga Kosova përballeshim me jetë a vdekje, në kampin e Bllacës, me tërë qenien e tyre u angazhuan që t’i shpëtojnë jetët tona ...

Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat