Vazhdim i reportazhit nga Hasi Lindor

Reportazhe

Vazhdim i reportazhit nga Hasi Lindor

Nga: Haki Latifi Më: 1 nëntor 2020 Në ora: 15:12
Haki Latifi

Thonë se udhëtimi nënkupton shuarjen e etjes me ujin e burimeve malore, duke i thënë lamtumirë thirrjeve telefonike, dhe duke u vetë-përhumbur në kodrat e përgjumura.

Gjatë kthimit nga Zymi, në Gjonaj marrim drejtimin për në Mazrrek-Kojush, Milaj, Planejë për të arritur në Gurazhup.

Në Gurazhup në anën e majt të rrugës për te Kroi kufitar, rrezonte përmendorja e të vrarëve në luftën e fundit. Si të përqafuar e të besatuar për liri e pavarësi dukeshin ato fytyra të lavdisë sonë historike, në mermerin e bardhë. Njëri ndër të rënët është edhe shoku dhe bashkëveprimtari im, Heroi Bafti Haxhiu. I cili përfundimisht, dha jetën një ditë më pas, në 26 maj 1999, në betejën e përgjakshme kundër pushtuesve serbo-malazeze. Këta dëshmor ranë në pusinë e xhelatëve në Gorozhup e Pashtrik në luftë me forcat serbe dhe bashkë me bashkëluftetarët mbetën yje të historisë sonë të re. Një përulje e jona para tyre, ishte shumë e vogël… Besa edhe emocionet më prekën thellë në kujtesë, dhe për pak kohë heshta së foluri, më duhej një pushim i shkurtër çmallje brenda vetes…

Arritja në Gurazhup, na krijoi emocione të veçanta. Gurazhup(Gurishti-Gurazupi)

Përballë nesh çfaqen gërmadhat e karaullës së ish ushtrisë serbe , tani e rrënuar, por ende tregonin “dhëmbët”, nuk kishte rënë për tokë plotësisht. E gjitha, një pjesë e historisë sonë të dhimshme, të cilën e kemi paguar shtrenjt me gjakun tonë, për një fjalë goje, këndej e andej kufinit. Rrënqethet trupi, vetëm ta mendosh jetën e kaluar përmes vrimës së gjilpërës…

Tani jemi pikërisht në pikën “kufitare” që dikur ishte tmerri i tmerreve. Makina nuk shkonte më tej. U lëshuam disa metra poshtë me Zonjat Tejeci të cilat na shoqëruan në drejtim të Krojit në kufi. „Dikur ishte krua i vetëm ku merrnim ujë bashkë me ata tutje kufirit“ tregon z. Tejeci. Duke vazhduar; „Për plot 50 vjet këta banorë kanë kuptuar fatin e njëri-tjetrit vetëm përmes këngëve që kanë kënduar në arat tona. Kufiri nuk ishte i hekurt, por ishte i gjakosur me gjakun e shumë shqiptarëve. Bile edhe raste e vdekjeve ia kumtonim njëri-tjetrit përmes këngës”, pohon z. Tejeci.

Të gjitha ngjarjet e treguara nga shoqërueset z. Tejeci, u argumentuan kur arritëm në Keto katunde të Hasit bri Pashtrikut . Ajo kujton me dhimbje edhe motrën e saj, të cilën ushtria serbe gjatë luftës para 20 vjete, e morri dhe ende nuk dijnë gjë për fatin e saj! I shprehëm keqardhje dhe e ngushëlluam për motrën. Gjatë qëndrimit tonë, ende vëreheshin, shtëpi të djegura që nga lufta, të shkretuara, pa banorë. Ishte heshtje, asnjë zë, bile i ndonjë fëmije.

Image

Kurse tashmë është ndryshe. Kjo trevë është bërë pikë lidhëse mes Hasit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë. “Tash banorët e disa fshatarëve të Hasit deri në Gurazhup vijnë me kuaj apo edhe këmbë e nga këtu e arrijnë autobusin për tregti ditëve të mërkura në Prizren”, tregon ajo. Atje ende padrejtë- sisht janë të ndara lagjet Mariq edhe Pogaj, që u ndanë nga fshati Gurazhup. Por, tani miqësia e lidhur ka bërë që gradualisht ky fshat të ribashkohet.

Në vazhdim ndalemi te pamja e jashtme e gërmadhës së shkollës së vjetër në Gurazhup, në të cilën është edhe qëllim tjetër i vizitës s’onë. Në këtë shkollë, dikur në vitet e 60-ta babain e t‘ime shoqe, regjimi i asaj kohe, mësuesin Xhemajl Jashari e degdisën në malet e Hasit, në mes mjerimit, varfërisë e urisë. Por populluar nga njerëz bujarë, siq ishte edhe Sheh Tahiri i dytë i Planejës që e mbanin në shtëpitë e tyre për të fjetur sa herë rrezikojej gjatë udhëtimit në këmbë Lubizhdë e Prizrenit-Gurazhup dhe anasjelltas. Pra bëhet fjalë për një kohë kur ishte shumë vështirë të ishe mësues në një katund të largët të tipit rural, pa rrugë, pa asnjë shitore, pa rrymë elektrike e ndriçimi i dhomës bëhej me llampën e vojgurit, po me një zell e vullnet të madh për punë e përhapje të dijes, mund të përballoheshin të gjitha ato vështirësi. Bëhet fjalë kur puna e mësimdhënësve përcillej me kujdes nga Organet e Punëve të Brendshme se ishin në shënjestër të tyre dhe Shërbim i Sigurimit Shtetëror jepte rekomandime për transferim, suspendim, arrestim nga puna për mësuesit e deri te likuidimi fizik i tyre që ka pasur raste të tilla në hapësirën territoriale të Komunës së Prizrenit.

Gjatë bisedës me z. Tejeci dhe disa gra që i takuam rastësisht, të cilat shkonin për të mbledhur dru me gomarët e tyre, tregonin se; „Gurazhub përbëhet nga lagjet Binaj, Tejeci, Tanaj dhe Kërhanaj. Dikur ky katund ishte shumë i madh, por nga paslufta e Dytë Botërore kushtet shumë të vështira dhe sidomos regjimi serb me presionin e madh që bënte nuk lejoi që banorët atje të jetojnë të qetë, andaj u detyruan të ikin nga ky vendbanim.“ U ndam me këto gra bujare, duke i falenderuar me përzemërsi për kohën dhe tregimet e tyre për këtë vendbanim.

Drekimi me t’ime shoqe vendosëm ta bëjmë në Restaurantin familjar „Pashtriku“ në këtë vendbanim . Pritja e përzemërt e peronelit dhe shërbimi ishin korrekt. Nga veranda e Restorantit, ishte moment i veçant i vrojtimit të pamjeve bukura të Drinit të bardhë, kodrave malore të Zhurit dhe grykës së Lumës. Gjat drekimit, rastësisht takuam mikun tim z. Osman Jaha, Drejtor në ShFMU „Gjergj Kastrioti-Skenderbeu“ në Mazrrek (bashkëshortin e ish shoqës së klasës në Gjimnazin e Prizrenit, Hanife Hoxha), i cili erdhi me dy miq të tij në Restaurant.

Pas përshendetjes së perzemërt i tregova edhe qëllimin e udhëtimit. Z. Osmani pa hezitim më propozoj që të vizitojmë vendin ku kanë rënë në pritë luftëtarët e Lirisë së Kosovës, Heroi Mujë Krasniqi me nofkën Kapuçi, bashkë me 36 bashkëluftetarët e tij në kufirin shqiptaro-shqiptar pas një prite nga forcat ushtarake serbe. Siç dihet mëngjesin e acartë të 14 dhjetor të vitit 1998 kishin rënë në pritën e organizuar nga ushtria dhe policia serbe, në vendin e quajtur "Te Likenet e Hasit" në Gurazhup të Pashtrikut. Me kënaçësi miratuam propozimin e z. Osmanit dhe vazhduam udhëtimin në drejtim të Katundit Planejë duke lakuar në drejtim të „Likeneve të Hasit“ .
Rrugës takuam Qenin Deltar Ilir, një qen i Dardanisë besniku më i mirë, vet roja e shtëpisë. Sikur donte të thoshte; „ këtu jam den baba den jam për tokën, ujin dhe Diellin, për shqiponjat e lira në Qiell“!

Bukuritë e shumta natyrore të cilat fshihen në gjirin e keti katundi bri Pashtrikut të shtrirë në disa lagje janë mahnitëse. Për fat të keq mungojnë sinjalizimet, por rruga ishte e asfaltuar dhe e rregulluar mirë gjatë këti viti.

Planeja në kohën e Lidhjes Shqiptare do të njihet përmes Sheh Tahirit të parë, i cili ishte themelues i Teqesë në këtë katund dhe bashkëluftëtar i Ymer Prizrenit e Abdyl Frashërit. Ndërsa në periudhën e Pavarësisë së Shqipërisë, Planeja do të bëhet e njohur përmes atdhetarit të këtij vendi Sheh Sylejmani, i cili ishte bashkëveprimtar i Hasan Prishtinës e Bajram Currit dhe veprimtarëve të tjerë të çështjes kombëtare.

Para se të mbërrimë te „ Likenet e Hasit“, në anën e djathtë të rrugës u ndalëm për të nderuar dëshmorët e Lirisë nga Krusha e Madhe, të cilët ranë në fushë të nderit, më 4 Dhjetor 1998 ; Prof. Muhamet Malsori me bashkëluftetarët; Hysni Duraku, Skender Hameli, dhe studentët-luftëtarë Sinan, Isak, Sedat, Ismet dhe Hida Hoti. Këta burra e djem të rinj nuk patën nevojë të dëgjojnë thirrjet për qëndresë, sepse me kohë ishin brumosur e kalitur me idenë e luftës për liri.

Vazhduam udhëtimin drejtimin për të mbërri në Lugun e Zi te L’keni i Ahishtes. Në heshtje nderojmë dëshmorët që u flijuan në kërkim të lirisë, ata ranë te kufiri që sot nuk ekziston. Ranë për ditët që i jetojmë sot. Në vendin ku u zhvillua një betejë e ashpër, në një luftim të pabarabartë, aty ku komandant Mujë Krasniqi me nofkën Kapuçi, me bashkëluftetarët e tjerë, disa herë e theu kufirin dhe rrethimin e hekurt serb. Duke bërë përpjekje që nga ai rrethim i zjarrit, t’i tërhiqnin shokët, bien edhe ata.

Për një vizitor që ia m‘syn kësaj treve, Hasi shfaqet në shumë dimensione. Banorët e tij, e ngrenë të përditëshmen e tyre mes mundësisë dhe pamundësisë, dëshirave dhe realitetit. Për ta, shteti, nëpërmjet organizmave të tij, është rregullatori kryesor i jetës së tyre. Të gjithë kanë të drejtën për të jetuar më mirë dhe jo të harruar në vendin e tyre. Çdo vizitori, ashtu si edhe banori më i thjeshtë, me të drejtë i lind një pyetje; “A ka një strategji për ta ngritur jetën e këtij vendi dhe banorëve të tij?”. Në letër, stategjitë afatshkurtra dhe afagjata ekzistojnë. Mjaft banorë të Hasit kanë lëvizur dhe vazhdojnë të lëvizin, duke tentuar që të integrohen më vrrullshëm në jetën e vendit apo edhe më gjerë. Fati i hedh njerëzit në rrugë të ndryshme. Ka prej atyre që rikthehen, që ndonjëherë lënë edhe ndonjë gjurmë, ashtu siç ka edhe prej atyre që kur ikin nuk e kthejnë më kokën pas. Megjithatë, dashuria për Hasin, për të gjithë banorët e tij mbetet një dashuri e madhe, ndërsa te çdo vizitor që përballet me të, një mbresë e mirë që nuk shuhet.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat