Vazhdim i reportazhit nga Hasi Lindor

Reportazhe

Vazhdim i reportazhit nga Hasi Lindor

Nga: Haki Latifi Më: 2 nëntor 2020 Në ora: 11:30
Pamje nga ura e Nashecit, në prapavi Gryka e Drinit të bardh dhe një pjesë e Nashecit

Pas udhëtimit një ditor në këtë pjesë të Hasit Juglindor marrim drejtimin e katundit Nashec i njohur edhe me emërtimin Syzi, i njohur si pikë turistike joshëse për vizitorë, i cili dikur njihej me pushimoren e tij e që për shkak të luftës së fundit ajo ishte dëmtuar dhe nuk është vënë në funksion as sot e kësaj dite. Kaluam Drinin e bardhë për mes urës që lidh Hasin me këtë pjesë të Vrrinit. Rrugët e kryqëzuara, të cilat të dërgojnë në çdo cep të katundit Nashec, krijojnë një panoramë në vete. Është intresant se në këtë vendbanim, në vendlindjen e Nënës sime tani e ndjerë, kam kaluar një pjesë të fëmijërisë sime tek dajët. Këtu gërshetohen tri lloje të klimave: Mesdhetare që vjen prej Grykës së Drinit, kontinentale prej Maleve të Sharrit dhe klimës malore që vjen prej Pashtrikut.

Në vazhdim vizituam vendin e njohur si “Tyrbja e Babës Suzi”, pastaj burimin e gurrës, në të cilën u habitem për të mirë me pastërin dhe mirëmbajtjen e ambienteve që shërbejnë nga vizitorët për piknik. Nasheci është pika më e afërt e qytetit Prizren me lumin Drini i Bardh dhe së paku për 500 vite njihet si vend i rekreacionit gjatë muajve të verës për prizrenasit. Noti, lundrimi, peshkimi dhe klima mesdhetare kanë qenë atrakcionet kryesore të këtij lokaliteti që përmendet qysh prej kohës së poetit Sozi Çelebia.
Por, për rikthimin e Nashecit si lokacion turistik, duhet të mendojmë përtej suazave të Prizrenit. Sidomos vlen të përmendet Kanioni i mahnitshëm i Drinit të bardh, që mund ti tërheq vizitorët vendorë dhe të huaj.

Në Nashec ende egzistojnë gërmadhat e një shtëpie me vlerë shumë të madhe historike. Kjo shtëpi e shkatërruar nga koha, ka qenë dikur shtëpia e udhëheqësit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni. Në këtë shtëpi, dikur janë mbajtur tubime e takime të Ymer Prizrenit me shumë atdhetar dhe veprimtar të kohës. Nga pleqt e Nashecit thuhet se në odën e kësaj shtëpie kanë ardhur figura kombëtare me shumë peshë të madhe historike, ku ndër ta permendet edhe Abdyl Frashëri, ideologu e atdhetari i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Duke e pasur parasysh rëndësinë historike dhe kulturore të kësaj shtëpie, është për t’u habitur se si qeveritë qendrore dhe komunale, pas luftës, nuk kanë bërë përpjekje për ta vën nën mbrojtje institucionale, duke e përfshirë edhe restaurimin e saj. Poashtu, shpallja e kësaj shtëpie MONUMENT HISTORIK është jetike për arsye të vlerës dhe peshës historike që ka.
Në përfundim të udhëtimit tonë një ditor kthehemi në Piranën tonë të bukur, duke marrë drejtimin e vendbanimit Tupec. I cili gjeografikisht nuk i përket Hasit, por është i banuar me hasjanë, është këtej Drinit të Bardhë dhe i përket Përdrinisë.
Kënaçësia e një dite me diell e mot të bukur vjeshte, më ngeli si një ndër kujtimet më të bukura dhe interesante gjatë qendrimit për pushime në Kosovë.

(Fund)

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat