100 gra diagnostikohen çdo vit me kancer në mitër, miratohet programi për depistimin

Shëndetësia

100 gra diagnostikohen çdo vit me kancer në mitër, miratohet programi për depistimin

Më: 31 janar 2019 Në ora: 08:09
Ilustrim

Qeveria miratoi sot Programin Kombëtar të depistimit të kancerit të qafës së mitrës në Shqipëri, programi i parë në nivel kombëtar për një prej tumoreve më të përhapura te gratë. Ky program kombëtar ka për qëllim identifikimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

Testimi me HPV që parashikohet të kryhet, i koordinuar nga Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet Institutit të Shëndetit Publik, do të ofrohet falas për gratë e grupmoshës 40-49 vjeç, që është edhe grupmosha më e prekur nga kanceri i qafës së mitrës.

Me këtë program Kombëtar, shërbimet e organizuara të këshillimit dhe marrjes së mostrave për laborator kryhen pa pagesë për gratë e grupmoshës 40-49 vjeç, pranë qendrave shëndetësore në Shërbimet e Kujdesit Parësor, të cilat sigurojnë edhe informimin e grave mbi programin.

Shërbimet e diagnozës së mëtejshme dhe të trajtimit eventual mjekësor kryhen pa pagesë për gratë e përfshira në program, në shërbimin spitalor publik për të gjitha gratë që rezultojnë pozitive në depistim. Në Shqipëri kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë më i shpeshtë pas kancerit të gjirit.

Mbi 100 gra diagnostikohen me këtë kancer dhe pothuaj 40% e tyre humbin jetën nga ky kancer çdo vit në vendin tonë. Kanceri i qafës së mitrës prek gratë e moshave të mesme.

Është programi më kosto-efektiv I depistimit të kancereve që ekziston sot në botë. Sepse duke e kapur në faza të hershme, parandalohet mbi 80% të vdekjeve të parakohshme. Ky është një program i rekomanduar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë i finalizuar sot nga Qeveria Shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat