Diabeti i shtatzënisë, faktorët e rrezikut për nënën dhe foshnjen

Shëndetësia

Diabeti i shtatzënisë, faktorët e rrezikut për nënën dhe foshnjen

Më: 9 mars 2019 Në ora: 13:50
Ilustrim

Diabeti gestacional (DG) është ndërlikim i shtatzënisë, i cili ka tendencë që të jetë më prevalent te nënat obeze dhe ato me moshë më të madhe. Diabeti në shtatzëni është i përkohshëm, zakonisht mbas lindjes nivelet e sheqerit në gjak kthehen në normë, por ka një risk më të shtuar për të përsëritur diabetin gestacional në shtatzënitë pasardhëse ose diabetin mellitus më tej gjatë jetës.

Prezenca e diabetit në shtatzëni jo vetëm që e rrit riskun për ndërlikime amtare, si gjakderdhjet postpartale për shkak të fetusit makrosom dhe fetale gjatë shtatzënisë, por rrit ndjeshëm gjithashtu riskun për shfaqjen e diabetit mellitus të tipit 2 dhe sëmundjeve kardiovaskulare pas lindjes. Faktorët e rrezikut përfshijnë diagnoza e mëparshme për diabet, mosha e madhe e nënës (>35 vjeç), histori familjare për diabet tip 2, mbipesha dhe obeziteti, lindje të mëparshme me peshë të madhe të fëmijës (>4000gr), histori për diabet gestacional në shtatzënitë e mëparshme, duhanpirja, sindromi i ovarit polikistik. Simptomat mund të variojnë nga probleme me shikimin dhe ethe, e deri në urinimin e shpeshtë, nauze, të vjella dhe humbje në peshë pavarësisht oreksit të rritur.

Diagnoza vendoset nëpërmjet matjes së nivelit të glukozës esëll, 1 dhe 2 orë pas buke, matje e cila duhet të bëhet shpejt tek gratë me rrezik të lartë. Sot ekzistojnë njohuri dhe mjete për të trajtuar si duhet diabetin pregestacional dhe atë gestacional. Niveli i rritur i sheqerit në gjak gjatë shtatzënisë, në shumicën e rasteve kthehet në normal pas lindjes. Pas lindjes nënat duhet të ndiqen për shenjat e diabetit, pasi në shumicën e grave që kanë pasur diabet gestacional, diabeti do të shfaqet 5-10 vjet pas lindjes.

Faktorët e riskut për Diabetin në shtatzëni ose Diabet Mellitus në shtatzëni janë:

Diagnoza paraprake me Diabet në shtatzëni ose paradiabet, dëmtim tolerancës ndaj glukozës, ose rritje të glicemisë esëll; Histori familjare për të afërm me diabet tip 2; Mosha e madhe e gruas shtatzënë (rreziku për diabet gestacional rritet veçanërisht për gratë mbi 35 vjeç); Përkatësia etnike (gratë me faktor rreziku të lartë përfshijnë afrikano-amerikanet, afro-karibeanet, amerikanet etnike, hispaniket dhe gratë me origjinë nga Azia Jugore); Të qenit mbipeshë ose obeziteti rrisin rrezikun për diabet disa herë; Shtatzëni paraprake që ka rezultuar me lindjen e një fëmije me peshë të madhe (>90th për qind, ose >4000g); Histori obstetrikale paraprake për diabet gestacional; Gra që pinë duhan; Statistikat tregojnë rrezik të dyfishtë për Diabetin në Shtatzëni në duhanpirëset; Gratë me Sindromin e Ovarit Polikistik, kanë gjithashtu risk të lartë për diabet gestacional.

Çdo definicion i Diabetit Mellitus në Shtatzëni (DMSH) duhet të përfshijë tri elemente rreziku:

1) sëmundshmërinë perinatale ose vdekjen fetale in utero në shtatzëninë aktuale, 2) zhvillimin e diabetit tip 2 tek nëna 3) situatën e zhvillimit të fetusit në mitër, me pasoja në shfaqjen çrregullimeve më vonë gjatë jetës. Ndër faktorët e mundshëm rastësor për zhvillimin e sëmundjes janë dhe administrimi farmakologjik i alfa-hidroksiprogesteron kaproatit (17P). Ky preparat përdoret gjatë shtatzënisë për profilaksinë e lindjes premature, dhe rezulton të jetë i lidhur me rritjen e rrezikut për zhvillimin e Diabetit Mellitus në Shtatzëni (DMSH). Për këtë arsye, skriningu i hershëm për DMSH-në është i këshillueshëm për gratë që marrin terapi me 17P për profilaksi.

Studime të tjera tregojnë se obeziteti dhe diabeti para shtatzënisë, janë të lidhura me rritjen e rrezikut të lindjes së fëmijëve me peshë të madhe (të shoqëruara me ndërlikimet përkatëse). Gratë shtatzëna mbipeshë ose obeze kanë një prevalencë më të lartë për diabet gjatë shtatëzënësisë, krahasuar me gratë me peshë normale ( 46.7% kundër 4.1 % ). Mbipesha trupore e nënave nga ana tjetër, shton riskun për lindje të fëmijëve i madh për moshën e shtatzënisë (IMMSH) (11). Diabeti Mellitus në shtatzëni, është gjetur se ka lidhje me rregullimin e poshtëm (doën-regulation) të adiponektinave dhe citokinave si dhe me rregullimin e sipërm (up-regulation) të leptinave dhe citokinave inflamatore.  Mendohet se makrosomia është e ndërlidhur me rregullimin e sipërm të citokineve T-ndihmëse1 dhe rregullimin e poshtëm të agjentëve në lidhje me obezitetin (Interleukinat IL-6 dhe Faktorin e Nekrozës Tumorale FNT-alfa, leptinat dhe adiponektinat).

Foshnjat e lindura nga nënat e prekura me diabet në shtatzëni, paraqesin një rrezik të lartë për problemet të nivelit të ulët ose të lartë të sheqerit ne gjak si dhe ikterin neonatal. Edhe pse Diabeti në shtatzëni, konsiderohet të jetë gjendje e trajtueshme dhe gratë me kontrolle adekuate të nivelit të glukozës, mund që efektivisht të ulin rreziqet per vehte dhe për fëmijën e tyre, përsëri ato janë një kontigjent me rrezik të lartë për të zhvilluar diabet mellitus të tipit 2 ose më rrallë, diabet të fshehur autoimmun ose tip1 pas shtatzënisë. Pasardhësi i tyre është i prirur për zhvillim obeziteti në fëmijëri, dhe diabet tip 2, më vonë gjatë jetës. Shumica e pacientëve trajtohen vetëm me modifikime dietektike dhe ushtrime të moderuara, por disa marrin preparate antidiabetike, përfshirë edhe insulinën.

Simptomat tek gratë shtatzëna

Zakonisht nuk ka simptoma të DG-së, ose simptomat janë mesatare dhe jo të rrezikshme për jetën te gratë shtatzëna. Niveli i sheqerit në gjak zakonisht normalizohet pas lindjes. Simptomat mund të përfshijnë: Turbullimin e shikimit; Ethe; Infeksione të shpeshta, duke përfshirë infeksionet urinare, cistitet, infeksionet vaginale dhe ato të lëkurës; Shtimin e etjes; Urinimin e shpeshtë; Nauze dhe vjellje; Humbje të peshës përkundër oreksit të shtuar.

*Departamenti Promocionit Shëndetësor, Instituti i Shëndetit Publik, Tiranë

Depistimi dhe diagnostifikimi i Diabetit Mellitus në Shtatzëni

Rekomandimet aktuale janë propozuar për të kryer vlerësimin e rrezikut për të gjitha gratë shtatzëna, që në vizitën e parë të shtatzënisë. Gratë që janë me rrezik të lartë duhet të shkojnë drejt kryerjes testeve sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të identifikohet diabeti tip 2 i fshehtë. Në këto raste bëhet testi i ngarkesës me 75-g glukozë, për matjen e glukozës plazmatike esëll, pas 1 ore dhe pas 2 orësh, në javën 24-28 të shtatzënisë, në gratë që paraprakisht nuk janë zbuluar me diabet. Testi i tolerancës së glukozës orale (TTGO) duhet bëhet në mëngjes, pas një periudhe esëll prej së paku 8 orë. Diagnoza e Diabetit Mellitus në Shtatzëni (DMSH) vendoset kur ndonjë nga këto vlera plazmatike të glukozës rezulton të jetë më e lartë se norma: Esëll = 92mg/dl (5.1 mmol/l); 1 orë pas marrjes së glukozës = 180 mg/dl (10.0 mmol/l); 2 orë pas marrjes së glukozës = 153 mg/dl (8.5 mmol/l)(14).  Diabeti gestacional zakonisht fillon në gjysmën e dytë të shtatzënisë. Të gjitha gratë shtatzëna duhet të bëjnë testin oral të tolerancës ndaj glukozës në mes të javës 24 dhe 28-të të shtatzënisë. Gratë shtatzëna të cilat kanë faktorë të rrezikut për diabetin gestacional mund ta bëjnë këtë test edhe më herët në shtatzëni. Në rastet kur glicemia rezulton e lartë, gruaja gjatë shtatzënisë duhet të kontrollojë nivelin e sheqerit në gjak me testin e glukozës në gisht (vetëkontrollin në shtëpi).

 Prognoza

Diabeti shfaqet tek nënat 5 deri në 10 vjet pas lindjes

Shtatzënat me diabet gestacional zakonisht lindin foshnje me peshë më të madhe. Kjo mund të rrisë gjasat për probleme në lindje si: traumat e foshnjës gjatë lindjes për shkak të peshës së madhe të tij dhe lindje me prerje cezariane. Aktualisht, epidemia Amerikane e obezitetit lidhet me fitimin e peshës gjatë shtatzënisë. Gratë shpesh shtojnë shumë në peshë gjatë shtatzënisë dhe e mbajnë një pjesë të konsiderueshme të peshës në periudhën pas lindjes. Gratë të cilat janë mbipeshë ose janë obeze para shtatzënisë janë më tepër të prirura që të fitojnë peshë gjatë shtatzënisë. Ruajtja e peshës së fituar gjatë shtatzënisë, mund të kontribuojë në obezitet dhe të rrisë riskun për sëmundje kronike, duke përfshirë dhe diabetin e tipit 2. Për gratë të cilat janë në risk të lartë për fitim të konsiderueshëm të peshës, intervenimet duhet të fillojnë në tremujorin e parë. Hulumtimet tregojnë se fitimi i peshës në tremujorin e parë ka më tepër ndikim në peshën e frytit se sa shtimi i peshës në tremujorin e tretë. Marrja e kalorive është një faktor influencues në shtimin e peshës. Fëmija ka prirje që të ketë periudha të hipoglicemisë gjatë ditëve të para pas lindjes. Nëna me diabet gestacional ka risk të rritur për tension të lartë të gjakut gjatë shtatzënisë. Ekziston gjithashtu një risk që foshnja të vdesë nëse nëna nuk e trajton diabetin gestacional. Komplikimet afatgjata përfshijnë shkallën e rritur të obezitetit në fëmijëri dhe adoleshencë, intolerancën ndaj glukozës ose diabetin sheqeror, apo disfunksionin e lehtë neuro- psikologjik. Ato mund të jenë të lidhura me shkallën e hiperglicemisë maternale gjatë shtatzënisë, pasojat e hiperinsulinemisë fetale, dhe çrregullimet e metabolizmit të lipideve maternale gjatë tremujorit të tretë. Fatmirësisht, në fakt të gjitha rreziqet potenciale që janë si rezultat i diabetit në shtatzëni, mund të eliminohen përmes kontrollit të rreptë të niveleve të sheqerit në gjak, të cilat mund të arrihen nëpërmjet mjekimit të mirë dhe kujdesit ndaj vetes. Përdorimi i Metforminës si terapi për të prevenuar progredimin në diabet sheqeror të tipit 2 mund të jetë provë për prevenimin primar të sëmundjeve kardio- vaskulare te gratë me diabet sheqeror në shtatzëni. Sot ekzistojnë njohuri dhe mjete për të trajtuar si duhet diabetin pregestacional dhe atë gestacional. Ngritja e nivelit edukativ të popullatës në përgjithësi, por edhe të mjekëve të përgjithshëm për të zbuluar diabetin pregestacional si dhe implementimi i programeve të skriningut për diabetin gestacional, do të reduktojnë shkallën e morbiditetit si pasojë e diabetit gestacional. Niveli i rritur i sheqerit në gjak gjatë shtatzënisë, në shumicën e rasteve kthehet në normal pas lindjes. Pas lindjes nënat duhet të ndiqen për shenjat e diabetit, pasi në shumicën e grave që kanë pasur diabet gestacional, diabeti do të shfaqet 5-10 vjet pas lindjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat