Kur është momenti i duhur për të nisur psikoterapinë

Shëndetësia

Kur është momenti i duhur për të nisur psikoterapinë

Më: 26 mars 2019 Në ora: 09:16
Ilustrim

Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, prof. asoc. Veronika Duci, psikologe/psikoterapiste tregon se kur është momenti i duhur për një person për të nisur seancat e psikoterapisë. Ajo thekson se vetë procesi terapeutik do ta drejtojë individin dhe psikoterapistin në zbulimin e gjërave të reja. Duci e konsideron psikoterapinë si një dhuratë që kushdo ia bën vetes dhe shton se frika nga paragjykimet e njerëzve duhet të eliminohet, duke mos u shqetësuar se çfarë mendojnë të tjerët.

-Në shumë raste ndodh kur pacientëve u këshillohet nga personat përreth psikoterapia. Si reagojnë pacientët në këtë moment?

E vërteta është se shpesh mund të jemi në “mohim” kur përballemi me situata të vështira dhe përpiqemi të gjejmë vetë zgjidhjen e të gjitha problemeve. Pasojë e kësaj është stërmundimi i vetes, mbushja me mendime negative dhe ndjenja e lodhjes mendore, emocionale dhe fizike. Por, nëse shumë njerëz ju thonë të njëjtën gjë, mos janë duke parë diçka tek ju që vetë nuk e pranoni?

-A ka një moment të duhur për të filluar psikoterapi?

Zakonisht, ne presim një shkas që të fillojmë psikoterapi: një divorc, një vdekje, një ndarje. Për gjithsecilin, momenti i fillimit të terapisë është i veçantë dhe unik. Nuk ka një moment të duhur për të filluar psikoterapi, sepse kur mendoni me “duhet” nuk do ta lejoni veten që të ndihmohet nga procesi terapeutik.

-A duhet të kenë individët një shqetësim të madh për t’iu drejtuar psikoterapisë?

Shumë njerëz presin një shkas për të filluar terapi. E vërteta është se askush nuk ka nevojë për një shkas. Vetë procesi terapeutik do ju drejtojë juve dhe psikoterapistin tuaj në zbulimin e gjërave të reja për veten.

-Keni pasur raste kur personat kanë menduar që psikoterapia mund të zëvendësohet me biseda me miqtë më të mirë?

Psikologu/psikoterapisti nuk është dhe nuk do të jetë shoku/shoqja juaj. Është një profesionist, me të cilin do të zhvilloni një “aleancë terapeutike”. Është ai/ajo që objektivisht do ju ndihmojë që të përmirësoni mënyrën tuaj të funksionimit dhe të synoni vetëpër-mirësimin tuaj.

-A kanë frikë individët të nisin seancat me psikoterapistin? Pse vjen kjo frikë?

Psikoterapia nuk është diçka për t’u frikësuar. Ajo çfarë i frikëson zakonisht njerëzit është vetja e tyre dhe fakti se ata mendojnë se do ndryshojnë. A ka dhuratë më të madhe sesa mospërsëritja e gabimeve të së kaluarës?

-Sa shpesh duhet të realizohet takimi me psikoterapistin/en?

Kjo është një çështje për t’u diskutuar me terapistin/en tuaj. Në sesionin e parë ai/ajo do t’ju kërkojë që të përcaktoni së bashku qëllimin e terapisë dhe të projektoni rrugëtimin drejt këtij qëllimi.

-Ka raste kur personat kanë shkuar më përpara në një psikolog, por tani e ndjejnë se kanë nevojë të rifillojnë terapinë. A është e logjikshme që të krahasohet psikologu i vjetër me të riun?

Nuk ka arsye për t’u ndjerë në faj për këtë. Nëse keni vendosur që të ndryshoni terapistin tuaj, duhet kohë për t’u mësuar dhe për të gjetur mënyrën e komunikimit me terapistin e ri. Është e logjikshme që në fillim të ndjeni parehati, të krahasoni dhe të ndjeni se nuk doni t’ia nisni nga fillimi. Është një formë mbrojtjeje dhe rezistence.

-A ekziston frika e para-gjykimit nga njerëzit e afërt apo komuniteti përreth në momentin që një individ vendos të shkojë te psikologu?

Nëse ndjeni se keni nevojë për ndihmë, nuk duhet t’ju shqetësojnë mendimet e të tjerëve. Psikoterapia është një dhuratë që ia bëni vetes.

-Çfarë karakteristikash duhet të ketë psikologu/a që të ofrojë besueshmërinë e nevojshme te pacienti?

Për secilin prej nesh karakteristikat e terapistit/es së vet janë unike. Çfarë duhet të keni në mendje është krijimi i “aleancës terapeutike” dhe ndjesia se mund të keni besim tek ai/ajo dhe se mund t’ju ndihmojë. Terapisti juaj është një profesionist që i nënshtrohet një kodi etik, për këtë arsye është dikush i besueshëm që do t’ju shoqërojë në rrugëtimin tuaj psikoterapeutik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat