Fruthi preku sivjet fëmijët në Kosovë, mirëpo gjendja nuk është alarmante

Shëndetësia

Fruthi preku sivjet fëmijët në Kosovë, mirëpo gjendja nuk është alarmante

Më: 2 maj 2019 Në ora: 18:24
Foto ilustrim

Gjatë tre muajve të parë të vitit 2019, në Kosovë janë shënuar tetë raste të reja me fruth. Gjashtë raste janë trajtuar në Infektivën e QKUK’së si dhe dy raste të tjera në spitalin e Gjilanit. Këto janë të dhënat që drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani i ka dhënë për Express. Ai thotë se Kosova këtë vit nuk është e rrezikuar nga ndonjë epidemi e fruthit.

Gjendet vetëm disa kilometra larg Kosovës. Por shteti fqinj, Maqedonia e Veriut ka javë që e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme sa i përket fruthit. Kjo sëmundje në Maqedoni tashmë ka marrë përmasat e epidemisë.

Por në Kosovë, gjendja sipas infektologëve është krejt ndryshe nga ajo në Maqedoni. Në gjithë vendin, në bazë të të dhënave të Klinikës Infektive, në tre muajt e parë të këtij viti janë shfaqur vetëm 8 raste.

Detaje për këto raste i dha GE, infektologu Ramadani.

“Unë besoj që vendi jonë nuk do të ballafaqohet me situatë epidemiologjike. Nga janari e deri më sot klinika Infektive ka regjistruar gjashtë raste më fëmijë me sëmundjen e fruthit. Kishim raste nga Malisheva, Fushë Kosova, Ferizaj e Lipjani. Moshat janë kryesisht të reja”, tregon doktori.

Ai thotë se asnjëri nga këto raste nuk kanë qenë të vaksinuara.

“Këto raste kanë mundur të paraqiten ngase nuk kanë mundur që të paraqiten në kalendarin e vaksinimit.

Të gjitha këto raste kanë qenë të paraqitura në klinikën tonë. Këto pra janë raste sporadike. Mund t’i kemi edhe disa raste edhe në muajin që vjen”, thotë Ramadani.

E ndërkohë gjatë vitit të kaluar Kosova u përballë me situatë të ndjeshme sa i përket fruthit.

Mbi 2 mijë kosovarë u prekën duke bërë që dy persona, një fëmijë dhe një djalë 37-vjeçar të vdesin.

“Në qershor të vitit 20017 dhe në vitin 2018, gjendja me epideminë e fruthit ka qenë e rëndë. Në klinikën tonë ka pasur shumë raste që i kemi trajtuar. Dy persona nga 2 mijë e më shumë kanë përfunduar me vdekje. Një fëmijë si dhe një person tjetër rreth 37-vjecar nga Lipjani kishte ndërruar jetë”, ka treguar drejtori i Klinikës së Infektivës.

Kujtojmë se në Kosovë ekziston ligji që i obligon prindërit t’i vaksinojnë fëmijët e tyre deri në moshën 18 vjeçare. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Kosova tashmë ka arritur shkallën mbi 95 për qind të vaksinimit.

Fruthi është një sëmundje virale infektive që nganjëherë mund të çojë në komplikime të rënda shëndetësore, përfshirë infeksionet në mushkëri dhe tru. Sëmundja thuhet se mund të parandalohet krejtësisht nëse merren vaksinat e duhura në kohë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat