Studiuesit gjermanë thonë se kanë zbuluar një substancë që lufton kancerin, priten testimet

Shëndetësia

Studiuesit gjermanë thonë se kanë zbuluar një substancë që lufton kancerin, priten testimet

Më: 8 maj 2019 Në ora: 20:22
Ilustrim

Sipas studiuesve është zbuluar një substancë e cila bën qelizat e kancerit brenda laboratorit që të shuhen. Tani, ata presin që ta testojnë këtë substancë, ku sipas tyre do të hulumtohet nëse funksionon edhe jashtë laboratorit.

Studiuesit gjermanë kanë zbuluar në sipërfaqen e limfomave një kompleks proteinash që dëmton qelizat kanceroze. Përdorimi i saktë i mekanizmit në sipërfaqen e qelizave të kancerit, çon në vdekjen e tyre.

Nuk është ende e qartë se përse qelizat e kancerit e kanë lënë të hapur këtë “derë”. Megjithatë, studiuesit e Universitetit të Bonit dhe kolegët e tyre në kompaninë amerikane Caris Life Sciences kanë zbuluar çelësin e kësaj dere, të ashtuquajturin aptamer. I përdorur siç duhet, ai bëhet fatal për qelizat e kancerit.

Aptameret janë sekuenca të shkurtra të ADN-së që – varësisht nga radhitja e njësive ndërtimore gjenetike (nukleotide) – mund të kombinohen në forma të ndryshme. Gunter Mayer, profesor i biologjisë kimike në Universitetin e Bonit dhe kolegët e tij kanë zbuluar pikërisht aptamerin e duhur.

Studiuesit duan të studiojnë tani se përse qelizat kanceroze mbajnë mbi sipërfaqen e tyre proteina që shkatërrojnë vetë qelizën. Për këtë ka disa teori. Mayer thotë se kjo mund të vijë nga fakti që proteinat përdoren për të komunikuar me qelizat e tjera dhe për të përhapur tumorin. Derisa të qartësohet, se a mund të përdoren aptameret edhe në terapinë e trajtimit të tumorit, hulumtuesit do të kenë shumë për të bërë.

“Deri tani ne i kemi testuar aptamerët vetëm në laborator”, thotë Meyer. Por ne duhet të testojmë tani se a kanë efekt këto fragmente ADN-je edhe mbi limfomat në trupa me jetë. Pra, në vitet e ardhshme ata do ta testojnë substancën te minjtë. Veç kësaj, duhet gjejnë edhe mënyrën e dhënies së medikamentit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat