Pacientët që kanë probleme zemër nuk do të presin më për operacione

Shëndetësia

Pacientët që kanë probleme zemër nuk do të presin më për operacione

Më: 14 korrik 2019 Në ora: 16:28
Foto ilustrim

Pacientët që kanë probleme shëndetësore me zemër nuk do të kenë nevojë të jenë në listat e pritjes, siç ka ndodhur ndër vite, thonë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Deri te një konstatim i tillë, ata vijnë pasi që Klinika e Kardiokirugjisë me Kardiologji Invazive ka filluar të funksionojë me dy salla operative.

Funksionalizimin e sallave e ka mundësuar edhe angiografi (aparat i cili zbulon ngushtimin e enëve të gjakut) i ri, i cili vite më parë është blerë nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, por që për çështje teknike nuk është sjellë nga Austria në Kosovë për disa vjet.

Tefik Bekteshi drejtor i Klinikës së Kardiologjisë Invazive dhe Kardiokirurgjisë, i tha Radios Evropa e Lirë se tashmë ka filluar edhe programi për trajtimin e infarktit akut brenda 120 minutave. Ky projekt ka për qëllim uljen e vdekshmërisë së pacientëve që përjetojnë sulm në zemër, apo infarkt akut të miokardit.

“Është program i menduar gjatë dhe tani kemi filluar tashmë në rajonin e Prishtinës. Do të zgjasë gjashtë muaj dhe më pas do të shtrihet në tërë Kosovën. Gjatë kësaj kohe do të shohim nëse ka ndonjë mangësi dhe të përgatitemi nëse ka ndonjë mangësi. Infarkti akut i miokardit ka vdekshmëri të lartë dhe nëse nuk menaxhohet jep invaliditet të lartë”.

“Dy orët e para janë ideale për një trajtim të duhur. Shpresoj që vitin e ardhshëm e gjithë Kosova do ta ketë mundësinë që në dy orët e para ta kenë mundësinë e rekanalizimin e infarktit të miokardit, dhe ta kemi nën mbikëqyrje gjithë popullatën”, tha Bekteshi.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën e Kardiologjisë Invazive, shkalla e vdekshmërisë brenda spitaleve është rreth 4 për qind. Kjo, sipas Bekteshit, është shkallë e krahasueshme me vende të zhvilluara në gjithë botën.

“Vdekshmëria është rreth 4 për qind nga kjo sëmundje, por unë po flas për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ,përkatësisht Klinikën e Kardiologjisë Invasive dhe përputhet me rezultatet e qendrave botërore. Sa i përket gjithë Kosovës, nuk ka statistika të sakta se sa është vdekshmëria”, tha Bekteshi.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu tha se hapja e Kardiologjisë Invazive me dy salla, do të mundësojë që secili pacient i Kosovës me infarkt akut ta ndiejë veten të sigurt që do të marrë trajtimin e duhur, pasi për këta pacientë janë hequr të gjitha procedurat administrative.

“Pacientët do të trajtohen 24 orë në ditë, dhe atë në dy orët e para të sëmundjes ku do të që të jetë, në rrugë apo diku tjetër. Që i ndodh infarkti, pacienti do të shkojë drejt në sallë të operacionit. Mendoj se kjo është arritje e madhe pasi as në regjion nuk e kanë gjitha vendet këtë projekt që ne jemi duke e zbatuar. Pacientët do të jenë përfitues dhe siguria e tyre do të jetë në çdo kohë”, tha Sejdiu.

Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili bëri të ditur trajtimet në zemër u nisën me shërbimin 24-orësh, për të vazhduar me heqjen e listës së pritjes për stentim, vendosja e angiografit të ri dhe tashmë klinika është e rinovuar tërësisht dhe e gatshme që të ofrojë kushte optimale për stentim, koronarografi dhe rehabilitim të pacientëve.

Sidoqoftë, vitin e kaluar janë realizuar 2,517 koronografi, 1,370 procedura për stentime, dhe tek infarkti akut është ndërhyrë në 908 raste.

Përveç kësaj, viti 2018 është përmbyllur me 212 operacione në zemër të hapur në Klinikën e Kardiokirurgjisë, e cila tashmë po funksionon 24 orë shtatë ditë në javë.

Funksionalizimi dhe modernizimi i këtyre shërbimeve shëndetësore brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, është llogaritur i mirëpritur jo vetëm për shëndetin e pacientëve, por edhe buxhetin e tyre, pasi që këto shërbime ata shpesh janë detyruar t’i kërkojnë edhe jashtë Kosovës apo në spitale private, ku çmimet për kategori të caktuara janë të papërballueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat