8 rregulla të forta për të mbajtur trurin në formë të përsosur

Shëndetësia

8 rregulla të forta për të mbajtur trurin në formë të përsosur

Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 13:55
Ilustrim

Hani më pak

Kur ha shumë e rëndon trurin, duke e bërë që të plaket më herët. Ky është konkluzioni i një studimi të kohëve të fundit, i kryer nga studiues të Universitetit Katolik të Romës. Shkencëtari Giovambattista Pani, në krye të ekipit kërkimor, ka identifikuar molekulën Creb1, në gjendje të ruajë freskinë e trurit si dhe të aktivizohet kur hamë më pak. Creb1 hyn në funksion kur sasia e kalorive është e reduktuar edhe me 30% në krahasim me normalen, duke vënë në lëvizje një seri mekanizmash mbrojtës të trurit, ku janë të përfshirë gjenet e kujtesës, të të mësuarit, të jetëgjatësisë dhe kontrollit të ankthit.

2. Më shumë seks

Aktiviteti seksual rrit aftësitë e intelektit dhe nxit zhvillimin e neuroneve të reja, qelizat e indeve nervore në hipokampus, pjesa më e thellë e trurit. Duke analizuar aftësitë e intelektit tek kaviet e lëna të lira që të çiftohen përditë, në krahasim me ato, të cilave u ishte kufizuar aktiviteti seksual një herë në javë, studiuesit e Universitetit amerikan të Merilendit kanë vërejtur se kush bënte më shumë seks, kishte më shumë neurone, e si pasojë më shumë lidhje në tru, në ato zona të trurit ku ndodhen kujtesa dhe funksione të tjera të rëndësishme.

3. Më shumë kos

Fermentet e qumështit, e sidomos Lactobacillus rhamnosus, të pranishëm tek kosi mund të përmirësojnë funksionimin e trurit. Eshtë një prej zbulimeve të fundit të arritur pas studimeve mbi mikrobiomën njerëzore, pra ajo tërësi bakteresh dhe mikro-organizmash që popullojnë organizmin tonë, e në mënyrë të veçantë ata që jetojnë në brendësi të zorrëve, ku formojnë florin intestinal. Studimet kanë nxjerrë në dritë se këta mikro-organizma lëshojnë shumë substanca, mes të cilave pararendëset e dopaminës, serotoninës dhe GABA-s, acidi amino butirik, që kanë një rol shumë të rëndësishëm në kontrollin në tru të gjendjeve të depresionit dhe ankthit.

4. Reduktim sheqernash

Shkencëtarët janë gjithmonë e më të bindur: një teprim me sheqerin, dëmton organizmin dhe kufizon efektshmërinë e trurit. Fernando Gomez-Pinilla, neuroshkencëtar në Shkollën e Mjekësisë Ucla David Geffen, në SHBA, ka sqaruar se një dietë e pasur me sheqer mund të dëmtojë, me kalimin e kohës, aftësitë e trurit, duke dobësuar kujtesën dhe aftësinë për të kuptuar. Në fakt, sipas studimit, sheqeri me tepri, që e marrim përmes pijeve dhe ushqimeve të sheqerosura, do të ngadalësonte efektshmërinë e transmetimit të impulsit nervor në nivel sinaptik, ose më saktë pikërisht aty ku ndodh komunikimi mes neuroneve, si dhe do të dëmtonte aftësitë e përgjithshme njohëse të trurit.

5. Lexim

Një lexim i pasur dhe me shumëllojshmëri, si për shembull ai i një romani të bukur, lejon aktivizimin dhe stërvitjen e më shumë zonave trurit në mënyrë të njëkohshme. Duke vëzhguar përmes rezonancës manjetike aktivitetin e trurit gjatë leximit të një romani, një ekip studiuesish amerikanë dhe kanadezë ka mundur të konstatojë se si, në bazë të tipologjisë së romanit, aktivizohen zona të caktuara të trurit, në vend të zonave të tjera. Kështu, leximi i një libri fantastiko-shkencor përfshin mbi të gjitha amigdalën, e zonën ku ndodhen qendrat e të parit dhe të folurit, ndërkohë që leximi i një libri me përmbajtje sociale aktivizon korteksin parafrontal, ku e kanë qendrën mendimet abstrakte. 

6. Gjysmë gote verë e kuqe

Disa substanca të pranishme tek vera e kuqe mund të favorizojnë mirëmbajtjen e indeve nervore. Flavonoidët dhe resveratroli, që gjenden me bollëk në kokrrën e rrushit, prej ku varet ngjyra e kuqe e errët e verës, kanë një efekt antioksidues: kësisoj, ngadalësojnë plakjen e neuroneve dhe qelizave. Edhe etanoli, nëse merret në doza të vogla, rrit sasinë e gjakut në tru dhe si pasojë edhe funksionet e përgjithshme. Por kujdes me teprimin. Alkooli dhe sheqernat që merren me verën kanë pasoja negative në funksionimin e sistemit nervor qendror.

7. Aktivitet fizik

Mjafton edhe një shëtitje me ecje të shpejtë 30 minuta në ditë për të ruajtur në nivele të mirë përqëndrimin e Bdnf, faktori neurotrofik i trurit, një proteinë speciale që i përket grupit të neurotrofinave, substanca në gjendje që të veprojnë mbi neurone të caktuara të trurit, duke favorizuar mbijetesën e tyre, apo zhvillimin dhe rritjen. Studime të ndryshëm të kohëve të fundit kanë nxjerrë në dritë se sa shumë aktiviteti fizik ka një efekt pozitiv mbi kujtesën dhe arsyetimin. Duke bërë aktivitet sportiv, organizmi prodhon sasi më të mëdha Bdnf-je, që stimulon mbi të gjitha aktivitetin e trurit në hipokampus, ku e kanë qendrën kujtimet dhe mendimi.

8. Kurim i plagëve dhe inflamacioneve

Një ekip studiuesish i universiteteve suedeze të Lundit dhe Solnas, në bashkëpunim me Universitetin e Seviljes, kanë zbuluar se plagët dhe inflamacionet, bashkë me ato të brendshme, mund të jenë të dëmshme për trurin. Inflamacioni, që është një reagim i natyrshëm i sistemit tonë imunitar kundër agresioneve të jashtme (agjentë fizikë, kimikë e biologjikë), nëse është i shpeshtë e i zgjatur në kohë, mund të përkeqësojë simptomat e Alzhaimerit dhe Parkinsonit. Sidomos receptorët TLR4 dhe galectin-3, të rëndësishëm në aktivitetin e sistemit imunitar, kanë një rol në dëmet e shkaktuar në tru prej këtyre sëmundjeve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat