Mungesa e gjumit mund të ndryshojë ndjeshmërinë ndaj dhimbjes - Bota Sot
Mungesa e gjumit mund të ndryshojë ndjeshmërinë ndaj dhimbjes

Shëndetësia

Mungesa e gjumit mund të ndryshojë ndjeshmërinë ndaj dhimbjes

Më: 22 janar 2020 Në ora: 20:55
Ilustrim

Bota duket më e bukur pas një nate të mirë gjumi. Por, ndodh e kundërta kur gjumi ndrëpritet shpesh. Mungesa e gjumit e bën më të vështirë të mendosh dhe më të lehtë që jesh në ankth dhe i irrituar. Në terma afatgjatë, mungesa e gjumit rrit riskun për obezitet, tension të lartë të gjakut, diabet dhe madje dhe vdekje të parakohshme.

Por përveç problemeve të mësipërme mungesa e gjumit mund t’ju bëjë më të ndjeshëm ndaj dhimbjes, sipas një studimi të publikuar në revistën “The Journal of Neuroscience”.

Studiuesit zbuluan se gjumi i keq ndërhyn në disa qendra të caktuara të dhimbjes në tru dhe mund të ndryshojnë se si një person e percepton dhe reagon ndaj parehatisë dhe dhimbjes.

Në studim, shkencëtarët skanuan trurin e 25 të rriturve të shëndetshëm në dy situata gjumi: fillimisht, pasi ata kishin fjetur për tetë orë dhe përsëri pasi u mbajtën zgjuar për 24 deri në 48 orë. Gjatë të dy skanimeve, mbi ata u ushtrua një nxehtësi e parehatshme në këmbët e tyre.

Skanerat treguan se kur grupi kishte mungesë të gjumit, ata kishin një rritje prej 120% të aktivitetit në korteksin somatosensor, zona e trurit që interpreton se si ndihet dhimbja. Kjo do të thotë se kufiri i dhimbjes së tyre ishte më i ulët sesa kishte qenë kur ata kishin bërë 8 orë gjumë.

Kur grupi kishte mungesë gjumi, ata kishin gjithashtu një rënie pre 60% – 90% të aktivitetit në striatum dhe insula, dy zona të trurit që kur aktivizohen zakonisht zvogëlojnë perceptimin e dhimbjes. Studiuesit theksuan se mungesa e gjumit e bën trupin më pak të qëndrueshëm dhe se njerëzit që vuajnë nga dhimbja e shpeshtë mund të përfitojnë nga përmirësimi i gjumit të tyre.

Në një studim tjetër hulumtuesit zbuluan se edhe ndryshime më të vogla në kualitetin e gjumit, të ngjashme me zgjimin në mënyrë të përsëritur gjatë natës, lidhen gjithashtu me dhimbjen gjatë ditës së ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat