Pse çdo natë duhet pirë një gotë ujë para gjumit?

Shëndetësia

Pse çdo natë duhet pirë një gotë ujë para gjumit?

Më: 1 shkurt 2020 Në ora: 21:45
Foto ilustrim

Pirja e ujit para gjumit ka shumë përfitime, që nga mbajtja e organizmit të shëndetshëm dhe të hidratuar, deri në pastrimin e puçrrave të fytyrës. Uji përmban minerale shumë të vlefshme dhe ushqyes, për të cilët trupi ka nevojë për të funksionuar si duhet. Pirja e ujit para gjumit është një nga mënyrat më të mira për të ndihmuar trupin të ruajë ushqyesit dhe mineralet që ju duhen.

Përfitimet e hidratimit të trupit

Të pini një gotë uji para se të shkoni në shtrat, ndihmon trupin të plotësojë sasinë e lëngjeve që humbet gjatë gjithë ditës nga aktiviteti normal. Trupi përbëhet kryesisht nga uji, kështu që duhet ta mbani të hidratuar në mënyrë që të funksionojë si duhet. Për faktin se trupi në gjumë nuk është duke punuar ashtu si gjatë ditës, ai nuk ka nevojë që të nxjerrë aq shumë lëngje. Kur i siguroni trupit ujë para se të shkoni shtrat, ai thjesht rimbushet me ujë në nivelin e nevojshëm.

Përfitimet në djegien e kalorive të tepërta

Uji është një djegës natyral kalorish. Mund të keni dëgjuar të thuhet se të pish një gotë ujë me akull është një mënyrë e mirë për të djegur kalori dhe ndihmon të humbisni në peshë. Edhe pse kjo nuk është e vërtetë për gjithkënd, ka shumë të vërteta në këtë thënie. Kur pini ujë të ftohtë, trupi ka nevojë të punojë dyfish për t’u ngrohur, ndërkohë që do të rrisë metabolizmin. Për shkak se nuk po merrni kalori shtesë, ai do të fillojë të djegë kaloritë e tepërta që tashmë keni.

Përfitimet për një gjumë cilësor

Balancimi i vitaminave, ushqyesve dhe mineraleve në trup bëhet në mënyrë të natyrshme kur pini ujë, duke bërë edhe që organizmi të funksionojë si duhet. Duke pirë ujë para se të flini, hormonet, nivelet e energjisë, muskujt dhe kyçet gjejnë balancën e duhur. Kjo ju ndihmon të relaksoheni dhe të ndiheni i rilindur në mëngjes. Ndërsa flini, uji ka kohë të arrijë çdo pjesë të trupit dhe ta rivitalizojë atë plotësisht. Me kalimin e kohës, do të jeni në gjendje të flini më mirë dhe duke pirë ujë vazhdimisht para gjumit do ta ndjeni se trupi juaj është në harmoni, duke përfshirë muskujt dhe nivelin e vitaminave dhe mineraleve.

Përfitimet në pastrimin e organizmit

Një nga përfitimet më të mira të ujit të pijshëm është se vepron si një pastrues natyral. Trupi thith shumë toksina nga ushqimi, nga mjedisi etj. Pastrimi i tij në mënyrë të vazhdueshme do të ndihmojë që ta mbani të shëndetshëm dhe do të bëjë që organizmi të funksionojë mirë. Pirja e ujit para se të shkoni në shtrat do t’i sigurojë trupit tuaj pastruesin (ujin) dhe kohën e nevojshme për të pastruar sistemin nga toksinat e padëshiruara. Trakti i tretjes, muskujt dhe madje edhe lëkura përftojnë nga ky proces pastrimi. Ju do të ndiheni më mirë, do të humbisni në peshë më shpejt dhe do të keni më shumë energji gjatë ditës.

Së bashku me të gjitha të mirat normale shëndetësore të ujit të pijshëm, thjesht duke pirë një gotë para gjumit çdo natë mund të ketë një efekt të madh dhe pozitiv. Ju do të flini më qetë, do të jeni më vigjilent gjatë ditës, do të tretni më lehtë ushqimin, do të humbisni lehtësisht në peshë dhe do të ndjeheni padyshim më mirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat