Cilat janë efektet e koronavirusit tek shtatzënat? - Bota Sot
Cilat janë efektet e koronavirusit tek shtatzënat?

Shëndetësia

Cilat janë efektet e koronavirusit tek shtatzënat?

Më: 25 mars 2020 Në ora: 07:11
Foto ilustrim

“Deri më tani nuk duket të ketë prova të transmetimit të koronavirusit nga nëna shtatzënë tek fetusi, ashtu sikundër nuk ka prova të transmetimit të virusit në trajtimin e fekondimit të asistuar”.

Kështu thuhet në një deklaratë për mediat nga doktoresha italiane Daniela Galliano, drejtore shëndetësore me seli në Romë të Istituto Valenciano di Infertilità.

Por sipas saj duhet kujdes, pasi të dhënat e disponueshme deri më tani janë të limituara.

Sipas një studimi të fundit të botuar në revistën shkencore “Lancet” ku u analizuan 9 gra të prekura nga COVID-19, karakteristikat klinike të grave shtatzëna janë të njëjta me ato që shfaqin pacientët e tjerë të rritur, por jo të rënda.

“Po sipas këtij studimi, u analizua mundësia e transmetimit nëpërmjet mitrës i virusit, duke analizuar lëngun abiotik dhe gjakun e kordonit ombelikal dhe transmetimi nuk rezultoi të kishte ndodhur”, thotë mjekja.

Po ashtu sipas Institutit Italian të Shëndetësisë, deri më tani nuk duket të ketë të dhëna të sigurta që të tregojnë përhapjen e virusit nëpërmjet qumështit të nënës.

Megjithatë doktoresha Galliano thotë se duhet mbajtur parasysh gjithmonë fakti se disa infeksione, si për shembull ato të traktit respirator, janë gjithsesi të rrezikshme për një grua shtatzënë, shkruan noa.al.

Kësisoj këshillohet që gratë shtatzëna të jenë të kujdesshme dhe të ndjekin udhëzimet e dhëna gjatë kësaj periudhe si larja e shpeshtë e duarve me ujë dhe sapun, ose me dezinfektues me bazë alkoolin, ruajtja e distancës minimumi 1 metër nga personat e tjerë, si dhe të mos preket fytyra, sytë, hunda apo goja me duar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat