Koronavirusi dhe dielli: Një mësim nga pandemia e gripit spanjoll

Shëndetësia

Koronavirusi dhe dielli: Një mësim nga pandemia e gripit spanjoll

Më: 8 prill 2020 Në ora: 09:13
Ilustrim

Kur shfaqen sëmundje të reja, viruse, të tilla si SARS dhe Covid-19, bota fillon shpikë vaksina dhe të gjejë trajtime të reja për ata që preken. Ndërsa ndodhemi në krizë, qeveritë po zbatojnë karantinën dhe kanë ndaluar tubimet publike.

Zyrtarët shëndetësorë patën të njëjtën qasje 100 vjet më parë, kur gripi spanjoll po përhapej në të gjithë botën. Rezultatet ishin të përziera, por të dhënat nga pandemia e 1918 sugjerojnë se disa nga teknikat e asaj kohe, ishin efektive. Disa përvoja të fituara nga pandemia më e madhe e regjistruar në histori, mund të na ndihmojnë në javët dhe muajt në vazhdim.

Thënë thjesht, mjekët zbuluan se pacientët e sëmurë rëndë, shëroheshin më shpejt kur trajtoheshin jashtë sesa kur trajtoheshin brenda. Kombimini i ajrit të pastër dhe rrezeve të diellit kanë parandalur vdekjen e shumë pacientëve, përfshirë këtu dhe punonjës të ekipit mjekësor. Kërkimet tregojnë se ajri i natyrës është një dezinfektant natyror. Ajri i freskët mund të vrasë virusin e gripit dhe mikrobet e tjera të dëmshme. Edhe rrezet e diellit vrasin mikrobet dhe virusin e gripit.

Trajtimi në qiell të hapur, 1918

Gjatë pandemisë së madhe, dy nga vendet më të këqija ku mund të ishe, ishin kazermat dhe anijet ushtarake. Mbipopullimi dhe ventilimi jo i mirë, vunë jetën e ushtarëve dhe marinarëve në rrezik të lartë për kapjen nga gripi dhe infeksione të tjera. Ashtu si me shpërthimin e tanishëm Covid-19, shumica e viktimave të të ashtuquajturës “gripi spanjoll” nuk vdisnin nga gripi, por nga pneumonia dhe komplikime të tjera.

Kur pandemia arriti bregdetin lindor të Shteteve të Bashkuara më 1918, Boston u godit më keq dhe u ngrit një spital urgjent. Rastet më të këqija u shënuan mes marinarëve në një anije në portin e Bostonit. Zyrtari mjekësor i spitalit kishte vërejtur se marinarët më të sëmurë kishin qenë në hapësira të ajrosura keq. Kështu ai u dha atyre sa më shumë ajër të pastër të ishte e mundur duke i futur në tenda. Dhe në mot të mirë i nxirrnin në diell. Në këtë kohë, ishte zakon që të vendoseshin jashtë, ushtarët e sëmurë. Terapia në ajër të hapur, siç dihej, ishte përdorur gjerësisht nga Fronti Perëndimor. Ishte dhe mënyrë për trajtimin e turbekulozit.

Pacientët ishin vendosur jashtë në shtretërit e tyre për të marrë frymë ajër të freskët, në natyrë. Regjimi në qiell të hapur ishte zgjidhja e vetme derisa u zëvendësua me antibiotikë në 1950. Mjekët e Bostonit të cilët e kishin aplikuar këtë terapi në ajër, ishin të bindur që ishte regjim efektiv.

Ajri i freskët është një dezinfektues

Pacientët e trajtuar jashtë kanë më pak të ngjarë të ekspozohen ndaj mikrobeve infektive që janë shpesh të pranishme në spitale. Ne e dimë këtë sepse, në vitet 1960, shkencëtarët e Ministrisë së Mbrojtjes vërtetuan se ajri i pastër është një dezinfektues natyral. Diçka në të, të cilën ata e quajtën Faktori i Qiellit të Hapur, është shumë më i dëmshëm për bakteret, virusin e gripit, sesa ajri brenda. Ata nuk mund të identifikonin saktësisht se çfarë është ky faktor, por gjetën se ishte efektiv si gjatë natës ashtu edhe gjatë ditës.

Rrezet e diellit dhe infeksioni i gripit

Vendosja e pacientëve të infektuar në diell mund të ketë ndihmuar sepse ai çaktivizon viruset e gripit. Ai gjithashtu vret bakteret që shkaktojnë infeksione të tjera në spitale.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, kirurgët ushtarakë përdornin në mënyrë rutinore rrezet e diellit për të shëruar plagët e infektuara. Ata e dinin që ishte një dezinfektues, por nuk e dinin që sintetizonin dhe vitaminën D në lëkurën e tyre kur rrezet ishin të forta.

Nivelet e ulëta të vitaminës D janë të lidhura me infeksione të frymëmarrjes dhe mund të rrisin ndjeshmërinë ndaj gripit. Gjithashtu, ritmet biologjike të trupit tonë duket se ndikojnë në mënyrën sesi ne i rezistojmë infeksioneve. Hulumtimet e reja sugjerojnë se ato mund të ndryshojnë përgjigjen tonë inflamatore ndaj virusit të gripit. Ashtu si me vitaminën D, në kohën e pandemisë së vitit 1918, roli i rëndësishëm që luanin rrezet e diellit në sinkronizimin e këtyre ritmeve nuk ishte i njohur.

Maska për koronavirusin dhe gripin

Maskat kirurgjikale që tani i shihni ngado, janë përdorur edhe 100 vjet më parë, gjatë pandemisë së madhe, për të provuar dhe ndaluar përhapjen e gripit spanjoll. Edhe pse maskat kirurgjikale mund të ofronin një mbrojtje nga infeksioni, sërish mund të fusnin ajër, nuk ishin të puthitura me fytyrën. Kështu që ata nuk filtronin grimcat e vogla të ajrit. Më 1918, kushdo që ishte në spitalin e urgjencës në Boston, i cili kishte kontakte me pacientë, duhej të vishte një maskë të improvizuar. Ajo përbënte pesë shtresa garzë të vendosur në një kornizë teli e cila mbulonte hundën dhe gojën. Korniza ishte formuar për t’u përshtatur me fytyrën e përdoruesit dhe për të parandaluar që filtri i garzës të prekte gojën dhe hundët. Maska zëvendësohej çdo dy orë; e sterilizuar siç duhet dhe me garzë tjetër. Ato ishin pararendëse të maskave N95 që përdoren sot.

Spitalet e përkohshme

Stafi në spital, i cili mbante standarde të larta të higjienës personale dhe mjedisore, ndihmoi në uljen e rasteve. Shpejtësia me të cilën u ngrit spitali i tyre dhe objektet e tjera të përkohshme në qiell të hapur, për të përballuar numrin e lartë të pacientëve me pneumoni, ishte një faktor tjetër që ndihmoi. Sot, shumë vende nuk janë të përgatitur për pandemi të rënda. Nëse vjen një tjetër 1918, ose kriza Covid-19 përkeqësohet, historia këshillon se vendet duhet të kenë tenda dhe reparte të para-fabrikuara, për të mbajtur të infektuarit. Ajri i pastër dhe rrezet e diellit mund të ndihmojnë gjithashtu./Përshtati nga Medium.com, Enkeleda Bodini-dritare.net

(Dr. Richard Hobday është një studiues i pavarur që punon në fushat e kontrollit të infeksionit, shëndetit publik dhe dizajnit konstruktiv. Ai është autori i ‘The Healing Sun’).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat