Puna me fëmijët me autizëm brenda ambientit shtëpiak

Shëndetësia

Puna me fëmijët me autizëm brenda ambientit shtëpiak

Më: 22 prill 2020 Në ora: 06:46
Foto ilustrim

Jo rrallëherë janë shtruar pyetjet se si të menaxhohet puna me fëmijët me çrregullim të spektrit të autizmit brenda shtëpisë dhe se a është cilësore puna brenda ambientit shtëpiak?

Në gjendje pandemie, të gjithë qytetarët janë rekomanduar të qëndrojnë brenda ambientit shtëpiak me qëllim që të parandalohet përhapja e sëmundjes COVID19

Mbyllja brenda shtëpisë padyshim që ka ndikuar që të braktiset rutina e cila është vendosur dhe mirëmbajtur me qëllim të realizimit të detyrimeve tona, ndërkohë që ekspozimi i vazhdueshëm ndaj të dhënave për gjendjen shëndetësore të qytetarëve, është duke na dhënë ankth të vazhdueshëm dhe pasiguri.

Jo vetëm të rriturit janë duke kaluar moment të vështira, fëmijët poashtu, e në veçanti fëmijët me çrregullimin e autizmit.

Tani mund të jetë momenti më i përshtatshëm për të filluar të punoni me komunikimin shprehës të fëmijës tuaj.

Fëmija nuk do të komunikojë nëse ka qasje në të gjitha objektet të cilat i zgjojnë interes, apo ndoshta mund të jetë stili i prindërimit ku kujdesi i tepër për të mënjanuar të gjitha pengesat është i aplikuar nga prindi, atëherë poashtu nuk provokohet komunikimi shprehës i fëmijës.

Filloni duke i larguar objektet që për fëmijën zgjojnë interes (lodrat) në mënyrë që fëmija të kuptoj se ku ato gjenden dhe se për të arritur deri tek ato, nevojitet ndihma juaj. Ndërkohë kur i ofroni fëmijës një objekt, mund të përsërisni fjalën, kërkesën AMA, ku pason dhënia e objektit, dhe përforconi këtë fjalë duke i ofruar fëmijës objektin që dëshiron, pra si hap i parë.

Është rregull të fillohet me atë që fëmija tregon interes të theksuar sepse në punën me fëmijën, përforcuesit janë jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ka qasje të ndryshme që mund të përdoren për të stimuluar komunikimin, por këto janë ndër veprimet bazike të cilat mund t’i kenë parë gjatë kohës kur psikologu ka punuar me fëmijën i cili ka pranuar shërbime stimulimi.

Provoni të mbanë objektet përforcuese pranë fytyrës tuaj në mënyrë që të nxitet kontakti me sytë.

Fëmijët me çrregullim të spektrit të autizmit padyshim që janë më të ndjeshëm ndaj ndërrimeve dhe si rrjedhojë rutina e tyre është thyer.

Në këto rrethana prindërit mund të vërejnë se fëmija i tyre mund të aplikoj sjellje të cilat përsëriten dhe nuk kanë një qëllim. Ato mund të jenë të ndryshme dhe çdo prind i raporton ato në mënyrën e veçantë. Në rastet kur ato ndodhin, kjo është një shenjë që fëmija nuk është duke u ndier rehat.

Provoni të realizon kontakt fizik më fëmijën, ndërkohë mund t’i ndërroni pozitën në mënyrë që për pak kohë të ndalohen sjelljet. Mos i ofroni fëmijës lodrën për t’i ndaluar sjelljen, sepse në këtë mënyrë ju mund ta përforconi këtë sjellje.

Provoni të vendosni lojë ndërvepruese me fëmijën në mënyrë që të ngritën shkathtësitë sociale.

Fëmijët me çrregullim të spektrit të autizmit zakonisht mund të mos tregojnë interes për lodra apo lojë ndërvepruese, andaj kërkohet kreativitet për t’i nxitur këto shkathtësi.

Provoni të përfshini sa më shumë emocione në këtë veprim në mënyrë që ky ndërveprim të jetë kualitativ, sepse fëmijët me autizëm mund të përfitojnë edhe në aspektin emocional përmes ndërveprimit me të tjerët, pra fillimisht duke e vendosur kontaktin me sytë e me pas duke i imituar shprehjet emocionale të shprehura në fytyrën e tjetrit.

Duke pas parasysh se aktivitetet shpesh duhet ndërruar, kjo do të ndihmojë që edhe prindërit të mos ndjehen të shqetësuar lidhur me çështjet lidhur me situatën me virusin COVID19, por ndërkohë fëmija mund të ndjehet më i angazhuar dhe kjo do të ndihmojë që qëndrimi brenda shtëpisë për kohë të gjatë, mos të ndërlidhet me emocione jo të këndshme pas së cilave fëmijët mund të realizojnë tantrume (shpërthime emocionale përmes vajit dhe me raste edhe sjellje agresive).

Prindërit fëmijët e të cilëve pranojnë shërbime psikologjike, ata duhet të kenë pranuar një plan nga psikologu i cili ka punuar me fëmijën, i përshtatur për zbatim në kushte shtëpie.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme për prindërit ta zbatojnë këtë plan në mënyrë që mos të ketë shkëputje të fëmijës nga trajtimit dhe ndërkohe për të evituar ndonjë regres të mundshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat