Dita Ndërkombëtare e Joga-s

Shëndetësia

Dita Ndërkombëtare e Joga-s

Më: 21 qershor 2020 Në ora: 08:01
Ilustrim

Data 21 qershor është shpallur si Dita Ndërkombëtare e Joga-s nga Kombet e Bashkuara, më 11 dhjetor 2014 me anë të Rezolutës 69/131, duke njohur vlerat e saj universale.

Joga është një praktikë e lashtë fizike, mendore dhe shpirtërore që e ka origjinën nga India. Fjala “Joga” rrjedh nga një gjuhë e lashtë si sanskrishtja, dhe kuptimi i saj është të lidhësh/bashkosh, që simbolizon bashkimin e trupit dhe ndërgjegjjes.

Sot kemi forma të ndryshme të praktikimit të Joga-s në gjithë botën, dhe popullariteti i kësaj praktike është në rritje.

Dita Ndërkombëtare e Joga-s ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e popullsisë së globit në lidhje me përfitimet e praktikimit të Joga-s.

Qëllimi i Joga-s është të krijojë forcë, vetëdije dhe harmoni, si në mendje ashtu dhe në trup. Ndërkohë që ka më shumë se 100 lloje ose “shkolla” të ndryshme të Joga-s, shumica e sesioneve tipike përfshijnë ushtrimet për frymëmarrjen, meditimin, ushtrime të caktuara fizike (pozicione të trupit që ndryshe quhen asana, në sanskrisht) të cilat tërheqin dhe tkurrin grupe të caktura të muskujve të trupit.

Përfitimet fizike

Teknikat e relaksimit, të cilat janë pjesë e praktikimit të Joga-s, mund të lehtësojnë dhimbjet kronike, si dhimbja e shpinës, artriti, dhimbjet e kokës, si dhe sindromën “Tuneli Carpal”. Gjithashtu, Joga mund të ulë presionin e lartë të gjakut dhe të përmirësojë problemet e gjumit.

Përfitimet e tjera fizike përfshijnë:

Elasticitet më të mirë

Tonifikim të muskujve dhe rritje të masës muskulore

Përmirësim të frymëmarrjes, energjive dhe vitalitetit

Ruajtje të balancës metabolike

Rënie në peshë

Përmirësim të qarkullimit të gjakut dhe shëndetit kardiovaskular

Përmirësim të performancës fizike/atletike

Mbrojtje nga dëmtimet fizike

Përfitimet mendore

Përveç përfitimeve fizike, një nga përfitimet më të mira të Joga-s është se ndihmon personin që të menaxhojë stresin, i cili ka pasoja të dëmshme për trupin dhe mendjen. Stresi mund të shfaqet në shumë mënyra, duke përfshirë dhimbje të shpinës ose të qafës, probleme të gjumit, dhimbje koke, abuzime me drogën dhe një paaftësi për t’u përqendruar. Joga mund të jetë shumë efektive në zhvillimin e aftësive përballuese dhe në arritjen e realizimit të një këndvështrimi më pozitiv të jetës.

Përfshirja në Joga e meditimit dhe ushtrimeve të frymëmarrjeve mund të ndihmojë në përmirësimin e mirëqenies mendore të individit. Praktikimi në mënyrë të rregullt i Joga-s krijon qartësi mendore dhe qetësi; rrit vetëdijen ndaj trupit; lehtëson dhimbjet kronike; qetëson mëndjen; rrit përqendrimin; ndihmon në identifikimin e hershëm të problemeve fizike dhe mundëson parandalimin nëpërmjet veprimeve paraprake.

8 arsye përse duhet të praktikoni Joga-n :

Redukton stresin dhe përmirëson humorin

Disa metoda të Joga-s përdorin teknika medituese specifike, të cilat fokusojnë mendjen në frymëmarrjen tuaj për të qetësuar “bisedën mendore” që është konstante, lehtëson stresin dhe ju relakson. Praktikimi i këtyre teknikave të frymëmarrjes në seanca të zgjatura mund të rrisin nivelin e oksigjenit në tru, duke ju dhënë ndiesinë e të qenit të lumtur dhe më të kënaqur me jetën tuaj.

Përmirëson vetëbesimin

Përveç rritjes dhe konsolidimit të vlerave shpirtërore, meditimi përmirëson vetëbesimin. Ky proces çtensionon mendjen tuaj duke ju dhënë më shumë vetëbesim për trupin tuaj. Në mungesë të ankthit, ju mund të vendosni një marrëdhënie të brendshme me veten. Kjo, më pas reflektohet në perceptimin që keni për të tjerët, dhe përmirëson marrëdhëniet me ta duke rritur dhembshurinë dhe vetëdijen.

Minimizon mundësitë për dëmtime

Ushtrime si vrapi janë një seri lëvizjesh të forcuara dhe të shpejta, që do të thotë se organizmi sforcohet në maksimum, dhe ekziston një rrezik i lartë për dëmtim dhe tension të lartë muskulor. Shpesh, aktivitetet e sforcuara shpien në disbalanca të grupeve të muskujve të kundërta me njëra tjetrën, ndërsa Joga përqendrohet në balancimin e tyre.

Ndihmon rënien në peshë

Të qenit mbipeshë është një shenjë që tregon se ka mungesë balance në përditshmërinë tuaj, dhe një nga ndikuesit kryesor të saj është stresi i tepërt. Praktikimi i Joga-s ju mundëson që të fitoni një ndjeshmëri më të thellë, të relaksoni trupin dhe mendjen tuaj, ndihmon në largimin e stresit dhe mundëson rënien në peshë në mënyrë natyrale.

Rrit elasticitetin

Shpesh njerëzit thonë se nuk janë mjaftueshëm elastikë për të bërë Joga. Në fakt, nuk është e rëndësishme se sa të tonifikuar janë muskujt tuaj, pasi kryerja e pozave (asana) të Joga-s mundëson tërheqjen e muskujve në mënyrë të sigurt dhe ndihmon praktikimin e tyre në vazhdimësi. Gjithashtu, Joga bën të mundur tërheqjen e muskujve të imët të trupit, si ligamentet, duke rritur gamën e gjerë të lëvizjeve të ligamenteve dhe lëvizje më të lirshme të muskujve të trupit.

Përmirëson tonifikimin dhe fuqizimin e muskujve

Një pjesë e mirë të pozave të Joga-s asana, siç mund të jenë pozicionet “ Downward dog” dhe “upperward dog”, kanë efekt në forcimin e pjesës së sipërme të trupit, ndërsa pozicioni “plank” përqendron muskujt kryesorë të trupit. Pozat e qëndrimit në këmbë forcojnë muskujt e sipërm të këmbëve dhe të fundshpinës. Në përgjithësi, çdo pozë forcon një zonë të trupit nëse praktikimi i saj bëhet ashtu siç duhet, pa sforcuar grupe muskujsh specifikë.

Përmirëson frymëmarrjen dhe presionin e gjakut

Nëse praktikoni Joga në mënyrë të vazhdueshme, kapacitetet e mushkërive tuaj do të rriten si rezultat i procesit të frymëmarrjes së thellë. Kjo do të ketë një efekt pozitiv në praktikimin e sporteve të tjera, duke rritur staminën dhe rezistencën e trupit tuaj. Gjithashtu, meditimi dhe praktikimi i një forme më të qetë të Joga-s ngadalëson rrahjet e zemrës, e cila ul presionin e gjakut duke përmirësuar sistemin imunitar dhe uljen e kolesterolit në gjak.

Përmirëson qëndrimin drejt të trupit

Duke praktikuar Joga, ju mbani një peshë trupore optimale, bëheni më elastikë dhe përmirësoni muskujt duke i tonifikuar dhe fuqizuar. Me kalimin e kohës, do të vini re që pozicioni i trupit tuaj drejt do të përmirësohet. Muskujt e barkut dhe të shpinës mund ta mbajnë plotësisht peshën tuaj trupore, dhe ju do të jeni në gjendje të qëndroni drejt, ulur ose në këmbë, duke parandaluar kërrusjen, dhimbjet në shpinë ose pjesë të tjera të trupit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat