​Ri-infeksionet me koronavirus janë të mundshme, a duhet të shqetësohemi?

Shëndetësia

​Ri-infeksionet me koronavirus janë të mundshme, a duhet të shqetësohemi?

Më: 18 tetor 2020 Në ora: 22:54
Foto ilustrim

Pacienti arriti për testim në Washoe County, Nevada më 18 prill me një dhimbje të fytit, kollë të thatë dhe dhimbje koke, por nuk kishte asnjë arsye shqetësimi. Ai ishte vetëm 25-vjeç, ishte plotësisht i shëndetshëm dhe megjithëse doli pozitiv, ai u shërua shpejt dhe pa vështirësi.

Tridhjetë e pesë ditë më vonë, ai u dërgua me urgjencë në spital, me gulçim dhe temperaturë të lartë. Ai u vu menjëherë në terapi me oksigjen dhe u bë personi i parë në Shtetet e Bashkuara që u konfirmua i ri-infektuar me koronavirus.

Deri më tani, një numër i rasteve të tilla janë raportuar në botë dhe ekspertët thonë se është shumë herët për të nxjerrë konkluzione për një mostër kaq të vogël.

Por mundësia e ri-infektimit, veçanërisht nëse hera e dytë pasqyra klinike është më e rëndë, mund të ketë një ndikim të madh në mënyrën se si qeveritë reagojnë ndaj pandemisë. Për shembull, ideja e marrjes së imunitetit kolektiv për shkak të ri-infektimeve të mundshme bëhet joreale.

"Ri-infeksionet nënkuptojnë që imuniteti i fituar përmes një infeksioni natyror nuk është i përsosur," tha Akiko Iwasaka, një profesor i imunobiologjisë në Yale.

Shkencëtarët që studiojnë rastin Nevada ofrojnë disa shpjegime të mundshme se pse pacienti u infektua dy herë.

Mund të jetë ekspozuar ndaj një doze shumë të lartë të virusit në rastin e dytë, e cila shkaktoi një reagim më të ashpër dhe ka mundësi që të ishte një lloj më virulent i virusit.

Një studim i botuar këtë javë në Lancent citon raste të konfirmuara të ri-infektimit në Belgjikë, Holandë, Hong Kong dhe Ekuador.

Hera e parë është në të vërtetë e dyta?

Frederic Altare, drejtor i Departamentit të imunologjisë në Qendrën Kërkimore të Onkologjisë dhe Imunologjisë Nantes-Angers, thotë se tani për tani, ri-infeksionet nuk duket të jenë një problem i madh "duke pasur parasysh sa njerëz në botë janë të infektuar dhe sa pak janë përsëritjet e provuara".

Por një grup tjetër shkencëtarësh paralajmëron se relativisht kishte pak teste në fillim të pandemisë. Me fjalë të tjera, mund të ketë pasur shumë raste asimptomatike në mars dhe prill që janë testuar si pozitive më vonë gjatë vitit, kur ata u infektuan për herë të dytë, por më pas me simptoma.

Pengesa kryesore në vlerësimin e numrit të ri-infektimeve është fakti që SARS-CoV-2 është, në aspektin epidemiologjik, plotësisht i ri, tha Jeffrey Shaman, një profesor në Shkollën e Shëndetit Publik të Universitetit Columbia.

"Bota është marrë vetëm me këtë virus për disa muaj. Ne nuk e dimë nëse ri-infektimi do të jetë një gjë e zakonshme dhe nëse do të jetë aq e rëndë sa herën e parë," tha ai.

Ndërkohë, shkencëtarët mund të kërkojnë një lidhje midis viruseve të ngjashme. Lia van der Hoek, një eksperte për koronavirusit në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Amsterdamit (UMC), ka studiuar këtë lloj patogjeni për dekada.

Ajo është autorja kryesore e një artikulli të botuar muajin e kaluar në revistën Nature Medicine që heton katër koronavirus të tjerë të njohur që mund të infektojnë njerëzit.

Gjatë 30 vjetëve, dhjetë individë të shëndetshëm u monitoruan të cilët u treguan të infektuar me të njëjtin virus shumë herë. Njëri prej tyre madej 17 herë. "COVID-19 ka të ngjarë të sillet njësoj," tha Hoek për AFP.

Van der Hoek vëren se nuk mund të ketë kurrë një vaksinë të vetme për COVID-19.

"Problemi me antitrupat e koronavirusit është se ato zhduken shpejt dhe ju mund të infektoheni përsëri me të njëjtin lloj. Prandaj, është e mundur që vaksinimi të duhet të përsëritet disa herë," tha Van der Hoek, e cila është shumë pesimiste në lidhje me mundësinë e koronavirusit të ri të zhduket vetë.

"Ai nuk po shkon askund. Nuk ka asnjë mënyrë se si do ta heqim qafe atë. Ai do të qëndrojë me ne për pjesën tjetër të botës," shprehet ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat