Studim / Zbulohet proteina që ndihmon në kurimin e kancerit

Shëndetësia

Studim / Zbulohet proteina që ndihmon në kurimin e kancerit

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 18:41
Ilustrim

Gjatë dekadave të fundit, shkencëtarët kanë shënuar një progres të jashtëzakonshëm në luftën kundër kancerit. Janë zhvilluar trajtime të reja, ndërsa ato ekzistuese janë bërë më efikase, duke sjellë shpëtimin e shumë jetëve njerëzore.

Por sulmi ndaj qelizave kancerogjene dhe parandalimi i shfaqjes së tyre në trupin e njeriut janë dy gjëra shumë të ndryshme. Tani studiuesit nga Universiteti i Kopenhagës në Danimarkë, kanë identifikuar funksionin dhe qëllimin e proteinave specifike brenda qelizave njerëzore, që mund të na ofrojnë një hap të madh përpara në luftën kundër kancerit që përhapet shpejt.

Studimi u botua në revistën “Nature” dhe mund të ketë jo pak ndikim. Një nga punët kryesore të qelizës në trupin e njeriut është të krijojë më shumë qeliza. Procesi i shumëfishimit duket i thjeshtë nën mikroskop. Por në fakt, ai është shumë më kompleks dhe nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet, qelizat që prodhohen mund të dëmtohen ose edhe të vdesin. Disa proteina të caktuara të quajtura proteina të mirëmbajtjes mini-kromozomike (MCM) janë thelbësore në këtë proces.

Shkencëtarët tani po e kuptojnë se si funksionojnë ato dhe si mund të ndihmojnë në luftën kundër kancerit. Siç shpjegojnë shkencëtarët, MCM-të ndihmojnë në menaxhimin e qelizave. Ato kontrollojnë se sa shpejt shumohen, për të parandaluar paqëndrueshmërinë. Nëse qelizat do të lejohen të ndahen sa më shpejt që të jetë e mundur, shanset e gabimeve dhe mutacioneve do të rriteshin në mënyrë dramatike.

Ndërkohë, MCM-të e ndërmjetësojnë këtë proces dhe ruajnë një shpejtësi normale, duke parandaluar dëmtimin e tyre dhe duke lejuar që qelizat të shumohen në qeliza më të shëndetshme.“Ne kemi shumë nga këto proteina MCM brenda qelizave tona. Ne i shihnim ato në mikroskop. Por për dekada, shkencëtarët nuk e dinin se çfarë funksionin kishin në realitet shumica e tyre.

Nga pikëpamja evolucionare, nuk ka kuptim të kesh një tepricë të madhe proteinash vetëm si rezervë, pa ndonjë funksion tjetër të rëndësishëm. Tani ne e kemi zgjidhur këtë “paradoks të MCM”, duke zbuluar se të gjitha këto lloj proteinash në qelizat tona, kanë në fakt një funksion të përcaktuar, thotë Hana Sedlackova, autorja kryesore e studimit.

Por si mund ta luftojnë ato kancerin? Studiuesit vërejnë se një proteinë e quajtur MCMBP, për të cilën ata thonë se vepron si një “kujdestare molekulare” për proteinat, mund të modifikohet për t’ua vështirësuar jetën qelizave kancerogjene.

Thënë thjesht, MCMBP siguron që proteinat MCM të gjejnë rrugën e tyre drejt qelizave,në mënyrë që ato të menaxhohen dhe të ndihmohen të mbeten të shëndetshme. Nëse do të kishte një mënyrë për të parandaluar që proteinat “kujdestare” t’i sigurojnë qelizave kancerogjene të njëjtin avantazh, qelizat kancerogjene do të shumoheshin shumë më shpejt, por me më pak qëndrueshmëri.

Kjo mund të tingëllojë në pamje të parë si diçka e keqe. Por meqë shumimi i paqëndrueshëm, sjell shpesh vdekjen e qelizave apo pamundësinë e tyre për të funksionuar ashtu si qelizat e tyre mëmë, kjo mund të pengojë përparimin e kancerit agresiv.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat