Ajri i ndotur vret gjysmë milioni foshnja në vit në të gjithë botën

Shëndetësia

Ajri i ndotur vret gjysmë milioni foshnja në vit në të gjithë botën

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 17:14
Foto Ilustrim

Raporti i Gjendjes Globale të Ajrit thotë se cilësia e ajrit në ambientet e brendshme shkakton dy të tretat e vdekjeve dhe ndikon në shëndetin e foshnjave të palindura.

Të dhënat tregojnë se ndotja e ajrit vitin e kaluar shkaktoi vdekjen e parakohshme të gati 500,000 (gjysmë milion) foshnjave në muajin e tyre të parë të jetës.

Ekspozimi ndaj ndotësve të ajrit është i dëmshëm edhe për foshnjat në bark (ende të palindura). Këta ndotës mund të shkaktojnë lindje të parakohshme ose lindje nën peshë. Të dy këta faktorë janë shkaktar për vdekshmëri të lartë të foshnjave.

Gati dy të tretat e 500,000 vdekjeve  të dokumentuara ishin të lidhura me ndotjen e ajrit në ambientet e brendshme, veçanërisht nga ndotja që buron nga lëndët djegëse të ngurta si qymyr druri etj.

Ekspertët mjekësorë kanë paralajmëruar vite me radhë për ndikimet e ajrit të ndotur tek njerëzit e moshuar dhe tek ata me probleme shëndetësore, por së fundmi kanë filluar të kuptojnë ndikimin  e lartë në vdekjet e foshnjave të palindura. Hulumtuesit janë ende të paqartë, por një gjë është e sigurtë se kjo ndotje po shkakton problem të mirë rritjes së foshnjës dhe përfundimisht ndikon në lindjen nën peshë. Foshnjat e lindura prematur janë më të ndjeshme ndaj infeksioneve të fëmijërisë dhe pneumonisë pasi mushkëritë e tyre  nuk kanë mundur të zhvillohen plotësisht.

Beate Ritz, profesoreshë e epidemiologjisë në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos, tha se ndotja e ajrit të brendshëm në qytete anembanë Indisë, Azisë Jug-Lindore dhe Afrikës ishte e krahasueshme me atë të Londrës Viktoriane.

“Kjo ndotje e ajrit që ne shohim në qytetet moderne në ditët e sotme, krahasohet me ndotjen që kishim 150 vjet më parë në Londër dhe vende të tjera, ku kishte zjarre qymyri nëpër ambientet e brendshme. “Ekziston gjithashtu dëmtim i trurit dhe organeve të tjera nga kjo ndotje, kështu që vetëm mbijetesa nuk është e mjaftueshme – ne duhet të zvogëlojmë ndotjen e ajrit për shkak të ndikimit në të gjitha këto organe,” tha ajo.

Disa nga këto efekte ka të ngjarë të kenë ekzistuar, pa u vënë re, për shekuj me radhë, sepse njerëzit kanë gatuar për një kohë të gjatë me zjarr  në hapësira të mbyllura, një aktivitet që  ka bërë të mundur thithjen e këtyre grimcave të dëmshme, veçanërisht nga gratë dhe fëmijët, të cilët kalojnë më shumë kohë në shtëpi .

Raporti përqendrohet në të dhëna deri në vitin 2019, kështu që nuk  janë përfshirë  ndikimet që pati  bllokimi në të gjithë botën për shkak të COVID-19  në vitin 2020. Autorët thanë se pandemia Covid-19 do të kishte pasur një ndikim pozitiv në cilësinë e ajrit dhe do pakësonte vdekjet nga ndotja e ajrit, por këto janë efekte që ende nuk janë hulumtuar qartë.

Greenbaum tha se gjasat e ndonjë ndikimi të dobishëm afatgjatë në shëndet nga pakësimi i përkohshëm i ndotjes së ajrit për shkak të kufizimeve, ishte e vogël, por që pastrimi i papritur i ndotjes nga trafiku dhe industria ndryshoi perceptimin e shumë njerëzve për cilësinë e ajrit.

“Njerëzit papritmas e kuptuan se si është të kesh qiell të bukur blu rregullisht. Edhe nëse nuk do të zgjaste, ajo tregoi se çfarë ishte e mundur, “tha Greenbaum.

Disa studime kanë sugjeruar që njerëzit e ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit mund të kenë një rrezik më të lartë të vdekjes nga Covid-19.

Shkencëtarët thanë se kishte pasur pak shenja përmirësimi në ndotjen e ajrit gjatë 10 viteve të fundit, megjithë vërehet një rritje për rreziqet nga ajri i ndotur në pesë vitet e fundit.

Të paktën 6.7 milion vdekje në të gjithë botën në 2019 ishin nga ekspozimi afatgjatë ndaj ndotjes së ajrit, një faktor që rrit rrezikun e goditjes në tru, sulmit në zemër, diabetit, kancerit të mushkërive dhe sëmundjeve të tjera kronike të mushkërive. Ndotja e ajrit tani është shkaku i katërt më i lartë i vdekjeve në mbarë botën ndikuar edhe nga pirja e duhanit dhe dietave të pashëndetshme ushqimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat