Çfarë duhet bërë për të shmangur mbidozën e antibiotikëve? Rreziku që vjen nga mbipërdorimi

Shëndetësia

Çfarë duhet bërë për të shmangur mbidozën e antibiotikëve? Rreziku që vjen nga mbipërdorimi

Më: 13 nëntor 2020 Në ora: 19:27
Ilustrim

Ky artikull është publikuar në “Forbes” pak vjet më parë, por po e risjellim për të kuptuar ndikimin e mbipërdorimit të antibiotikëve në një kohë kur koronavirusi kërcënon dita-ditës të gjithë botën.

Duhet të keni lexuar ndonjë artikull në internet për rreziqet që sjell vaksinimi, ndërsa po të jetonit në shtete të tjera do përballeshit me këtë temë edhe në debate politike, lajme dhe deri në talk shows. Persona të famshëm si Donald Trump, Bill Maher, Alicia Silverstone apo Jenny Mccarthy janë shprehur kundër vaksinimit. Të tjerë, si Kristen Bell, Jennifer Garner, Amanda Peet dhe Jimmy Kimmel e kanë mbështetur atë. Disa mendojnë nuk është e nevojshme as të harxhohet kaq shumë kohë për të diskutuar diçka që nuk duhet diskutuar, por pavarësisht asaj që mendon kushdo mbi çështjen, është e vështirë të mohosh që tashmë fushatat antivaksina kanë zgjuar shumë interes.

Po ta krahasosh, duket që ka shumë më pak diskutim dhe pasion për mbipërdorimin e antibiotikëve, edhe pse të dhënat flasin për problemet serioze që mund të shkaktojë ai. Shqetësimi më i fundit është që përdorimi i antibiotikëve mund të shkaktojë rritje peshe, si edhe mbështetet nga një studim i kryesuar nga Brian Schwartz, profesor i Shkencave të Shëndetit dhe Mjedisit dhe anëtar i Qendrës Botërore të Parandalimit të Obezitetit (GOPC) në Shkollën e Shëndetit Publik Johns Hopkins në Bloomberg. Studimi i publikuar në International Journal of Obesity, ka përdorur të dhënat shëndetësore elektronike të Sistemit Shëndetësor të Geisinger të 163,820 fëmijëve nga janari i vitit 2001 në shkurt të vitit 2012, për të analizuar marrëdhënien midis përdorimit të antibiotikëve dhe ndryshimeve në peshë dhe gjatësi, të cilat janë përdorur për të përcaktuar indeksin e masës së trupit (BMI), matësi që përdoret zakonisht për obezitetin. Siç ka thënë Dr. Schwartz, “BMI mund të ndryshojë përgjithmonë nga përdorimi i antibiotikëve gjatë fëmijërisë. Sipas të dhënave tona, sa herë u japim antibiotikë fëmijëve, aq herë ndikojmë që të shtojnë peshë më shpejt”. Obeziteti te fëmijët, mund të çojë në probleme serioze mjekësore, psikologjike dhe sociale. Studimi është pjesë e një projekti më të madh në proces në GOPC, që shqyrton një popullsi në 37 shtete për të kuptuar më mirë sistemet komplekse që shkaktojnë obezitetin e fëmijëve.

Një mekanizëm i mundshëm është që antibiotikët ndryshojnë mikrobiomën e zorrëve tona. Mikrobioma është si një qytet me baktere, kërpudha, protozoarë dhe viruse të mira. Çdo ditë, banorët e këtij qyteti janë mjaft të zënë, duke kryer detyrat e tyre si tretjen dhe metabolizimin e ushqimit, prodhojnë vitamina, rregullojnë sistemin imunitar dhe i japin jashtëqitjes erën karakteristike. Antibiotikët mund t’i vrasin bakteret e nevojshme. Si në çdo qytet, nëse dikush vret banorët e mirë, të këqijtë marrin zotërimin. Këta banorë të rinj mund të mos e bëjnë punën e baktereve të mira dhe kjo shkakton çrregullim. Kështu që sa herë që merr antibiotikë, mendo që po ndikon në qytetin brenda zorrëve. Kërkimet shkencore kanë zbuluar vetëm një pjesë të vogël të punës që bëjnë këta banorë të vegjël. Kështu që, antibiotikët mund të kenë ndikim shumë të madh në organizëm. Shtoji tani peshën dhe ndryshimin e mikrobiomës, listës së gjatë të rreziqeve potenciale të mbipërdorimit të antibiotikëve. Kjo listë përfshin ndërkohë zhvillimin dhe përhapjen e baktereve rezistente ndaj antibiotikëve si rezistentet e meticilinës, stafilokok aureus (MRSA) dhe rezistentet e kabarpenemit, Enterobacteriaceae (CRE). Grupimet e baktereve janë si grupimet e njerëzve, ato mund t’u përshtaten menjëherë ndryshimeve kërcënuese. Antibiotikët mund të shfarosin fillimisht shumë bakterie që shkaktojnë probleme, por ato që mbeten, më të fuqishme, rigrupohen dhe shumëfishohen në mënyrë që popullsia e re mos të ndikohet njëlloj nga i njëjti antibiotik.

Gjithashtu, disa antibiotikë mund të kenë efekte anësore serioze. Në disa raste ato kanë ndikuar jetët e njerëzve si për shembull një klasë antibiotikësh të quajtura fluoroquinolones mund të dëmtojnë mushkujt, kockat, sytë dhe veshkat.

Përveç këtyre problemeve, antibiotikët përdoren gjithandej dhe, në shumë raste, më shumë seç duhet. “Në Shtetet e Bashkuara kemi dhënë receta për antibiotikë me tepri për shumë vite. Kur nevojiten antibiotikë, ne zgjedhim ata që janë më të fortë dhe i japim për kohë më të gjatë sesa duhet. Tani po mësojmë që shumica e sëmundjeve të zakonshme bakteriale kërkojnë një spektër shumë më të ngushtë antibiotikësh dhe për një kohë shumë më të shkurtër si tri ditë për një pacient me pneumoni që kurohet në shtëpi dhe një ditë për infeksion të traktit urinar”, thotw dr. Susan Huang profesore në divizionin e Sëmundjeve Infektive në Shkollën e Mjekësisë Irvine të Universitetit të California-s.

Gjithashtu, shumë fermerë përdorin antibiotikë për kafshët dhe ushqimin e tyre.

Pra, çfarë duhet bërë për të shmangur mbidozën e antibiotikëve? Ja disa hapa:

Mos merr antibiotikë kur nuk është e nevojshme

Ndonjëherë mjekët dhe dentistët shtyhen edhe nga kërkesa e pacientit. Mos kërko antibiotikë kot dhe mos merr kurrë në farmaci vetë, sepse shumë probleme të aparatit të frymëmarrjes nuk shkaktohen nga bakteriet dhe zgjidhen pa antibiotikë.

Kur të japin antibiotikë, pyet nëse janë të nevojshme

Ndonjëherë mjekët mund të japin antibiotikë kur nuk është e nevojshme. Duhet të pranojmë që si në çdo profesion tjetër, edhe ata variojnë në njohuri dhe aftësi. Pyete nëse është e domosdoshme të marrësh antibiotikë. Nëse mjeku reagon keq ndaj pyetjes tënde të sjellshme, ndërroje me një tjetër. Ti ke të drejtë të dish çfarë fut në trup sidomos pas një ndërhyrjeje kirurgjikale apo procedure dentare.

Sigurohu që po mjekohesh me antibiotikun e duhur

Ashtu si armët dhe antibiotikët janë të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm. Nuk mund të përdoren armë bërthamore për të ndaluar një grabitës dhe as të shkosh me doreza boksi në luftë. Nëse përdor armët apo antibiotikët e gabuar mund të bësh shumë dëme të padëshiruara. Pyete me kujdes mjekun për llojin e antibiotikut që po të jep dhe kundër cilit bakter po përdoret.

Baktere rezistente ndaj antibiotikëve të gjendur në ushqim: në 2012-ën, mishi i derrit i blerë në supermarkete të ndryshme në Gjermani përmbante disa forma me mutacion të bakteres escherichia coli. Ministria e Agrikulturës dhe Mbrojtjes

Mos harro që operacionet shoqërohen me antibiotikë

Pas ndërhyrjeve kirurgjikale mjekët u japin pacientëve antibiotikë për të shmangur ndonjë infeksion të mundshëm, ndonjëherë edhe mbi dozë. Por ka edhe operacione që bëhen për qejf, ato estetiket. Kështu që para se të bësh një ndërhyrje për të tërhequr lëkurën, apo rritur gjoksin, mendoje mos është më mirë të bësh vetëm disa trajtimet të jashtme.

Kur nis të marrësh antibiotikë, mbaroje dozën

Të minimizosh sasinë e antibiotikëve të marrë nuk do të thotë të lësh përgjysmë dozën që të ka dhënë mjeku. Të pish vetëm dy ditë antibiotikë kur receta thotë dhjetë, është si të japësh ca grushte të lehta në boks, apo arte marciale dhe të kthesh shpinën duke vazhduar të qëndrosh në ring. Dr. Huang pranoi që në të ardhmen kohëzgjatja e marrjes së antibiotikëve mund të ndryshohet, por tani dhe në të ardhmen, duhet të respektosh udhëzimet e recetës të mbështetur në prova shkencore.

Mos merr kurrë antibiotikë të skaduar apo të dhëna pa recetë

Antibiotikët ndryshojnë vetitë me kalimin e kohës dhe ekspozimin në ambient, kështu që data e skadencës është e rëndësishme. Gjithashtu ekzistojnë edhe shumë ilaçe false gjithandej. A do futeshe në një ndeshje me kokore të prishur?

Zbulo sa antibiotikë janë përdorur në ushqimin tënd

Nuk ka të dhëna të sakta për ndikimin e mishit të kafshëve të trajtuara me antibiotikë te njeriu, por ne jemi pjesë e të njëjtit ekosistem dhe çfarë ndikon një pjesë të ekosistemit, mund të na ndikojë edhe ne.

Ngri problemin e rrezikut të mbipërdorimit të antibiotikëve

Pse gjithë ai angazhim kundër vaksinave nuk ndodh edhe kundër mbipërdorimit të antibiotikëve, kur dihet sa i rrezikshëm është ky? Nuk po themi që antibiotikët nuk duhen përdorur. Ato janë si çdo ilaç, si rrjetet sociale dhe si çokollata. Të nevojshme në sasinë e duhur, por të dëmshme në mbidozë…edhe nëse ti nuk vendos të marrësh më shumë seç të rekomandojnë, por respekton dozën. Ato kanë shpëtuar jetë njerëzish në vite e kanë çuar shoqërinë përpara, por në sasi të madhe janë shumë të dëmshme. Pra pse nuk angazhohen njëlloj të famshmit, rrjetet sociale, njerëzit e thjeshtë kundër mbipërdorimit të antibiotikëve?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat