Vaksina e kompanisë Moderna, 94.5% e efektshme në parandalimin e COVID-19

Shëndetësia

Vaksina e kompanisë Moderna, 94.5% e efektshme në parandalimin e COVID-19

Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 01:51
Vaksina e kompanisë Moderna

Kompania farmaceutike Moderna njoftoi të hënën se vaksina e saj eksperimentale ka një nivel efektiviteti prej 94.5% në parandalimin e COVID-19, bazuar në të dhënat paraprake të një prove klinike në fazën e avancuar. Së bashku me vaksinën e kompanisë Pfizer, gjithashtu me një nivel efektshmërie mbi 90% dhe në pritje të më shumë të dhënave për sigurinë, Shtetet e Bashkuara mund të kenë dy vaksina të autorizuara për përdorim emergjent në dhjetor, me deri në 60 milionë doza të disponueshme nga fundi i vitit.

Kompania Moderna thotë se vaksina e saj eksperimentale ka një nivel efektiviteti prej 94.5% në parandalimin e COVID-19, bazuar në të dhënat paraprake të një prove klinike në fazën e avancuar.

Moderna është kompania e dytë amerikane që raporton brenda një jave rezultate që tejkalojnë pritshmëritë për efektivitetin e vaksinës.

Vaksina e kompanisë Moderna u testuar në 30 mijë persona. Nga këta, pati 95 raste që rezultuan pozitivë me Covid dhe 11 u prekën nga një formë e rëndë e infeksionit. Por të 11 nuk kishin marrë vaksinën, por një imitim të saj pa asnjë lloj efekti. Vaksina administrohet me dy doza, 28 ditë larg njera tjetrës.

Një avantazh i madh i vaksinës së Modernës është se ajo nuk ka nevojë të ruhet në temperatura shumë të ulta si ajo e Pfizer-it, duke e bërë më të lehtë shpërndarjen.

Moderna pret që vaksina të jetë e qëndrueshme në temperaturat standarde nga 2 deri në 8 gradë Celsius për 30 ditë dhe mund të ruhet deri në 6 muaj në temperaturë -20 gradë Celsius. Vaksina e kompanisë Pfizer duhet të shpërndahet dhe të ruhet në temperaturën minus 70 gradë Celsius, një temperaturë tipike dimri në Antarktikë. Ajo mund të ruhet në këtë temperaturë deri në pesë ditë.

Prodhimi i vaksinës Moderna do të kryhet pjesërisht nga firma zvicerane Lonza në impiantet e reja në Shtetet e Bashkuara dhe Zvicër.

Linjat e reja të prodhimit të kompanisë në Portsmuth të shtetit Nju Hempshër, synojnë të fillojnë prodhimin e përbërësve të vaksinës në nëntor, ndërsa tre linjat në Zvicër, duhet të fillojnë shpërndarjen deri në dhjetor, tha kompania zvicerane në fund të shtatorit .

Lonza ka një kontratë 10-vjeçare për të furnizuar Modernën, duke përfshirë deri në 1 miliard doza në vit të vaksinës COVID-19.

Vitin e ardhshëm, qeveria amerikane mund të ketë më shumë se 1 miliard doza vetëm nga dy prodhuesit e vaksinave, më shumë sesa nevojitet për 330 milionë banorët e saj.

Vaksinat, të dyja të prodhuara duke përdorur një teknologji të re, që shfrytëzon acidin ribonukleik (ARN), janë mjete të reja të fuqishme për të luftuar një pandemi që ka infektuar 54 milionë njerëz në të gjithë botën dhe ka shkaktuar vdekjen e 1.3 milionë njerëzve. Lajmi vjen gjithashtu në kohën kur rastet me COVID-19 janë duke u rritur, me shifra rekord në Shtetet e Bashkuara, ndërsa po i detyron disa vende evropiane të rikthejnë përsëri bllokimet.

"Ne kemi vaksinën që do të ndalojë COVID-19," tha presidenti i kompanisë Moderna, Stephen Hoge për agjencinë Reuters në një intervistë me telefon.

Të dhënat e grumbulluara nga 30 mijë pjesëmarrësit në provat klinike treguan gjithashtu se vaksina arriti të parandalojë rastet serioze të prekjes me virusin COVID-19, ndryshe nga vaksina e Pfizerit.

Moderna, pjesë e programit të qeverisë amerikane të koduar me emrin Warp Speed, pritet të prodhojë rreth 20 milionë doza të vaksinës për Shtetet e Bashkuara këtë vit, miliona prej të cilave kompania i ka prodhuar tanimë dhe është gati t’i shpërndajë në se merr autorizimin nga Administrata për Ushqimin dhe Ilaçet.

"Në se marrim autorizimin për përdorim emergjent, ne do të jemi gati ta shpërndajmë atë brenda disa orëve," tha zoti Hoge. "Pra ajo mund të shpërndahet menjëherë".

Hollësitë e të dhënave

Vaksina e Modernës, e zhvilluar në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, drejtuar nga Dr. Anthony Fauci, po testohet në 30,000 njerëz.


Gjysma e pjesëmarrësve morën dy doza të vaksinës dhe gjysma tjetër mori një imitim të saj, pa asnjë lloj efekti (placebo). Për të provuar se sa mirë funksionon vaksina, mjekët monitoruan nga afër rastet me Covid-19 për të parë nëse ato ndodhën kryesisht tek njerëzit që morën një imitim të vaksinës dhe jo vetë vaksinën.

Nga 95 rastet me Covid-19, 90 ishin në grupin që morën imitimin e vaksinës.

Pati 11 raste të rënda të raportuara — të gjitha tek grupi i pjesëmarrësve që nuk kishin marrë vaksinën e vërtetë. Me rastet e Covid-19 pothuajse të kufizuar vetëm në grupin që nuk mori vaksinën por imitimin e saj, kompania thotë se ka marrë një sinjal të fuqishëm se vaksina është e efektshme për të ndalur virusin.

Dr. Fauci tha se të dhënat për rastet e rënda ishin "mjaft mbresëlënëse" dhe në mënyrë efektive i përgjigjen një pyetjeje që kishte mbetur pa përgjigje: nëse një vaksinë e suksesshme në parandalimin e Covid-19 mund të parandalojë edhe rastet më urgjente.

Lajmi i Modernës vjen gjithashtu në të njëjtën ditë kur një njësi e gjigantit farmaceutik amerikan Johnson & Johnson do të fillojë një provë klinike të fazës së tretë dhe të fundit të një vaksine të mundshme në Britani.

Janssen Farmaceutikë do të rekrutojë 6,000 vullnetarë për të marrë vaksinën eksperimentale me dy doza, që do të zgjerohet përfundimisht në 30,000 pjesëmarrës në disa vende, përfshirë Belgjikën, Kolumbinë, Francën, Gjermaninë, Spanjën dhe Shtetet e Bashkuara.

Një tjetër vaksinë eksperimentale për koronavirusin e zhvilluar nga kompania Johnson & Johnson është aktualisht në provat globale në fazën 3 në Argjentinë, Brazil, Meksikë, Afrikën e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.

Kompania ndaloi për pak kohë testimin e vaksinës me një dozë muajin e kaluar pasi një pjesëmarrës u diagnostikua me një sëmundje të pashpjegueshme.

Ndërkohë, sipas një studimi të ri në Britani, të rinjtë që rikuperihen nga COVID-19 por vazhdojnë të përjetojnë simptoma, kanë dëmtime të vazhdueshme të shumë organeve.

Vëzhgimet e më shumë se 200 pacientëve zbuluan se gati 70% e tyre kanë dëmtime në një ose më shumë organe deri në katër muaj pas infektimit fillestar, përfshirë zemrën dhe mushkëritë.

Gjetjet hedhin dritë të mëtejshme mbi simptomat e zgjatura që përjetojnë disa prej të prekurve me COVID-19, përfshirë lodhjen, pengesën e frymëmarrjes, dhimbje dhe të ashtuquajturën "mjegullën e trurit", madje edhe mes atyre që konsiderohen me rrezik të ulët të infeksionit. Më shumë se 60,000 njerëz në Britani besohet se vuajnë nga simptomat e "zgjatura të COVID-it".

Por studiuesit paralajmërojnë se asnjë nga pacientët nuk bëri skanerin para diagnozës fillestare me COVID-19, që do të thotë se disa mund të kenë pasur sëmundje ekzistuese.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat