Për kocka të forta/ Magnezi apo Kalciumi?

Shëndetësia

Për kocka të forta/ Magnezi apo Kalciumi?

Më: 22 nëntor 2020 Në ora: 15:21
Foto ilustrim

Akumulimi i kalciumit dhe niveli i kolesterolit të keq janë dy nga shkaktarët kryesorë të atakut në zemër. Kalçiumi është padyshim një nga mineralet më të rëndësishëm për shëndetin e kockave, por me sa duket magnezi është aleati më i rëndësishëm për formimin e kockave të forta, gjatë periudhës së adoleshencës. Këto janë gjetjet e një studimi të ri të Shoqatave Akademike të Pediatrëve, të cilave u referohet ky artikull i AgroWeb.org.

Këto gjetje zbehin rëndësinë e suplementeve të ndryshme të kalciumit. që besoheshin se janë ndihmës të kockave dhe dhëmbëve të fortë. A janë me të vërtetë këto suplementë aq të suksesshëm sa duken? Ekspertët zbuluan se akumulimi i kalciumit dhe niveli i kolesterolit të keq ishin dy nga shkaktarët kryesorë të atakut në zemër. Megjithatë, një studim i kohëve të fundit, tregoi se kalciumi nga burimet dietike kishte një ndikim më të mirë në mirëqenien e kockave (veçanërisht te femrat pas menopauzës) se kalciumi i marrë nga suplementet.

Burimi më i mirë për kalciumin
Ekspertët shpjegojnë se ushqimi mbetet burimi më i mirë për kalciumin. Sipas tyre, njerëzit që përftojnë sasinë e rekomandueshme të kalciumit nga ushqimet nuk kanë nevojë për suplemente shtesë. Ata shprehen se ndonëse nevoja për suplementet e vitaminës D është e madhe, marrja e sasive të mëdha të suplementeve të kalciumit rrit rrezikun e gurëve në veshka dhe problemeve të tjera me shëndetin.

Marrja e këtij mikroushqyesi nuk ka të njëjtin efekt si kalciumi që merret nga ushqimi. Në ditët e sotme, konsumatorët përballen me mitet e fryra të industrisë së bulmetit, sipas të cilës konsumi i produkteve të pasterizuara siç janë qumështi ose djathi rrisin nivelet e kalciumit. Megjithatë, kjo rezulton të jetë pjesërisht e vërtetë, sepse procesi i purifikimit krijon karbonat kalciumi, që nuk futet dot në qeliza pa një agjent ndërlidhës.

Për rrjedhojë, trupi e përthith kalciumin forcërisht dhe e dorëzon atë në kocka, inde dhe gjak. Një gjë e tillë shkakton osteoporozë, pra sëmundjen më të përhapur të kockave. Nga ana tjetër, studimet e lartpërmendura kanë konfirmuar se marrja dhe përthithja e magnezit nga të rinjtë është në fakt elementi thelbësor për dendësinë e kockave.

Rëndësia e dozave të magnezit për organizmin
Nga të dhënat e AgroWeb.org rezulton se, dozat e magnezit të marrë nga burime ushqimore janë të rëndësishme në shtimin e mineraleve të kockave te fëmijët. Këta të fundit kanë nevojë për shumë ushqyes që të kenë kocka të shëndetshme, dhe magnezi është një prej tyre. Kalciumi është gjithashtu i rëndësishëm, por fëmijët dhe adoleshentët që marrin doza të ulëta të këtij minerali, kanë më shumë nevojë për magnez.

Sigurisht specialistët rekomandojnë që prindërit t’u japin fëmijëve ushqime të pasura me kalcium që të ndihmojnë në krijimin e kockave të forta, por nga ana tjetër ata duhet të garantojnë edhe doza të vazhdueshme dhe të mjaftueshme të magnezit. Ky mineral ka një rol thelbësor në tretjen dhe asimilimin e kalciumit nga organizmi dhe në cilësinë e kockave. Doza e Rekomanduar Ditore për magnezin është 350-400 mg, por trupi mund të ketë nevojë për dyfishin e saj për të funksionuar në mënyrë ideale. Për një performancë më të mirë, merrni magnez gjatë ditës në sasi të vogla. Burimet më të pasura të magnezit janë ushqimet, ndaj sigurohuni të konsumoni më shumë barishte, spinaq, pazi, avokado, fiq, fara kungulli, fasule të zeza, arrorë, banane dhe kakao.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat