Gastriti, simpomat, diagnostifikimi dhe trajtimi i tij

Shëndetësia

Gastriti, simpomat, diagnostifikimi dhe trajtimi i tij

Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 18:59
Foto ilustrim

Gastriti është inflamacion i mukozës së stomakut, pra i shtresës së brendshme që vesh stomakun. Gastriti është një patologji shumë e përhapur dhe ekzistojnë një sërë faktorësh që çojnë në shfaqjen e tij.

Për shumë persona gastriti mund të mos jetë një gjendje edhe aq serioze kjo për faktin se në momentin e marrjes së trajtimit të duhur simptomat e Gastritit përmirësohen ndjeshëm – por në rast se nuk ka përmirësim kjo patologji mund të zgjasë edhe me vite.

Simptomat e Gastritit

Shumica e personave me Gastrit mund të mos shfaqin asnjë lloj shenje apo simptome, por në rastet kur shoqërohet me simptoma ato përfshijnë:

Mostretje të ushqimit
Dhimbje dhe djegie të stomakut
Të përziera dhe të vjella
Ndjesi tejngopje dhe fryrje pas konsumit të vakteve
Në raste të caktuara, me përkeqësimin e situatës mund të kemi edhe simptoma të tjera të shtuara si dhimbje, gjakrrjedhje apo edhe ulçer të stomakut.

Simptomat e Gastritit mund të fillojnë në mënyrë të papritur dhe në të tilla raste kemi të bëjmë me gastrit Akut ose simptomat shfaqen ngadalë në kohë dhe në të tilla raste kemi të bëjmë me Gastrit Kronik.

Kur të kontaktoni mjekun specialist gastroenterolog?

Kontaktoni me mjekun specialist gastroenterolog nëse:

Keni simptoma të mostretjes së ushqimit të cilat zgjasin më shumë se 1 javë, si dhe kur shoqërohen me dhimbje dhe ndjesi diskomforti
Mendoni se simptomat vijnë si rrjedhojë e ndonjë medikamenti të ri që jeni duke marrë së fundmi
Villni gjak ose keni prezencë gjaku në jashtëqitje

Si diagnostikohet Gastriti?

Për diagnostikimin e Gastritit mjeku specialist mund t’ju rekomandojë kryerjen e:

Kulturë feçe – për të kontrolluar për infeksion ose gjakrrjedhje nga stomaku
Testin e frymës që ndihmon në identifikimin e infeksionit të Helicobacter Pylori
Ekzaminim endoskopik (gastroskopisë)
Testin serologjik

Shaktarët e Gastritit

Shkaktari më i shpeshtë që çon në shfaqjen e Gastritit është bakteri Helicobacter Pylori. Por ekzistojnë edhe shkaktarë të tjerë që ndikojnë në shfaqjen e kësaj patologjie si:

Përdorimi i drogërave (kokaina)
Konsumi i tepërt i alkolit
Përdorimi i shpeshtë i Aspirinës, Ibuprofenit ose medikamenteve të klasifikuara si anti-inflamatorë josteroid
Stresi

Gastriti i shkaktuar nga Helicobacter Pylori

Ndodh që shumë persona të infektuar nga bakteri Helicobacter Pylori mund të mos kenë dijeni. Kjo për faktin që këto lloj infeksionesh të stomakut janë të shpeshta dhe zakonisht nuk shoqërohen me simptoma. Gjithsesi, prezenca e bakterit Helicobacter Pylori me raste mund të shkaktojë gromësima ose mostretje, duke qenë se ky bakter shkakton inflamacion të shtresës së brendshme të stomakut. Ky tip Gastriti haset më shpesh në grupmoshat e mëdha dhe zakonisht çon në atë që ne e quajmë Gastrit kronik, pra që persiston në kohë dhe është jo eroziv (gërryes).

Si trajtohet Gastriti

Trajtimi i Gastritit synon reduktimin e aciditetit në stomak që çon edhe në reduktimin deri eliminimin e plotë të simptomave. Në varësi nga shkaktari i Gastritit varion edhe trajtimi i tij. Pra në rastet kur shkak i Gastritit është bakteri Helicobacter Pylori, atëherë trajtimi synon në çrrënjosjen e këtij bakteri, ndërsa në rastet kur shkaktar mund të jenë medikamentet anti-inflamatore josteroid atëherë proçedohet me ndalimin e marrjes së tyre nga ana e pacientit, gjë që në të shumtën e rasteve ka rezuluar efektive. Gjithsesi, në çfarëdolloj rasti rekomandohet që të drejtoheni për konsultë te mjeku specialist gastroenterolog i cili është përgjegjës si për diagnostikimin ashtu edhe për përcaktimin e mënyrës adekuate të trajtimit të Gastritit.

Për të lehtësuar simptomat mjeku specialist mund t’ju rekomandojë marrjen e antiacideve, mjekim ky që synon në neutralizimin e aciditetit në stomak dhe që lehtëson dhimbjen.

Ҫfarë tjetër mund të bëni:

Konsumoni shpesh & me porcione të vogla
Evitoni ushqime që irritojnë stomakun si ato djegëse, të skuqura, etj
Reduktoni sasinë e alkolit ose eliminojeni atë totalisht
Mundohuni të menaxhoni stresin
Gastriti kronik shton rrezikun per komplikacione mjekësore të tipit: Ulçer në stomak, krijimin e Polipeve në stomak dhe në raste të caktuara mund të çojë deri edhe në kancer të stomakut.Burimi, Hygeia.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat