Sëmundjet e zemrës, pse duhet të tregojnë kujdes njerëzit e shëndetshëm

Shëndetësia

Sëmundjet e zemrës, pse duhet të tregojnë kujdes njerëzit e shëndetshëm

Më: 2 janar 2021 Në ora: 15:50
Ilustrim

Kush është i shëndetshëm, duhet të tregojë kujdes për të parandaluar zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Për këtë është e rëndësishme kryerja e analizave në mënyrë periodike.

Tensioni duhet matur minimalisht një herë në vit, prej moshës 20 vjeçare. Një herë në tre vjet, duke filluar po në moshë të re, duhet vlerësuar profili lipidik, pra yndyrnat

Sonila Isaku

Këshillat e kardiologëve lidhen, para së gjithash, me parandalimin e sëmundjeve të zemrës. Shpeshherë, përgjigjen për parandalimin e gjeni tek disa ndryshime të lehta në përditshmërinë tuaj dhe stilin e jetesës.

Parandalimi      

Pse është i nevojshëm parandalimi? Patologjia që qëndron në bazë të SKV, është arteroskleroza. Ajo zhvillohet tinëzisht gjatë një harku kohor shumëvjeçar dhe në kohën kur shfaqen simptomat është zakonisht e përparuar.

Vdekja, infarkti i miokardit dhe insulti cerebral, ndodhin shpesh herë në mënyrë të beftë, përpara se të bëhet e mundur ndihma mjekësore dhe për këtë arsye shumë nga ndërhyrjet terapeutike janë të pazbatueshme ose vetëm paliative.

Në një masë të madhe, SKV lidhet me stilin e jetesës dhe me faktorë fiziologjikë të modifikueshëm. Studime të shumta të fushës kanë treguar se, modifikimi i faktorëve të rrezikut ul vdekshmërinë dhe sëmundshmërinë, sidomos në njerëz me SKV të njohur a të panjohur. Në faktorët klasikë të modifikueshëm hyjnë duhanpirja, hipertensioni arterial, dislipidemia, diabeti, sindromi metabolik, jeta sedentare, faktorët psikosocialë dhe mbipesha. Ndërsa disa prej këtyre faktorëve, ndikohen ndjeshëm nga stili i jetesës, të tjerët mund të kërkojnë edhe mjekim me barna.

Sëmundjet e zemrës

Sëmundje kardiovaskulare quhen sëmundjet që prekin zemrën dhe enët e gjakut. Diagnoza që zë peshën kryesore sa i takon sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, është sëmundja artereosklerotike. Kjo sëmundje prek enët e gjakut që ushqejnë zemrën, të cilat quhen arterie koronare; enët e gjakut që ushqejnë trurin dhe enët e gjakut periferike, të ndodhura kudo në trup. Sëmundje të tjera që bëjnë pjesë në këtë grup, janë:

1- Sëmundjet që prekin muskulin e zemrës dhe çojnë në dobësim të forcës së tij, pra në insuficiencën kardiake apo thënë ndryshe, pamjaftueshmëri e zemrës.

2- Sëmundjet valvulare janë patologjitë që prekin valvulat e zemrës. Këto sëmundje mund të jenë të lindura ose të fituara. Sëmundje të fituara kanë si shkak kryesor sëmundjen reumatizmale që mund të ketë kaluar një njeri në fëmijëri apo adoleshencë, që manifestohet në moshë të rritur me sëmundje valvulare të zemrës.

3- Sëmundjet e zemrës që manifestohen me aritmi. Aritmia mund të jetë funksionale, pra që nuk lindin në kushtet e dëmtimeve strukturore kardiake ose më serioze për jetën, siç janë ato valvulare; të muskulit të zemrës apo e arterieve koronare.

4- Insulti cerebral që mund të jetë me natyrë ishemike, i cili ndodh kur një tromb bllokon enën e gjakut që ushqen një zonë të caktuar të trurit apo me natyrë hemorragjike, kur kemi çarje të enës së gjakut. Zakonisht insulti me natyrë hemorragjike shkaktohet nga hipertensioni arterial.

Këshilla

Heqja dorë nga sjelljet e dëmshme për shëndetin. Nëse nuk pini duhan, është e rëndësishme të mos e filloni. Hiqni dorë prej tij, gjithashtu edhe prej ushqimeve me përmbajtje të lartë yndyre të pasaturuar ose me acide transyndyrore. Heqja dorë nga përdorimi i tepruar i kripës, marrja e tepruar e kalorive, teprimi me pijet alkoolike, mungesa e aktivitetit fizik etj. Të dobishme për shëndetin janë dieta e pasur me fruta dhe perime, sa më pak yndyra, aktiviteti i rregullt fizik dhe kujdesi për të konsumuar sa më pak sheqer. Konkretisht, kjo qasje synon këto pesë modifikime: Të mos pini duhan (të mos e filloni atë, ose të hiqni dorë), të ushqeheni shëndetshëm, të mos abuzoni me alkoolin, të mos jeni mbipeshë, të jeni fizikisht aktivë. Këto ndryshime, jo gjithmonë janë të lehta. Ato kërkojnë informacion të përshtatshëm dhe punë bindëse nga mjeku juaj, por në të njëjtën kohë mirëkuptim dhe vullnet nga vetë ju.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat