Studim: Covidi është i lidhur me rrezikun për sëmundje mendore dhe çrregullime në tru

Shëndetësia

Studim: Covidi është i lidhur me rrezikun për sëmundje mendore dhe çrregullime në tru

Më: 26 janar 2021 Në ora: 08:41
Foto ilustrim

Sipas një analize të re, një në tetë persona që e kanë pasur sëmundjen Covid-19 diagnostikohen me sëmundjen e parë psikike ose neurologjike brenda gjashtë muajve nga koha kur kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus.

Studimi, i cili ende nuk është rishikuar nga shkencëtarët e tjerë, gjithashtu gjeti se kjo shifër rritet në një në tre persona, në rastet kur pacientët kanë pasur histori të mëparshme të sëmundjeve psikike apo neurologjike, shkruan The Guardian.

Në bazë të rezultateve të kësaj analize, një në nëntë pacientë është diagnostikuar me çrregullime të tjera si depresioni apo goditja në tru, pavarësisht që nuk ka shkuar në spital gjatë kohës kur është përballur me sëmundjen Covid-19, tha udhëheqësi i studimit, Dr. Max Taquet nga Departamenti i Psikiatrisë në Universitetin e Oksfordit.

Hulumtuesit i përdorët të dhënat shëndetësore elektronike për t’i vlerësuar mbi 236 mijë pacientë të hospitalizuar dhe të pahospitalizuar në Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë qenë të konfirmuar me Covid-19 dhe që i kanë mbijetuar sëmundjes. Më pas, këta persona u krahasuan me një grup njerëzish që kishte grip dhe një grup tjetër që përbëhej nga persona me infeksione në traktin e frymëmarrjes. Analiza u bë nga 20 janari deri më 13 dhjetor 2020.

Sipas analizës, në të cilën u përfshinë faktorët e rrezikut si mosha, gjinia, raca, kushtet fizike dhe mendore si dhe gjendja ekonomike e sociale, gjasat për çrregullime neurologjike ose psikike pas Covid-it brenda gjashtë muajve janë 33.6 për qind. Rreth 13 për qind e personave të analizuar u diagnostikuan për herë të parë me këto çrregullime.

Në studimin e fundit, hulumtuesit zbuluan se shumica e diagnozave ishin më të zakonshme pas Covid-it sesa pas gripit apo infeksioneve tjera të traktit respirator, gjakderdhjes akute brenda kafkës, demencës dhe çrregullimeve psikotike.

Në përgjithësi, Covid-19 ishte i lidhur me rritje të rrezikut për këto diagnoza, por gjasat ishin më të mëdha te pacientët që kishin nevojë për trajtim në spital.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat