Covid, një në tre pacientë në depresion edhe pas disa muajsh shërim

Shëndetësia

Covid, një në tre pacientë në depresion edhe pas disa muajsh shërim

Më: 1 mars 2021 Në ora: 14:46
Foto ilustrim

Tre muaj pas shërimit, rreth një e treta e pacientëve të infektuar me Covid-19, vazhdojnë të vuajnë nga çrregullime psikopatologjike, si depresioni, ankthi, pagjumësia dhe sindroma e stresit post-traumatik.

Këto janë rezultatet e një studimi të ri të koordinuar nga Francesco Benedetti, psikiatër në Spitalin San Raffaele në Milano dhe të publikuar në revistën shkencore "Brain, Behavior and Immunity".

Depresioni, në veçanti, është ai që vazhdon me kalimin e kohës dhe ashpërsia e tij është e lidhur ngushtë me intensitetin e gjendjes inflamatore sistemike që ndjek format e rënda të Covid-19, edhe për disa muaj pas shërimit.

Lajmi i mirë, është se pacientët me këto forma depresioni, u përgjigjen terapive psikologjike dhe farmakologjike në dispozicion.

Studimi, nga Benedetti, i cili është gjithashtu profesor i asociuar në Universitetin Vita-Salute San Raffaele, është vazhdimi i një kërkimi shkencor të publikuar nga grupi i tij në gusht 2020, i cili kishte përshkruar pasojat psikiatrike të Covid për herë të parë.

Bazuar në intervistat klinike dhe pyetsorët, simptomat psikiatrike të 226 pacientëve (149 burra, mosha mesatare 58 vjeç), u ekzaminuan 3 muaj pas trajtimit në spital për format e rënda të COVID -19. Nga këto, 36%, raportojnë simptoma të një natyre klinike.

"Gratë dhe njerëzit me një histori të mëparshme të çrregullimeve psikiatrike, vuajnë më së shumti. Por gjëja më interesante në lidhje me të dhënat e mbledhura, është se ato konfirmojnë marrëdhënien e ngushtë midis përgjigjes së sistemit imunitar, gjendjes inflamatore dhe qëndrueshmërisë së simptomave depresive".

Depresioni dhe inflamacioni sjellin me vete simptoma të tjera, tipike të gjendjeve depresive: aftësia e zvogëluar e përqendrimit, kujtesa, koordinimi psikomotor dhe të folurit që vazhdojnë përgjatë rimëkëmbjes së gjatë nga sëmundja.

"Ne e dimë, që ata me depresion të madh, kanë nivele më të larta të citokinave inflamatore në gjakun e tyre, pavarësisht se kanë pasur infeksione ose sëmundje të sistemit imunitar dhe ne e dimë që kjo gjendje inflamatore, shoqërohet me zvogëlimin e aktivitetit të disa neurotransmetuesve thelbësorë për kontroll emocional, siç është serotonina; nga ana tjetër, ne gjithashtu e dimë, që gjendje të forta inflamatore – gjithashtu si pasojë e infeksioneve virale dhe bakteriale – rrisin rrezikun e episodeve depresive ", shpjegon profesor Benedetti.

"Covid-19, është paradigma e këtij fenomeni dhe një konfirmim i mëtejshëm i dekadave të hulumtimit në këtë fushë: nëse inflamacioni nuk tërhiqet, një episod depresiv mund të zhvillohet në muajt pas sëmundjes akute", shtoi ai.

Studimi, gjithashtu jep një mesazh pozitiv për njerëzit që janë përballur rëndë me Covid-19 dhe tani vuajnë nga depresioni.

"Gjithashtu, falë faktit që ne fillojmë të kuptojmë mekanizmat që qëndrojnë në themel të këtyre çrregullimeve, terapitë në dispozicion – psikologjike dhe farmakologjike – mund të zgjidhen në një mënyrë të saktë dhe të personalizuar dhe për këtë arsye janë veçanërisht efektive".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat