Testet e gjakut, tregojnë që në fillim të prekurit nga një formë e rëndë e Covid-19

Shëndetësia

Testet e gjakut, tregojnë që në fillim të prekurit nga një formë e rëndë e Covid-19

Më: 2 mars 2021 Në ora: 16:30
Ilustrim

Kur pacientët me Covid-19 mbërrijnë në urgjencën e një spitali, ka relativisht pak mënyra përmes të cilave mjekët mund të parashikojnë se cilët prej tyre kanë më shumë  gjasa të sëmuren rëndë dhe të kërkojnë kujdes intensiv, dhe cilët mund të shërohen shpejt.

Por një studim i ri i Universitetit të Jeilit, mund t`i ndihmojë ata të identifikojnë në mënyrë të shpejtë të dhëna të rëndësishme. Studiuesit raportojnë se një seri biomarkerësh, ose sinjalesh biologjike, të shoqëruara me aktivizimin e qelizave të bardha të gjakut si dhe mbipesha, mund të parashikojnë që herët ata që do të përjetojnë një formë të rëndë të COVID-19.

Gjetjet e këtij studimi u botuan të premten në“Blood Advances”.“Pacientët me nivele të larta të këtyre treguesve, kishin shumë më shumë gjasa të kërkonin kujdes në njësinë e kujdesit intensiv, të kërkonin ventilim apo të vdisnin për shkak të Covid-19”-thotë dr. Hjung Çun, autori kryesor i studimit, dhe profesor i asociuar i patologjisë kardiovaskulare në Universitetin e Jeilit, SHBA.

Më herët, disa studime laboratorike kishin identifikuar si tregues të mundshëm tek të sëmurët rëndë me Covid-19 nivelet e D-dimerit, një parametër i koagulimit të gjakut si dhe nivelet e proteinave të njohura si citokina, të cilat çlirohen si pjesë e përgjigjeve inflamatore në trup.

Por deri më tani, asnjë tregues laboratorik nuk mund të parashikonte se cilët pacientë me Covid-19, do të sëmureshin në një gjendje kritike, që para se të shfaqnin shenja klinike apo simptoma të sëmundjes së rëndë.

Për studimin e ri, studiuesit e Jeilit përdorën profilizimin proteomik – një ekran për matjen e proteinave të shumta brenda gjakut – për të analizuar mostrat e marra nga 100 pacientë, të cilët do të përjetonin nivele të ndryshme të ashpërsisë së Covid-19.

Në të gjitha rastet, mostrat e gjakut u mblodhën në ditën e parë të shtrimit të pacientëve në spital. Studiuesit gjithashtu analizuan të dhënat klinike të mbi 3.000 pacientë të tjerë me Covid-19 brenda sistemit spitalor të Universitetit të Jeilit.

Ata zbuluan se 5 proteina (rezistina, lipocalin-2, HGF, IL-8 dhe G-CSF) që shoqërohen me neutrofilet, një lloj i qelizave të bardha të gjakut, ishin në nivele më të larta tek pacientët me Covid-19 që më vonë u sëmurën rëndë. Shumë prej këtyre proteinave, ishin lidhur me parë me mbipeshën, por jo me Covid-19 apo sëmundje të tjera virale.

Në veçanti, biomarkerët e ngritur të neutrofileve tek pacientët që do të përjetonin simptoma më serioze, ishin të dukshme që para se të shfaqeshin simptomat e Covid-19. Të gjithë pacientët me Covid-19 qëu pranuan ose u transferuan në njësinë e kujdesit intensiv, kishin shënjues të rritjes së aktivizimit të neutrofileve, ndërsa këto biomarkera mbetën të ulëta për pacientët që nuk zhvilluan në asnjë moment një formë të rëndë të sëmundjes.

Asnjë nga pacientët me nivele të ulëta të biomarkerit neutrofil nuk vdiq. “Kjo është një nga dëshmitë e para se një grup biomarkerësh në gjakun e pacientëve me Covid, mund të parashikojnë shtrimin ose jo në repartin e terapisë intensive, madje edhe para se pacientët të tillë të sëmuren në mënyrë kritike”- tha autori tjetër i studimit dr.Alfred Li, profesor i asociuar i hematologjisë, po në Jeil.

Studiuesit mendojnë se pasja e njohurive të hershme për këta tregues, mund të përmirësojë ndjeshëm trajtimin e pacientit të sëmurë. Gjithashtu, studimi nënvizon lidhjen midis Covid-19 dhe mbipeshës.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, vërejnë se mbipesha dhe sidomos ajo e formës së rëndë e shtojnë rrezikun e të sëmurit rëndë me Covid-19. Obeziteti trefishon rrezikun e shtrimit në spital nga Covid-19 dhe nivelet e indeksit të masës trupore kanë lidhje direkte me rrezikun e vdekjes nga COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat