Studimi: 7 nga 10 të prekur me COVID-19 me simptoma deri edhe 5 muaj pas virusit

Shëndetësia

Studimi: 7 nga 10 të prekur me COVID-19 me simptoma deri edhe 5 muaj pas virusit

Më: 24 mars 2021 Në ora: 22:12
Foto ilustrim

Shtatë nga dhjetë persona të hospitalizuar si pasojë e COVID-19 nuk janë rikuperuar në tërësi edhe pas pesë muajsh, thotë një studim i fundit.

Personat që i kanë mbijetuar koronavirusit vazhdojnë të kenë shqetësime me shëndetin e tyre mental dhe fizik, me një në pesë persona tek të cilët janë zhvilluar paaftësi të reja, thuhet në studimin e kryer nga hulumtues në Mbretërinë e Bashkuar, shkruan CNN. Sipas studimit, personat që kishin simptoma të vazhdueshme edhe pas pesë muajsh ishin gratë e moshës së mesme të cilat ishin më të rrezikuara nga sëmundjet si diabeti, astma dhe sëmundjet e zemrës.

“Rezultatet tona tregojnë për një ngarkesë të simptomave, probleme me shëndetin mendor dhe fizik dhe dëmtim të organeve edhe pesë muaj pas kalimit të COVID-19”, ka thënë Rachael Evans, profesor i asociuar në Universitetin e Leicesterit.

Sipas tij, personave që i janë nënshtruar oksigjeno-terapisë dhe kujdesit intensiv si pasojë e COVID-19 u duhet ende më shumë kohë që ta marrin vetën.

Në këtë studim u përfshinë 1077 persona të cilët kanë dalë nga spitali mes marsit dhe nëntorit të vitit 2020 e të cilët ishin të trajtuar për shkak të COVID-19. Në mesin e personave që janë studiuar, 67% ishin të bardhë, 36% ishin gra ndërkaq 50% e tyre ishin persona të rrezikuar si pasojë e sëmundjeve të tjera shoqëruese.

Të intervistuarit ishin pyetur për gjendjen e tyre shëndetësore pesë muaj pasi e kishin kaluar virusin dhe sipas rezultateve të hulumtimit, 29% e tyre kanë deklaruar se janë rikuperuar plotësisht, derisa më shumë se 90% kanë deklaruar se kishin të paktën një simptomë të vazhdueshme.

Dhjetë simptomat më të shfaqura tek këta persona ishin: dhimbje të muskujve, sistem i ngadalësuar fizik, dobësim i kualitetit të gjumit, ënjtje, dobësim të gjymtyrëve, probleme me frymëmarrje dhe humbje e kujtesës për ndonjë periudhë të shkurtër.

Shëndeti mental ishte po ashtu i prekur me më shumë se 25% e njerëzve tek të cilët u shfaqen simptoma si ankthi dhe depresioni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat