Ankthi dhe frika, problemet më të shpeshta në pandemi

Shëndetësia

Ankthi dhe frika, problemet më të shpeshta në pandemi

Më: 25 mars 2021 Në ora: 21:34
Foto ilustrim

Ankthi, frika, çrregullimet me gjumin, janë disa nga problemet që u janë shpërfaqur njerëzve gjatë kohës së pandemisë. Kështu tha neuropsikiatri Sami Rexhepi, sipas të cilit numri i personave që po kërkojnë ndihmë mjekësore lidhur me shëndetin mendor është çdo ditë në rritje.

Pandemia me COVID-19 ka ndikuar edhe në shëndetin mendor të njerëzve. Problemet e shpërfaqura janë ankthi i gjeneralizuar, çrregullimi i plotë i gjumit, frikë e pa definuar mirë dhe përkeqësimi i rasteve që kanë pasur probleme me shëndetin mendor edhe para pandemisë.

Sami Rexhepi, neuropsikiatër, i tha Radio Kosovës se numri i personave që kërkojnë ndihmë mjekësore për shëndetin mendor është çdo ditë në rritje.

’’ Pandemia me COVID-19 është një presion shumë i madh psikologjik në popullatën në përgjithësi. Në përgjithësi shihet që numri i personave që kërkojnë ndihmë lidhur me shëndetin mendor është në rritje e sipër e pa dyshim që ky numër do të jetë shumë më i madh’’, tha Rexhepi.

Në Qendrën për shëndetin mendor në Prishtinë, puna gjatë pandemisë me COVID-19 ka ndryshuar. Neuropsikiatri Sami Rexhepi, drejtor i kësaj qendre, tha se gjatë gjithë kohës u kanë ofruar ndihmë njerëzve përmes telefonit, ku janë angazhuar gjashtë ekipe psikiatrish, të cilët kanë punuar nga katër orë çdo ditë. Në secilën ekip, ndihmë kanë kërkuar mbi 15 persona.

’’ Frika nga virusi, për shkak të informatave të shumta që i kanë marrë e që nuk kanë mund që t’i përballojnë njerëzit u ka shkaktuar ankth e depresion”, shton ai.

Në anën tjetër, Shoqata e Psikologëve të Kosovës ka thënë se masat kundër pandemisë COVID -19, do të sjellin pasoja në shëndetin mendor, por se duhet mobilizim i të gjithëve në mënyrë që të fitohet kjo betejë me sëmundjen COVID-19.

Më 31 gusht, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka publikuar rezultatet e një hulumtimi mbi ndikimin e pandemisë në sistemet shëndetësore në 105 shtete të botës.

Nga të dhënat nga pesë rajone për periudhën mars-qershor 2020, dëshmohet se thuajse çdo shtet ka përjetuar ndërprerje të shërbimeve të tyre shëndetësore, dhe më të prekurat kanë qenë shtetet me të ardhura të ulëta dhe mesatare.

OBSH ka kërkuar nga shtetet që të shpenzojnë më shumë nga buxhetet e tyre për shëndetësi, sa i takon shëndetit mendor.

Ndërsa, në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë thonë se nuk ka pasur buxhet shtesë për shërbimet e shëndetit mendor. Faik Hoti, zëdhënës në këtë ministri ka thënë se për këtë çështje kanë funksionuar sikurse më parë, pasi buxheti për shëndetin mendor ekziston.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat