Përgjigjet e pyetjeve të sikletshme që ka çdo grua e cila lind për herë të parë

Shëndetësia

Përgjigjet e pyetjeve të sikletshme që ka çdo grua e cila lind për herë të parë

Më: 30 mars 2021 Në ora: 22:16
Foto ilustrim

Kur të diskutoni me mjekun për dhimbjet dhe procesin e lindjes, mos kini turp apo drojë të bëni pyetje. Për shembull, ndoshta doni të dini:

Po sikur gjatë dhimbjeve të lindjes të kem ndjesinë e të shkuarit në tualet? Disa femra mund të urinojnë çdo dy orë, dhe me siguri, mjeku do t’ju inkurajojë që ta bëni edhe ju. Një fshikëz e mbushur mund të ngadalësojë zbritjen e foshnjës në legen. Megjithatë, gjatë kohës kur keni kontraktime, mund të jetë pak e vështirë të kuptohet nëse fshikëza është e mbushur, veçanërisht nëse keni përdorur epidurale. Ka raste kur nuk dëshironi të lëvizni nga frika se mos përkeqësoni kontraktimet. Mjekët mund t’ju sjellin një oturak apo t’ju ndihmojnë ta zbrazni fshikëzën me kateter. Një sasi e vogël urine mund të dalë herë pas here edhe gjatë procesit të lindjes. Kjo është më se normale dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

A duhet të pastrohet zona pubike? Me shumë gjasa, jo. Më parë praktikohej shpesh, kurse tani më rrallë, për të mos thënë që nuk bëhet fare. Pra, nuk është e nevojshme ta bëni.

Sa njerëz të huaj do të më shohin të zhveshur? Gjatë lindjes, ekipi mjekësor që do të kujdeset për ju, do të kryejë kontrolle periodike të vaginës për të parë ecurinë. Aty mund të jetë i pranishëm edhe një mjek pediatër për të ekzaminuar foshnjën menjëherë pas lindjes. Se kë tjetër dëshironi të keni në sallën e lindjes, është kryesisht në dorën tuaj, por personeli mjekësor që do të asistojë, shikon çdo ditë skena të tilla, kështu që janë mësuar me këtë përvojë sa komplekse, aq edhe të mrekullueshme. Në disa maternitete, procesi i lindjes mund të mbikëqyret edhe nga studentët e mjekësisë, në rast se nëna është dakord. Mos harroni që ata janë gjithashtu profesionistë dhe plotësisht të aftë të japin ndihmën dhe mbështetjen e duhur. Ndaj konsiderojeni si një avantazh praninë e tyre.

Çfarë ndodh nëse gjatë lindjes bërtas? Lindja është një akt fizik që kërkon mjaft angazhim dhe është normale të lëshoni pasthirrma apo rënkime që tregojnë lodhje. Rrallëherë ky proces ndodh në heshtje. Duhet një përpjekje e madhe fizike dhe emocionale për të qenë të qeta dhe për të mos nxjerrë zë. Pra, përveçse është normale, duhet të dini edhe që personeli mjekësor që do të asistojë në lindje, nuk do të çuditet.
A dëmtohet foshnja gjatë lindjes? Gjatë fazave më të vështira të lindjes, fëmija do të shtyhet për në korridorin kockor të legenit të nënës dhe më pas në kanalin e ngushtë vaginal. Megjithatë, nuk dëmtohet. Gjatë dhimbjeve intensive, rrahjet e zemrës së fëmijës ulen. Kjo mund të merret edhe si një përgjigje ndaj stresit të rrugëtimit të tij, por gjithsesi pritet të ndodhë dhe nuk është asgjë serioze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat