6 mënyra se si ndryshon trupi i një burri, kur bëhet baba!

Shëndetësia

6 mënyra se si ndryshon trupi i një burri, kur bëhet baba!

Më: 3 maj 2021 Në ora: 18:56
Foto ilustrim

Shtatzënia dhe lindja sjellin shumë ndryshime fizike dhe psikologjike në trupin e nënës, por rezulton se edhe burrat mund të përjetojnë një spektër të gjerë të ndryshimeve trupore dhe mendore kur bëhen prindër. 

- Niveli i testosteronit mund të bjerë

Një nivel i lartë i testosteronit është përgjegjës për tiparet e sjelljes si agresiviteti, konkurrenca apo tërheqja ndaj partneres. Por, kur një burrë bëhet baba, niveli i tij i testosteronit duket se ulet, duke sugjeruar që tani e gjithë vëmendja e burrit duhet të drejtohet brenda familjes, jo jashtë. Studimet sugjerojnë se burrat që tashmë kanë një partnere dhe fëmijë kanë nivele më të ulëta testosteroni në krahasim me burrat pa fëmijë dhe ata që janë ende në kërkim të një partnereje. 

- Niveli i oksitocinës dhe dopaminës rritet

Oksitocina dhe dopamina janë 2 kimikate që janë përgjegjëse për lidhjen midis një prindi dhe një fëmije. Ndërsa nivelet e testosteronit bien, efektet pozitive të oksitocinës dhe dopaminës rriten, duke e bërë një baba të ri të shijojë më shumë lojërat dhe përqafimet me bebushin e tij.

- Uljet dhe ngritjet hormonale mund të çojnë në depresion post-lindje, edhe tek burrat

Ndërsa shumë prej nesh e dinë se çfarë është depresioni pas lindjes tek gratë, pak kanë dëgjuar ndonjë gjë në lidhje me depresionin pas lindjes tek burrat. Edhe baballarët mund të jenë të prirur për depresion, duke marrë parasysh edhe uljen e nivelit të testosteronit. Ndryshimet hormonale së bashku me ngarkesën e përgjegjësive të një babai të ri i bëjnë burrat të prirur të përjetojnë çështje të shëndetit mendor.

- Mund të ndodhin edhe disa ndryshime në tru

Shkencëtarët studiuan aktivitetin e trurit në një grup baballarësh të rinj dhe rezultoi që gjatë 4 muajve të parë pas lindjes truri i tyre tregoi disa ndryshime të dukshme. Këto ndryshime i ndihmojnë ata të zhvillojnë aftësitë prindërore dhe të ndërtojnë një lidhje të fortë me foshnjat e tyre. Ndërveprimet e hershme mes babait dhe foshnjës, ndërtojnë një bazë të fortë për marrëdhënien prind-fëmijë dhe luajnë një rol të madh në zhvillimin njohës dhe shoqëror të fëmijëve.

Në veçanti, truri i një babai të ri mund të tregojë më shumë aktivitet në zonat përgjegjëse për planifikimin, zgjidhjen e problemeve dhe zbulimin e rreziqeve.

- Burrat madje, mund të zhvillojnë simptoma të shtatzënisë kur partnerja e tyre pret një fëmijë

Gjatë shtatzënisë së gruas, edhe burrat mund të kenë simptoma të lidhura me shtatzëninë si të përziera, ndryshime të oreksit, fryrje dhe dhimbje shpine. Ky fenomen quhet 'shtatzëni simpatike', ose 'couvade'. Nuk njihet zyrtarisht si problem apo gjendje mjekësore, por simptomat janë të zakonshme. 

- Burrat mund të përjetojnë nivele të larta të stresit emocional

Përgjegjësitë e prindërve mund të rezultojnë në nivele të larta stresi dhe ankthi tek baballarët e rinj, por pjesa më e rrezikshme e kësaj është që burrat shpesh mendojnë se s'duhet të kërkojnë ndihmë sepse duhet të jenë "të fortët" në sytë e të tjerëve. Kjo sjell që ata të përjetojnë stres të madh fizik dhe emocional. 

Është e rëndësishme që të dy prindërit të kalojnë kohë së bashku, duke folur për përjetimet e tyre gjatë shtatzënisë, por edhe pas lindjes së fëmijës. Një barrë e ndarë me dikë, është një barrë e përgjysmuar dhe ndonjëherë, një bisedë e sinqertë me partnerin mund të bëjë mrekulli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat