Kanceri i lëkurës, njohja e simptomave dhe faktorëve të riskut

Shëndetësia

Kanceri i lëkurës, njohja e simptomave dhe faktorëve të riskut

Më: 9 maj 2021 Në ora: 15:26
Foto ilustrim

“Mos lini pas dore kontrollin e nishaneve, si dhe bëni kujdes me ekspozimin në diell”, është ky apeli i lëshuar nga mjekët dermatologë, kundrejt riskut që paraqet Melanoma, që është një nga llojet më të rrezikshme të kancerit të lëkurës. Ndërlikimet e rënda që kjo sëmundje shkakton mund të shmangen nëse sëmundja diagnostikohet që në stadet më të hershme të saj. Sot në “Ditën Botërore të Melanomës”, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se cilët janë faktorët që ndikojnë në zhvillimin e kësaj sëmundjeje, si dhe kujdesin që duhet të tregojmë për mbajtjen e tyre nën kontoll.

Melanoma zhvillohet në qelizat ku prodhohet melanina, pigmenti që përcakton ngjyrën e lëkurës sonë. Gjithashtu, melanoma mund të formohet edhe në sy, teksa mjaft rrallë edhe në organet e brendshme si përshembull zorrët. Shkaku i melanomës nuk është ende i qartë plotësisht, por ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë (UV) të diellit apo solarëve rrit shumë rrezikun e zhvillimit të këtij lloj kanceri. Po ashtu edhe prania e nishaneve të shumtë në trup përbën një faktor risku, kjo veçanërisht në rastet kur konstatoni ndryshimin e formës së tyre.

“Melanoma mund të zhvillohet në të gjithë trupin, por më shpesh ajo zhvillohet në zonat që kanë një përqindje të lartë ekspozimi në diell, si: shpina, këmbët, krahët dhe fytyra. Mund të ndodhë që ajo të zhvillohet në sipërfaqe më pak të ekspozuara ndaj diellit, si shputa e këmbës, palma e duarve, thonjtё, membranat mukoze të organeve kavitare si: goja, rektumi, etj. Jo rrallë mund të kemi shfaqje të kësaj patologjie malinje edhe në sy, e quajtur ndryshe melanoma okulare. Këto melanoma të fshehura janë më të zakonshme në individët më lëkurë të errët”, sqarojnë ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik.

Njohja e simptomave dhe faktorëve të riskut

Shkaktari parësor i kancerit të lëkurës është ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë në diell. Po ashtu duhet të dini se ekspozimi i shpeshtë dhe djegiet e shpeshta të lëkurës nga dielli që në fëmijëri mund të shkaktojnë dëmtime të pakthyeshme, të cilat më pas mund të bëhen shkak për shfaqjen e kancerit të lëkurës. Njerëzit me lëkurë të çelët janë më të rrezikuar për të zhvilluar këtë sëmundje. Ndërkohë që njerëzit me lëkurë të errët kanë mundësi më të pakta për shfaqjen e kancerit të lëkurës, por ata përsëri preken nga dëmtimet e shkaktuara nga ekspozimi në diell, kryesisht te sytë dhe sistemi imunitar.

Njohja e simptomave të para të këtij lloj kanceri mundëson zbulimin dhe trajtimin e tij, përpara se sëmundja të përhapet dhe të bëhet kërcënuese për jetën. Një nga shenjat e hershme të melanomës është asimetria e nishanit, kufijtë e parregullt ose pamja me gunga-gunga, si edhe diametri më i madh se 6 milimetra. Shenja të tilla duhet të shihen si urgjencë për të bërë vizitën tek mjeku dermatolog. Në qoftë se sëmundja avancon, atëherë mund të ndodhë që të shfaqen edhe shenja të tjera si ajo e pruritit (kruajten), ulceracione (çarjet), e deri te rrjedhja e gjakut. Melanoma mund të trajtohet suksesshëm nëse zbulohet në kohë.

Masa më e rëndësishme për parandalimin e kancerit të lëkurës është një mbrojtje efektive nga rrezet ultravjollcë. Në këtë drejtim mjekët këshillojnë që të shmanget me çdo kusht djegia nga dielli, e për të realizuar këtë ju duhet të qëndroni në hije në orën 11:00 deri në orën 15:00, atëherë kur ngarkesa me rrezet e dëmshme është më e madhe. Po ashtu këshillohet të mbahen kapele, syze dielli dhe rroba të përshtatshme, të përdoret krem me faktor të lartë mbrojtës, të mos ekspozoni kurrë drejtpërdrejt në diell foshnjat deri në moshën njëvjeçare. Veçanërisht fëmijët ёshtё mirë të mbrohen maksimalisht nga rrezet e dëmshme të diellit.

Muaji Maj në mbarë botën është konsideruar si muaji i kancerit të lëkurës dhe e hëna e parë e këtij muaji shënon edhe “Ditën Botërore të Melanomës. Çdo vit, gjatë gjithë muajit maj në mbarë botën organizohen aktivitete të cilat sensibilizojnë njerëzit për të parandaluar dhe kapur sa më herët melanomën. Gjithashtu, kjo ditë është quajtur ndryshe edhe si dita e vetëkontrollit për melanomën, ku njerëzit inkurajohen të ekzaminojnë veten e tyre për rrezikun që kanë për të zhvilluar kancerin e lëkurës.

Zhvillimi i Melanomës, personat më të rrezikuar janë ata që kanë:

Lëkurë të bardhë. Të kesh më pak pigment melanine në lëkurë do të thotë të kesh më pak mbrojtje ndaj rrezeve UV. Nëse keni flokë biondë apo të kuq, quka apo digjeni shpejt nën rrezet e diellit, ju keni më tepër mundësi të zhvilloni melanoma.

Djegie nga dielli. Një apo më shumë episode të djegies së lëkurës nga rrezet e diellit në fëmijërinë tuaj mund të rrisin rrezikun e melanomës në moshën adulte.

Ekspozim të tepruar ndaj rrezeve ultravjollcë të diellit, i cili rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit të lëkurës.

Nishane të shumta apo nishane të pazakonta në pjesë të ndryshme të trupit. Të paturit më shumë se 50 nishane të zakonshme në trup tregon një rrezik të lartë për të zhvilluar melanomë. Gjithashtu, edhe ekzistenca e nishaneve të pazakonta tregon për një tendencë ndaj mundësisë së zhvillimeve malinje në lëkurë.

Histori familjare të melanomës. Nëse një i afërm, prind, fëmijë apo vëlla ka patur melanomë, individi ka një mundësi më të madhe për ta zhvilluar atë.

Sistem imunitar të dobësuar. Në këtë kategori futen të gjithë pacientët me HIV/AIDS dhe ata që i janë nënshtruar një transplanti.

Masat që duhet të merrni:

Masa më e rëndësishme për parandalimin e kancerit të lëkurës është një mbrojtje efektive nga rrezet UV (ultravjollcë).

Duhet të shmangni me çdo kusht djegiet nga dielli

Midis orës 11:00 dhe 15:00, kur ngarkesa me rreze UV është më e madhe duhet të rrini në hije.

Kur qëndroni në diell duhet të mbani kapele, syzet e diellit dhe rroba të përshtatshme.

Duhet të përdorni kremra për mbrojtjen nga dielli me një faktor të lartë mbrojtës.

Foshnjat deri në moshën një vjeçare duhet të mos i ekspozohen kurrë drejtpërdrejt dielli.

Rekomandohet që të kontrolloni rregullisht nishanet tek mjeku deramtolog.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat