A janë vërtet aq të shëndetshme lëngjet e frutave?

Shëndetësia

A janë vërtet aq të shëndetshme lëngjet e frutave?

Më: 16 maj 2021 Në ora: 14:37
Foto ilustrim

Nga lëngu i thjeshtë i portokallit tek përzierjet e ndërlikuara të frutave, perimeveve dhe erëzave, lëngjet e frutave s’kanë qenë kurrë më popullore se gjatë viteve të fundit. Gjerësisht është e përhapur ideja se lëngjet e frutave janë  tepër të shëndetshme dhe një mënyrë e shpejtë për të marrë sasi të shumta të vitaminave, mineraleve dhe antioksidantëve, por sa e vërtetë është kjo? 

Sigurisht që janë të shëndetshme, por deri në një pikë. 

Për disa ekspertë nutricionistë, lëngjet e frutave janë po aq të dëmshme sa pijet me gaz, për sa i përket përmbajtjes së sheqerit. Ata e lidhin fiksimin me lëngjet e frutave, me përhapjen e diabetit e madje edhe problemet dentare. Ekspertët thonë dëmi që i bëhet frutit në momëntin e shtrydhjes, e bën atë të jetë shumë larg për nga vlerat ushqyese, sesa konsumimi i frutit si një e tërë. Mekanizmi i konsumimit të frutave në gjendjen e tyre fillestare, i shërben organizmit në shumë aspekte: si në rënien në peshë, ashtu edhe në përthithjen e fibrave dhe vlerave të tjera ushqyese.

Gjatë shtrydhjes, ne lëmë pas ato pjesë të frutit që përmbajnë fibrat që janë thelbësore për sistemin e tretjes e që ndihmojnë edhe në parandalimin e kancerit të zorrëve apo disa sëmundjeve autoimunitare. Fibrat gjithashtu ju bëjnë të ndiheni të ngopur për më shumë kohë çka është e dobishme për personat që përpiqen të bien në peshë, si dhe ndihmojnë në përthithjen e mineraleve si kalciumi.

Konsumimi i tepërt i lëngjeve mund të shkaktojë edhe irritim të stomakut. Frutat si portokallet dhe limonat kanë përmbajtje të larta të acidit citrik i cili mund të dëmtojë stomakun. Nutricionistët shprehen se idealja është vetëm konsumimi i frutit si një e tërë. Që nga momenti i prerjes, nga ekspozimi ndaj ajrit dhe dritës, frutat fillojnë të humbin antioksidantët dhe vlerat e tyre. Imagjinoni ç’ndodh gjatë proceseve të tjera.

Për më tepër, të gjithë e dinë se sa problem mund të jenë për t’u larë thikat e vogla të makinerive shtrydhëse ose edhe pjesët e tjera. Ato mund të bëhen vatra të baktereve që mund të çojnë në sëmundje të ndryshme, përfshirë këtu salmonela dhe E.Coli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat