Deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë, Interfobisë dhe Transfobisë

Shëndetësia

Deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë, Interfobisë dhe Transfobisë

Më: 17 maj 2021 Në ora: 07:47
Ilustrim

17 maji shënon Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë, Interfobisë dhe Transfobisë (IDAHOBIT).

Ditë kjo që vë theksin në orientimet seksuale, identitetet gjinore dhe karakteristikat e seksit. Kriza nga pandemia COVID-19, edhe në vitin 2021 po vazhdon të sfidojë të gjitha komunitetet, e posaçërisht ata persona që përballen me forma të shumta të diskriminimit, duke përfshirë personat LGBTIQ+. Në mënyrë që të adresohen me të vërtetë ndikimet dhe pasojat e pandemisë, nevojat e personave më të rrezikuar dhe më të prekur duhet të trajtohen me shumë urgjencë.

Kufizimet në lirinë e lëvizjes vazhdojnë të pengojnë qasjen në trajtim dhe kujdes mjekësor për personat transgjinor dhe jo binarë të cilët kanë kërkesa specifike shëndetësore. Edhe para pandemisë COVID-19, personat LGBTIQ+ shpesh janë përballur me dhunë dhe diskriminim që ka pamundësuar ushtrimin e plotë të të drejtave të njeriut, pavarësisht që Kushtetuta e Republikës së Kosovës i garanton këto të drejta pa kompromis. Prandaj, në këtë ditë duhet të flasim kundër dhunës, diskriminimit dhe të gjitha shkeljeve të të drejtave dhe dinjitetit me të cilat përballen personat LGBTIQ + në Kosovë.

Sot, më 17 maj, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë, Interfobisë dhe Transfobisë i bëjmë thirrje: - institucioneve të rendit dhe ligjit që të ushtrojnë detyrat e tyre në mënyrë profesionale për të zbardhur krimet e urrejtjes në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor dhe që kryesit e krimeve të marrin dënimin e merituar ashtu siç parashihet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës; - institucioneve të rendit dhe ligjit që të jenë më proaktiv në ndjekjen e personave të cilët përdorin gjuhë të urrejtjes ndaj personave LGBTIQ+; - Ministrisë së Drejtësisë që në Draft Kodin Civil të bëjë plotësim/ndryshimet e duhura dhe të marr me shumë seriozitet rekomandimet tona për të rregulluar të drejtën e martesës dhe krijimin e familjes për të gjithë qytetarët e vet pa dallim, ashtu siç e garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës; - Ministrisë së Punëve të Brendshme që sa më shpejtë të funksionalizojnë grupin punues për plotësim/ndryshimin e Ligjit për Gjendjen Civile si dhe të hartojë ligjin e veçantë që t’iu mundësojë personave transgjinor ndryshimin e gjinisë/seksit në regjistrat civil dhe dokumentet publike; - Ministrisë së shëndetësisë që të ofroj shërbime shëndetësore specifike dhe të nevojshme për personat transgjinorë siç është terapia hormonale dhe intervenimet kirurgjike të përshtatjes së gjinisë; - Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit që urgjentisht të korigjojë të gjitha tekstet shkollore me informata të gabuara karshi çështjeve LGBTIQ+, material i cili kontribuon në rritjen e paragjykimeve, stigmës dhe diskriminimit ndaj personave LGBTIQ+;

Ne, të gjithë së bashku, duhet të kontribuojmë në përpjekjen për t'i dhënë fund diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe krimit të urrejtjes ndaj personave LGBTIQ+ dhe të krijojmë një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosoves, sepse vetëm SË BASHKU MUNDEMI.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat