‘10 herë më shumë antitrupa’, çfarë sjell kombinimi i vaksinave të ndryshme?

Shëndetësia

‘10 herë më shumë antitrupa’, çfarë sjell kombinimi i vaksinave të ndryshme?

Më: 11 qershor 2021 Në ora: 06:45
Ilustrim

Sipas një studimi të fundit gjerman, kombinimi i vaksinave AstraZeneca dhe BioNTech shkakton një përgjigje imune jashtëzakonisht më të fortë në krahasim me bërjen e të dyja dozave nga e njëjta vaksinë.

Pas mori aprovimin nga Agjencia Europiane e Barnave në janar, vaksina AstraZeneca kundër COVID-19 u administrua tek të gjithë të rriturit në Gjermani.

Pasi u zbulua se veçanërisht gratë e reja që morën dozën e kësaj vaksine u përballën me një rrezik në rritje të mpiksjes të gjakut në tru, Komiteti i Përhershëm për Vaksinimin i Gjermanisë (Stiko) rekomandoi në prill përdorimin e kufizuar të AstraZeneca për njerëzit mbi 60 vjeç.

Kjo do të thoshte se disa njerëz që kishin marrë dozën e tyre të parë të AstraZeneca duhej të merrnin më pas BioNTech-Pfizer ose Moderna si dozë të dytë. Sot, të gjithë të rriturit në Gjermani, pa marrë parasysh moshën e tyre, mund të vaksinohen përsëri me AstraZeneca, nëse kanë biseduar paraprakisht me mjekun e tyre mbi rreziqet e mundshme që kjo vaksinë mund të shkaktojë.

Por një studim i ri tregon se kombinimi i dy vaksinave të ndryshme mund të jetë më efikas sesa thjesht një zgjidhje emergjente. Studiuesit në Universitetin e Saarland në Gjermaninë perëndimore kanë zbuluar se njerëzit që kanë bërë si dozë të tyre të parë vaksinën AstraZeneca dhe si dozë të dytë BioNTech-Pfizer, treguan një përgjigje imune më të fortë në krahasim me atë të pacientëve që kishin marrë dy doza të së njëjtës vaksinë.

Pra, a është momenti i duhur që të gjithë të kalojmë në këtë kombinim vaksinash? Akoma, jo.

Rezultatet paraprake

Rezultatet e Universitetit të Saarland janë paraprake dhe nuk janë vlerësuar ende plotësisht shkencërisht, theksoi universiteti në deklaratën për shtyp. Përpara se studiuesit të publikojnë zyrtarisht zbulimet e tyre, ata do të shqyrtojnë rolin që ka luajtur mosha dhe gjinia e pacientëve, dhe gjithashtu do të thellohen akoma më shumë se cilat kombinime mund të shkaktojnë efekte anësore më të rënda.

Edhe pse një vlerësim i plotë i të dhënave nuk ka përfunduar ende, ekipi që zhvilloi studimin u befasua nga rezultatet e nxjerra. “Kjo është arsyeja pse ne donim të ndajmë rezultatet tona tani dhe të mos presim që procesi i vlerësimit shkencor të përfundojë”, tha në deklaratën për shtyp, Martina Sester, profesore e imunologjisë infektive në Universitetin e Saarland.

10 herë më shumë antitrupa

Rreth 250 njerëz morën pjesë në testimin e kryer në Spitalin Universitar në Homburg, Saarland, gjatë muajve të fundit. Disa prej tyre morën dy doza AstraZeneca, disa morën dy doza BioNTech-Pfizer dhe një grup i tretë mori një dozë AstraZeneca dhe tjetrën nga BioNTech.

Studiuesit krahasuan fuqinë e përgjigjeve imune të pjesëmarrësve dy javë pas dozës së dytë.

“Ne nuk shikonim vetëm numrin e antitrupave kundër koronavirusit që ishin krijuar tek pjesëmarrësit, por edhe sa efektivë ishin të ashtuquajturit antitrupa neutralizues”, shpjegoi Sester.

“Kjo na tregon se sa të fortë janë antitrupat në parandalimin e virusit që të hyjnë në qelizat tona”.

Për sa i përket zhvillimit të antitrupave, vaksinimi me dy doza BioNTech si dhe ai i kombinuar AstraZeneca-BioNTech ishte dukshëm më efektiv sesa vaksinimi me dy doza të AstraZeneca.

Pjesëmarrësit që kishin bërë një nga dy alternativat e para të dozave prodhuan rreth 10 herë më shumë antitrupa sesa ata që kishin marrë dy doza të vaksinës AstraZeneca.

Dhe sa i takon nivelit të antitrupave neutralizues, rezultati tek personat që kishin marrë kombinimin e dozave nga vaksina të ndryshme, ishte më i lartë edhe në krahasim me ata që kishin bërë dy doza të vaksinës BioNTech, tha më tej Sester.

Meqenëse nuk ka pasur ndryshime në rekomandimet rregullatore për vaksinën BioNTech, ka pak raste të njohura të njerëzve që ka marrë një dozë BioNTech-Pfizer përpara një doze AstraZeneca.

Nxitje “e jashtëzakonshme” në prodhimin e antitrupave

Edhe rezultatet e studimit CombivacS, i kryer në 663 pjesëmarrës në Institutin Shëndetësor Carlos III në Madrid, ishin të ngjashëm me rezultatet e mësipërme. Rezultatet paraprake të studimit u raportuan në revistën shkencore Nature.

Ashtu si rezultatet nga Universiteti i Saarland, ato nuk janë ende përfundimtare dhe botimi në Nature është një përmbledhje e asaj që studiuesit në Spanjë kanë zbuluar deri më tani, dhe jo një artikull i plotë, i rishikuar edhe nga kolegët.

Dy të tretat e pjesëmarrësve morën një dozë të vaksinës BioNTech-Pfizer pas dozës së tyre të parë AstraZeneca.

Magdalena Campins, një prej studiueseve në studimin CombivacS në Spitalin Universitar Vall d’Hebron në Barcelona, ??raportoi se ata që kishin marrë kombinimin e plotë të vaksinave filluan të prodhonin nivele shumë më të larta të antitrupave pas dozës së tyre të dytë.

Kombinimi i vaksinave “duhet të merret seriozisht në konsideratë”

Kombinimi i vaksinave AstraZeneca dhe BioNTech-Pfizer duket të jetë një mënyrë premtuese për të imunizuar njerëzit kundër COVID. Kjo jo për faktin se të dyja vaksinat kanë ngjashmëri me njëra-tjetrën. Ato përfaqësojnë dy lloje të vaksinave COVID që janë aktualisht në treg.

AstraZeneca është një vaksinë tradicionale vektoriale, që përdor një lloj të padëmshëm të një virusi tjetër për t’i dhënë udhëzime qelizave njerëzore, që të prodhojnë antitrupa kundër koronavirusit.

BioNTech jab është një vaksinë mRNA, një lloj i ri i metodës së imunizimit. Vaksinat mRNA mësojnë qelizat njerëzore si të krijojnë një proteinë që nga ana tjetër shkakton një përgjigje imune dhe prodhimin e antitrupave.

Studiuesit nuk kanë ende informacion të mjaftueshëm për të ditur pse kombinimi i këtyre dy vaksinave mund të rezultojë në rritjen e imunitetit. Profesorja e Universitetit të Saarland, znj. Sester, tha se ajo ishte duke pritur të shihte më shumë hulumtime të bëra për kombinimin e llojeve të ndryshme të vaksinave dhe mënyrën se si ato ndërveprojnë me njëra-tjetrën.

“Ne besojmë se nëse ekipet e tjera kërkimore arrijnë në përfundime të ngjashme me tonat, kombinimi i vaksinave vektoriale dhe mRNA duhet të merret seriozisht në konsideratë”, përfundoi ajo./DW/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat