CDC u bën thirrje grave shtatzëna të vaksinohen: Ç'tregojnë të dhënat?

Shëndetësia

CDC u bën thirrje grave shtatzëna të vaksinohen: Ç'tregojnë të dhënat?

Më: 30 shtator 2021 Në ora: 11:07
Foto ilustrim

Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) lëshuan një rekomandim urgjent të mërkurën, 29 shtator, për gratë shtatzëna dhe ato që kanë lindur kohët e fundit - për t'u vaksinuar kundër koronavirusit.

Gratë që përpiqen ose planifikojnë të mbeten shtatzënë dhe ato që ushqejnë me gji gjithashtu duhet të vaksinohen - por vetëm 31% e grave shtatzënë janë vaksinuar, sipas CDC. Rezultati: mijëra gra shtatzëna në spital dhe më shumë se 160 të vdekur.

"CDC rekomandon fuqimisht vaksinimin kundër Covid-19 para ose gjatë shtatzënisë sepse përfitimet e vaksinimit tejkalojnë rreziqet e njohura ose të mundshme," tha agjensia në një alarm shëndetësor. "Deri në 27 shtator 2021, më shumë se 125,000 raste të konfirmuara janë raportuar tek gratë shtatzëna, duke përfshirë më shumë se 22,000 raste të shtruara në spital dhe 161 vdekje në SHBA".

Prej tyre, afërsisht 97% e grave ishin të pavaksinuara. Rreziku nuk është vetëm për nënën. Covid-19 në shtatzëni mund të shkaktojë lindje të parakohshme ose foshnje të lindura aq të sëmura saqë duhet të shkojnë direkt në njësinë e kujdesit intensiv neonatal. Janë raportuar edhe rezultate më negative, si lindja e vdekur. 

Shtatzënia mund të jetë një periudhë e veçantë, por stresuese dhe në mes të një pandemie, stresi është edhe më i shtuar. Drejtori i CDC, dr. Rochelle Walensky, thotë se "inkurajon fuqimisht gratë shtatzëna ose ato që po konsiderojnë shtatzëninë të flasin me mjekët për përfitimet mbrojtëse të vaksinës".

Rochele thotë se "disa antitrupa kalojnë tek foshnja duke mbrojtur potencialisht dhe fëmijën". Ashtu si me gripin, proteinat e sistemit imunitar të aktivizuar në trupin e nënës udhëtojnë tek fëmija i saj i palindur. 

Edhe dr. Dana Meaney Delman, drejtuese e CDC për imunizimin e nënave, shton:

"Ne dimë që gratë shtatzëna më Covid mund të sëmurën shumë. Disa do të humbin jetën, të tjera do përjetojnë shtatzëni të komplikuar, ose komplikime gjatë lindjes. Ne e dimë se për shkak të Covid disa fëmijë do të rriten pa nënat e tyre. Vaksinat kundër Covid-19 janë të sigurta dhe efektive. Nëse jeni shtatzënë, pas lindjes, ushqeni me gji, po përpiqeni të mbeteni shtatzënë tani ose mund të mbeteni shtatzënë në të ardhmen, ju lutem vaksinoheni."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat