Austria mbështetje Shqipërisë për drejtimin e OSBE-së

Shqipëria

Austria mbështetje Shqipërisë për drejtimin e OSBE-së

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 11:58
Pamje nga takimi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti në takim Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Republikës të Austrisë, Wolfgang Sobotka, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Ministri Bushati vlerësoi nivelin e lartë të dialogut politik midis të dy vendeve, si dhe  angazhimin personal të Sobotka për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, në këtë drejtim ministri Bushati theksoi se Shqipëria i ka dhënë rolin e partnerit strategjik Austrisë.

Në takim u përshëndet kontributi konkret që jep parlamenti austriak përmes diplomacisë parlamentare dhe puna e Grupeve parlamentare të Miqësisë mes dy vendeve tona.

Ministri Bushati vlerësoi punën konstruktive të Presidencës austriake të BE-së, sidomos sa i takon mbështetjes së perspektivës evropiane e rajonit dhe e Shqipërisë, në përshpejtimin e reformave dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal. Ai e informoi z. Sobotka edhe për reformën dhe veçanërisht për zbatimin e vetingut.

Sobotka i cilësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet bilaterale mes vendeve tona, duke vlerësuar veçanërisht aktivitetet në kuadër të Vitit Kulturor Shqipëri – Austri 2018, të cilat sjellin më afër popujt tanë. Në planin shumëpalësh u shpreh mbështetje dhe vlerësim për aspiratat tona në drejtimin e OSBE-së.

Palët vlerësuan zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, duke ndarë të njëjtin mendim për potencialin që ekziston në zhvillimin e tyre të mëtejshëm. U shpreh besimi se vizita e para disa ditëve e Kryeministrit Rama në Vjenë, në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës, takimet me Kancelarin Kurz dhe Forumi i Investimeve do t‘i japin një shtytje të mëtejshme këtyre raporteve. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat