Nëse Toka do të ishte e rrafshët do ta shihnim Diellin natën

Shkencë & Teknologji

Nëse Toka do të ishte e rrafshët do ta shihnim Diellin natën

Më: 9 prill 2019 Në ora: 17:48
Harta

Pavarësisht shumë provave, vitet e fundit ka pasur një numër në rritje të atyre që besojnë se planeti ynë është i sheshtë.

Shoqëria Flat Earth në vitin 2020 do të nisë një rrugëtim “deri në buzën e Tokës”, të cilën ata premtojnë të jetë aventura më e mirë.

Në shikim të parë, duket e rrezikshme për të filluar një aventurë të tillë, pasi lind pyetja nëse anija "në fund" thjesht rrëshqet nga buza? Megjithatë, nuk ka frikë, pasi ata që mbështesin teorinë, thonë se ‘Antarktida është në fakt një mur i madh akulli që mbron kundër gjithçka pas saj’.

"Prapa murit të akullit është ajo që na intereson më së shumti. Për sa kohë që ne e dimë, askush nuk ka shkuar kurrë prapa murit të akullit dhe të tregojë se çfarë ka," thonë anëtarët e shoqatës, transmeton KosovaPress.

Mbetet për t'u parë se çfarë do të ndodhë kur mbështetësit e teorisë së Tokës së rrafshët nuk do të gjejnë pas Antarktikut mure akulli. Sidoqoftë, duke ditur se si funksionojnë teoritë e konspiracionit, është e sigurt se një shpjegim do të gjendet tashmë, andaj nuk duhet pritur që kjo teori të zhduket shpejt nga interneti.

Por, si do të dukej jeta në Tokë sikur ajo të mos ishte e rrumbullakët?

Nuk do të binim nga skaji i Tokës

Forca e gravitetit, sipas NASA-s, është forca me të cilën një planet ose një trup tjetër tërheq një trup tjetër drejt qendrës. Meqenëse Toka është e rrumbullakët si një top, të gjitha gjërat në sipërfaqen e saj tërhiqen në të njëjtin drejtim - drejt qendrës. Forca e gravitetit do ta bënte krejtësisht të pamundur që Toka të ishte e rrafshët.

Nëse Toka do të ishte vërtet e rrafshët dhe se graviteti do të sillej si zakonisht, afrimi në skajet e Tokës do të ishte si ecja në një mal të pjerrët dhe kjo për shkak se graviteti do të tërhiqte drejt qendrës. Pra, në të vërtetë, ne nuk do të ishim në gjendje të binim nga Toka.

Errësimi i Hënës do të ishte i mërzitshëm

Hija që kalon mbi Hënën gjatë eklipsit është provë se Toka është e rrumbullakët. Nëse Toka ishte një pjatë e sheshtë, eklipsi i hënës do të ishte i mërzitshëm dhe i shëmtuar. Vetëm imagjinoni Hënën me një hije të një brezi të hollë.

Sportet do të ishin të çuditshme

Në një tokë të sheshtë, sportet duhet të luhen vetëm afër qendrës së saj, ku graviteti vepron si në tokën e rrumbullakët. Pra, sportet duhet të zhvilloheshin në Polin e Veriut, dhe një përvojë më pak e ftohtë do të ishte më afër skajeve të Tokës, gjë që do ta bënte topin sportiv shumë të komplikuar. Pra, topi i hedhur do të rrëshqiste përsëri në qendër të diskut të sheshtë.

Gjeografia do të ishte ndryshe

Graviteti do të funksiononte normalisht vetëm në Polin e Veriut dhe nuk do të kishte akull mbi të. Do të ishte një vend i lagësht, pasi graviteti i shtrembëruar do të parandalonte ekzistencën e ujit në skajet e planetit. Uji do të shkonte në qendër, kështu që vendi i vetëm normal në tokë do të ishte i pabanuar.

Peizazhet në skaj të Tokës do të ishin shumë të çuditshme

Nëse Toka do të ishte e sheshtë, ka gjasa të kishte disa male të çuditshme në skajet e saj. Pemët do të rriteshin në kontrast me gravitetin, kështu që në këto pjesë ekstreme të planetit, ku graviteti tërheq në një kënd të caktuar - drejt qendrës - pemët do të rriteshin në mënyrë diagonale.

Do ta shihnim Diellin natën

Nëse Toka do të ishte e sheshtë, Dielli do të ishte shumë më i vogël dhe shumë më afër planetit, si Hëna. Dielli do të sillet si një reflektor në skenë, i cili dërgon një rreze të drejtuar të dritës në pjesët e Tokës në të cilën është ditë, ndërsa pjesa tjetër mbetet në errësirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat