Publikohen pamje nga bombardimi i asteroidit

Shkencë & Teknologji

Publikohen pamje nga bombardimi i asteroidit

Më: 24 prill 2019 Në ora: 18:01
Pamje nga video

Pamjet e pabesueshme të lëshuara nga Agjencia japoneze e hapësirës tregojnë një dërgesë me eksplozivë në asteroidin e largët Ryugu.

Agjencia japoneze për zbulimin e hapësirës ajrore (JAXA) nisi bombardimin nga anija e saj Hayabusa2 më 4 prill, duke krijuar një krater të madhësisë së një autobusi dykatësh, ndërkohë që janë bërë publike pamjet e bombardimit nga sonda hapësinore.

JAXA ka studiuar asteroidin për më shumë se një vit dhe ka kryer një sërë ndërveprimesh për të zbuluar të dhëna për origjinën e Sistemit Diellor.

Ajo fillimisht lëshoi roverin mbi sipërfaqen e asteroidit dhe më pas uli një fluturake për grumbullimin e analizave.

Në testin e tretë, JAXA ka përdorur një pajisje shpërthyese për të krijuar një krater artificial në sipërfaqen e asteroidit.

Krateri artificial duhet të nxjerrë në dritë mostra nga nën-sipërfaqja e asteroidit, duke i dhënë shkencëtarëve mundësinë për të analizuar pjesët e paprekura të tij nga kushtet e vështira të hapësirës.

JAXA planifikon të dërgojë Hayabusa2 përsëri në asteroid, për vëzhgime nga lart dhe për të mbledhur mostra nga nën-sipërfaqja e tij që nuk është ekspozuar ndaj rrezeve të diellit apo hapësirës.

Shkencëtarët shpresojnë se mostrat do të jenë vendimtare për të përcaktuar historinë e asteroidit dhe planetit tonë.

Nëse rezulton me sukses, kjo do të ishte hera e parë që një anije kozmike të merr materiale të tilla.

Në një mision të vitit 2005 në një kometë, NASA observoi fragmentet pas shpërthimit në sipërfaqe, por nuk i mori ato.

Pas lansimit të mjetit shpërthyes, fluturakja kozmike u zhvendos shpejt në anën tjetër të asteroidit për të shmangur fragmentet e shumta si rezultat i shpërthimit.

Asteroidi Ryugu, i quajtur sipas pallatit nënujor në folklorin japonez, ndodhet rreth 300 milionë kilometra larg Tokës.

Hayabusa2 aterroi me sukses në asteroid gjatë muajit shkurt, kur grumbulloi nga sipërfaqja e tij pluhur dhe mbeturina të vogla. 

Sonda është paraparë të braktisë asteroidin në fund të këtij viti dhe të sjellë fragmentet e sipërfaqes dhe mostrat në Tokë më vonë gjatë vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat