Shqiptari që e bëri të mundur shkuarjen e astronautëve në Hënë - Bota Sot
Shqiptari që e bëri të mundur shkuarjen e astronautëve në Hënë

Shkencë & Teknologji

Shqiptari që e bëri të mundur shkuarjen e astronautëve në Hënë

Më: 21 korrik 2019 Në ora: 15:07
Wilson Kokalari

Wilson Kokolari (1935-2014) ishte një inxhinier shqiptar i cili kishte qenë drejtpërdrejt i përfshirë në misionin Apollo 11 që rezultoi me shkuarjen e parë të njerëzve në hënë.

I lindur në Gjirokastër, vend ky nga kanë dalë edhe personalitete të tjera me nam, kishte qenë vetëm njëvjeçar kur familja e tij qe shpërngulur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një artikull të publikuar në nëntor të vitit 2007 në Illyria Press, thuhet që Kokalari kishte dashur të bëhej inxhinier ndonëse babanë e kishte pasur biznesmen.

Ai qe i përfshirë thellë në punën e jashtëzakonshme teknologjike dhe inxhinierike që përgatiti fluturimet historike të programit Apollo, vijon artikulli.

Kokalari kishte rol kyç aty pasi kishte qenë testuesi i fundit i sistemit si tërësi. Ai e kishte shkruar Raportin e Testit të Projektit Inxhinierik, që ishte shumë i rëndësishëm për procesin. Së pari ishte dashur të testohej i gjithë sistemi, më pas të testohej në mënyrë elektronike për ta simuluar se si do të funksiononte në Hapësirë, pa astronautët brenda anijes kozmike. Ndërkaq, në fund do të testohej i tërë sistemi si dhe anija kozmike me astronautët brenda.

Po të mos kishte pasur sukses në këto teste, nuk do të jepej licenca për të fluturuar. Programi testues ishte mijëra faqe i gjatë, dhe ishte draftuar nga inxhinieri shqiptar gjatë dy vjetëve të një pune të lodhshme, shkruan Illyrian.

Madje, Kokalari e kishte sjellë në redaksinë e kësaj gazete një kopje të njërit prej librave ku qenë shkruar hapat e testimit – libër ky i quajtur “Apollo”.

Emri i tij figuronte në faqen e ballore, dhe konsiderohej si njëri prej sekreteve më të mëdha në Amerikë në kohën kur ishte shkruar.

Astronautët e parë që shkelën në hënë, si shenjë mirënjohjeje për punën e jashtëzakonshme të atyre që e kishin bërë të mundur këtë fluturim historik, morën me vete një pllakë me emrat dhe nënshkrimet e anëtarëve të stafit teknik, përfshirë edhe atë të Wilson Kokalarit, shkruan Illyria.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...