NASA pranon propozime për landerët, të cilët do t’i transportojnë njerëzit në Hënë - Bota Sot
NASA pranon propozime për landerët, të cilët do t’i transportojnë njerëzit në Hënë

Shkencë & Teknologji

NASA pranon propozime për landerët, të cilët do t’i transportojnë njerëzit në Hënë

Më: 5 tetor 2019 Në ora: 16:19
NASA ka filluar të pranojë propozime për dizajnin e landerit hënor

Agjencia amerikane hapësinore NASA ka filluar të pranojë propozime për dizajnin e landerit hënor, i cili do të mund t’i transportojë njerëzit në sipërfaqen e Hënës.

NASA për herë të fundit i bëri thirrje industrisë komerciale hapësinore që t’i paraqesë propozimet e veta për dizajnin e landerit deri më 1 nëntor.

Landerët hënorë për njerëz janë një komponentë kyçe e programit të NASA-s Artemis, iniciativës që e nënkupton kthimin e njerëzve në Hënë. Ky projekt duhet të realizohet për më pak se pesë vjet. Këta landerë duhet të dizajnohen ashtu që të jenë pjesë e një stacioni të ri hapësinor të cilin NASA dëshiron ta ndërtojë në orbitën e Hënës, dhe do të quhet Gateway. Astronautët do të udhëtojnë në Gateway me ndihmën e raketës së ardhshme të NASA-s me emrin Space Launch System ose shkurtimisht SLS, ndërsa nga stacioni do të zbritet në Hënë.

NASA është në kërkim të landerëve që përbëhen nga dy deri në tre pjesë kryesore. Për fazën e zbritjes është e rëndësishme pjesa që do ta ulë fluturaken në sipërfaqen e Hënës, ndërsa faza e dytë e nënkupton ngritjen e astronautëve nga sipërfaqja e Hënës dhe kthimin në stacionin Gateway. Komponenti i tretë njihet si faza e transferimit, pjesa që mund t’i transportojë dy elementet e mbetura nga Gateway në orbitën më të afërt të Hënës, duke e bërë më të lehtë transportimin e gjithçkaje në sipërfaqen e Hënës dhe anasjelltas.

Kompanitë duhet të shpjegojnë në detaje se si do të arrijë landeri i tyre deri në Gateway. Ata mund të përdorin raketa komerciale si Falcon Heavy i kompanisë SpaceX, raketa e ardhshme e kompanisë Blue Origin, e quajtur New Glenn, ose raketa e ardhshme e NASA-s SLS e cila do të fluturojë jo më herët se viti 2021.

Kur t’i pranojë të gjitha propozimet, NASA do t’i zgjedhë dy kompani dhe atyre dy kompanive do t'u jepet mundësia për të bërë landere dhe për t’i dërguar ato në stacionin Gateway. Njëri lander do ta ketë detyrën për misionin e parë me ekuipazh në vitin 2024, ndërsa tjetri për misionin e dytë në vitin 2025. NASA nuk po planifikon ulje testuese në Hënë pa ekuipazh.

Disa kompani tashmë i kanë zbuluar deri diku planet e tyre. Lockheed Martin e ka zbuluar dizajnin e landerit hënor të bazuar në kapsulën Orion, e cila do të përdoret nga astronautët e NASA-s në kombinim me raketën SLS. Jeff Bezos e prezantoi konceptin e landerit hënor të kompanisë Blue Origin në maj dhe pohon se ai po zhvillohet tash tre vjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...