Metali i rrallë, që vlerësohet si ‘thesari i fshehur’ në kompjuterët që nuk i përdorni më

Shkencë & Teknologji

Metali i rrallë, që vlerësohet si ‘thesari i fshehur’ në kompjuterët që nuk i përdorni më

Më: 11 qershor 2020 Në ora: 00:10
Foto ilustrim

Çfarë do të bëni me një hard disk të vjetër, lloji që ende mund të gjendet brenda shumicës së kompjuterëve, pasi të arrijë “në fund të jetës së tij”?

Nëse Allan Walton ka gjetur rrugën e duhur, pjesë të një hard disku të cilin mund ta keni hedhur në mbeturina, mund të jenë një shtytës i veturës suaj të radhës, duke supozuar se ajo mund të jetë elektrike.

Sipas BBC, bëhet fjalë për profesorin e Universitetit të Birminghamit që është një drejtor në firmën Hypromag, e cila ekstrakton dhe riciklon magnetet nga hard disqet e përdorur.

Po sipas shkrimit në fjalë, Neodimi është një metal i rrallë i tokës – element kimik që konsiderohet përbërës thelbësor në shumë teknologji që duhet të kenë sot, nga telefonat inteligjentë deri tek ekranet televizive.

Neodimi përdoret, ndër të tjera, për të bërë magnete që rrotullojnë motorët në automjetet elektrike.

Dhe profesor Walton beson se në 10 vitet e ardhshme, kompania e tij mund të riciklonte Neodim të mjaftueshëm për të përmbushur një të katërtën e kërkesës së Mbretërisë së Bashkuar – pothuajse e gjithë kjo e importuar aktualisht nga Kina.

Pasi automjetet elektrike të bëhen gati dhe të fillojnë punën, ato shihen gjerësisht se janë më miqësore me mjedisin sesa veturat me një motor me djegie të brendshme.

Nëse kujtojmë Tabelën periodike të Elementëve nga lënda e kimisë në shkollën e mesme, termi “rare earths”, elementë të rrallë të tokës, i referohet një grupi prej 17 elementesh të Tabelës së Mendelejevit, (me numër atomik nga 57 deri në 71), të cilat njihen si lanthanide. Ato kanë karakteristika të ngjashme metalike, por veti të ndryshme nga metalet e tjera. Kjo është pikërisht arsyeja përse ato janë me kaq vlerë.

Katër vjet më parë në Universitetin e Birminghamit, profesor Walton dhe mentori i tij, profesor Rex Harris, zbuluan se rrjedhja e gazit të hidrogjenit nëpër disqet e vjetër i kthen magnetet në pluhur, i cili mund të “korret”, ri-paketohet dhe “vishet”, për tu bërë magnet të rinj.

Kështu, që siç vlerësohet më tej, jo vetëm që projekti do të ofrojë një zgjidhje për tregun e rrallë të metaleve të rralla të tokës, por kjo do të thotë se mund të shndërrohet në një lloj biznesi.

Në këtë drejtim, Hypromag pret që të shpallë një marrëveshje me kompaninë e makinave në Mbretërinë e Bashkuar, Bentley.

Ajo ka marrë një grant prej 2.6 milionë funtesh nga Innovate UK dhe një gjysmë milioni funtesh investime dhe partneritet të mëtejshëm nga një minierë e vogël afrikane, Mkango.

Sidoqoftë, zgjidhja e Hypromag do të përmbushë vetëm një pjesë të kërkesës në rritje për metale të rralla të tokës, kërkesa të cilat analistët vlerësojnë se do të dyfishohen deri në vitin 2025.

Profesor Walton beson se nëse Britania vepron tani dhe krijon një industri të rrallë riciklimi të këtyre metaleve, ajo mund të bëhet një lider botëror.

Madje, vlerësohet se mundësia është e madhe, me shumë teknologji në zhvillim si 5G që kërkojnë metale të tilla, në krye të nevojës në rritje për teknologji të vendosur siç janë aparate telefonike, mikroprocesorë dhe turbina me erë.

Sidoqoftë, arsyeja kryesore që metalet e rralla janë krahasuar me naftën, janë politikat qeveritare që do të rritin kërkesën për automjete elektrike.

Pas vitit 2025, Holanda nuk do të shesë vetura me benzinë apo naftë. Mbretëria e Bashkuar dhe Franca janë zotuar ta përmbushin këtë qëllim deri në vitin 2040 ndërsa këtë vit Kina synon që 12% e makinave të shitura në vend të prodhojnë zero emetime.

Siç theksohet në shkrimin e BBC, kur bëhet fjalë për prodhimin e metaleve të rralla dhe magneteve të bëra prej tyre, Kina është lideri botëror – së paku deri më tani.

Vendi gjendet në krye të tregut sepse kompanitë e tij mund të minojnë dhe t’i përpunojnë ato në vend në produkte të gatshme.

Kështu, siç bëhet e ditur, më shumë se 70 për qind e produkteve të tilla eksportohen nga Kina.

Veç kësaj, metalet e rralla të tokës janë pjesë e planit Made in China 2025 për t’u bërë prodhuesi kryesor në botë.

Por ndërsa Kina eksporton produkte të përpunuara, burimet natyrore të vendit nuk janë të pasura me lloje më të rënda të metaleve të rralla të tokës që janë më së shumti në kërkesë, si Neodimi i përdorur për magnet makinash.

Andaj, Amerika, Britania e Madhe dhe Evropa po përpiqen të ndërtojnë zinxhirë furnizimi për metale të rralla jashtë Kinës.

Në këtë drejtim, më 13 maj, legjislacioni u vendos para legjislatorëve amerikanë, që synonin t’i jepnin industrisë zbritje të taksave – 50 milionë dollarë në fonde u caktuan gjithashtu për start-up minierat në SHBA.

Në anën tjetër, në BE, fondi Horizon 2020 ka filluar një iniciativë për të ndërtuar një zinxhir furnizimesh në disa vende evropiane dhe nordike, përfshirë Britaninë.

Veç këtyre, në Mbretërinë e Bashkuar, metalet e tokës së rrallë janë integrale për strategjinë industriale të qeverisë, sipas Jeff Townsend, i cili këtë vit ngriti një firmë lobuese për të përfaqësuar interesat e industrisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat