Hija dixhitale e pandemisë

Shkencë & Teknologji

Hija dixhitale e pandemisë

Më: 16 tetor 2020 Në ora: 23:14
Foto ilustrim

Qeveritë në gjithë botën kanë shfrytëzuar pandeminë e koronavirusit, si arsye për të zgjeruar vëzhgimin online si dhe mbledhjen e informacioneve, më pas censurimin e fjalës kritike dhe ndërtimin e sistemeve teknologjike për kontroll shoqëror, thuhet në raportin më të ri të organizatës që merret me demokraci dhe të drejta të njeriut, Freedom House.

Liria në Internet më 2020, është raport që ka përfshirë 65 shtete, të cilat përbëjnë 87 për qind të përdoruesve të internetit në gjithë botën.

Raporti fokusohet në zhvillimet që kanë ndodhur në periudhën qershor 2019 – maj 2020.

Qarkullimi i shpejtë i inteligjencës artificiale dhe mbikëqyrja biometrike – me qëllim të adresimit të krizës së shëndetit publik – ka krijuar rreziqe të reja për të drejtat e njeriut. Aplikacionet e telefonave të mençur për gjurmim apo vëzhgim të masës së karantinës, janë prezantuar në 54 prej 65 shteteve që janë përfshirë në këtë raport.

Aty është thënë se pak shtete kanë mekanizma për mbrojtje të të dhënave personale kundër praktikave abuzive nga shteti apo sektori privat.

Liderët politikë janë duke shfrytëzuar pandeminë si pretekst për të censuruar lajmet që nuk janë në të mirë të tyre, që të arrestojnë kritikë apo grupe fetare e etnike. Në të paktën 45 shtete, aktivistët, gazetarët dhe pjesëtarë të publikut, janë arrestuar apo akuzuar me padi penale për fjalimet online të lidhura me pandeminë.

Qeveritë në të paktën 28 shtete kanë censuruar faqet online dhe postime në rrjetet sociale për të shtypur statistika të pafavorshme shëndetësore, pretendime për korrupsion dhe përmbajtje tjetër të lidhur me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Asnjë qeveri nuk ka pasur qasje më agresive ndaj krizës së shëndetit publik sesa Kina, e cila është kthyer në abuzuesen më të keqe të lirisë në internet për të gjashtin vit me radhë.

Autoritetet kineze kanë kombinuar mjetet e teknologjisë së lartë dhe asaj të ulët për të menaxhuar shpërthimin e koronavirusit, mirëpo edhe për të luftuar përdoruesit në internet nga shpërndarja e informacionit prej burimeve të pavarura, të cilat mund të sfidojnë narrativën zyrtare.

Pandemia është duke normalizuar një lloj të autoritarizmit digjital, të cilin e ka synuar për një kohë të gjatë Partia Komuniste Kineze.

Ky vit ka qenë edhe dëshmitar i “copëtimit” të nismës, dikur të ngadaltë por tani të përshpejtuar, për “sovranitet kibernetik”, pasi shumë shtete janë duke vendosur kufizime për rrjedhën e informacionit nëpër kufijtë e tyre kombëtarë.

Si liderët demokratë, ashtu edhe ata autokratë kanë vendosur bllokada arbitrare në aplikacione popullore të huaja, të cilat u kanë ofruar mundësi kompanive që të ruajnë të dhëna në serverët lokalë dhe në përgjithësi kanë dështuar të krijojnë zgjidhje transnacionale që do të ruanin internetin të hapur, të lirë dhe të sigurt.

Ky raport mat nivelin e lirisë në internet në 65 shtete. Secili shtet fiton pikë, ku 100 përbën vendet me internetin me të lirë dhe 0 me kufizimet më të mëdha. Nga 0 deri në 39 pikë, vendet konsiderohen si jo të lira, 40 deri në 69 mesatarisht të lira dhe 70 deri në 100, të lira.

Vlerësimet besohen në analizimin e këtyre kategorive: problemet në qasje, duke përfshirë kufizimet infrastruktore, ekonomike dhe politike kufizimet në përmbajtje, duke analizuar rregulloret ligjore në përmbajtje shkeljet në të drejtat e përdoruesve; këtu analizohen mbrojtjet ligjore dhe kufizimet në fjalën e lirë, vëzhgimet dhe privatësia.

Në mesin e vendeve me internet të lirë në botë janë: Islanda, Estonia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Hungaria, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Australia, Japonia, Argjentina, Gjeorgjia, Armenia.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat