PlexusVR: Pasioni për teknologjinë që ndërtoi lojën e parë Shqiptare të realitetit virtual certifikuar nga Oculus

Shkencë & Teknologji

PlexusVR: Pasioni për teknologjinë që ndërtoi lojën e parë Shqiptare të realitetit virtual certifikuar nga Oculus

Më: 19 tetor 2020 Në ora: 16:04
Foto ilustrim

Një prej startupeve më premtuese të edicionit të parë të Uplift Albania, PlexusVR është pranuar zyrtarisht në dyqanin e Oculus dhe zotëron të drejtën për të shitur licenca të lojës “puzzle” të realitetit virtual.

Vitin e kaluar startupet e realitetit të shtuar (AR) dhe realitetit virtual (VR) ngritën investime prej më 3 miliardë dollarë.

PlexusVR ju bashkua edicionit të parë të Uplift Albania së bashku me 6 startupe të tjera të cilat arritën finalen e Demo-Day. Një prej ideve më të spikatura, PlexusVR u përzgjodh nga një prej partnerëve kryesor të Uplift Albania, EU for Innovation për tju bashkuar Programit “Matchmaking and Exposure” në Berlin.

Loja e PlexusVR do të shitet në dyqanin e Oculus për 9.99 dollarë dhe tashmë ka arritur të gjenerojë në vetëm tre ditë plot mbi 1,000 dollarë të ardhura. Gjithashtu janë përzgjedhur për tu bërë pjesë e komunitetit të zhvilluesve të Facebook. Në këtë intervistë për PCWorld.al PlexusVR zbulon zhvillimet e fundit dhe planet mbi të ardhmen e startupit.

1. Për lexuesit tanë, një përshkrim të idesë që fshihet pas PlexusVR, si filloi ajo?

PlexusVR: PlexusVR: pleXus është një lojë e ndërtuar për VR dhe është produkti i parë shqiptar i publikuar në platformën globale të Facebook për realitetin virtual.  Kjo lojë kategorizohet në zhanret aventure, puzzle dhe narrativ. pleXus lindi nga pasioni për teknologjinë, dhe sidomos për gaming. Dëshira ka qenë gjithmonë e pranishme për të ndërtuar një lojë, e cila perveçse argëtuese, të ishte edhe gjithëpërfshirëse, duke futur në veprim edhe aftësitë deduktive të lojtarit. Ideja për të krijuar një produkt origjinal shqiptar, ishte një tjetër shtysë shumë e madhe për të krijuar pleXus. Për të krijuar një ide më konkrete mund të shikoni trailerin zyrtar në: https://www.youtube.com/watch?v=d16tmpE4BqU

2. Rrugëtimi i PlexusVR dhe cili është potenciali që shihni?

PlexusVR: Rrugëtimi i pleXus ka qenë mjaft i veçantë, pasi është një produkt shqiptar që synon një treg global. Në këtë kontekst, është thelbësore të lësh pas kornizat lokale të të konceptuarit dhe në të njëjtën kohë të jesh besimplotë në atë që ti po krijon. Pikërisht nisur nga kjo, gjithmonë kemi menduar në këtë rrugëtim se mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen, është ta krijosh atë. Tanimë, kur kjo e ardhme ka mbërritur, jemi duke e gjetur veten krahas studiove më të mëdha globale të lojërave dhe në të njëjtën kohë jemi të lumtur që produkti ynë vendos Shqipërinë në këtë skenë botërore dhe është duke u përdorur si reference që edhe në vendin tonë mund te inovosh.

3. Si funksion dhe çfarë teknologjish janë përdorur për zhvillimin e saj?

PlexusVR: Loja që ne kemi krijuar funksionon nëse zotëron një pajisje Oculus Quest, Rift ose Rift S, të cilat janë pajisje të prodhuara nga Facebook me te cilët ne tanimë jemi partnere të drejtëpërdrejtë. Për ta ndërtuar është përdorur Unity si game engine, C# për të bërë logjikën e lojës, Blender për të krijuar modelet 3D dhe Substance Painter për të ndërtuar materialet të cilat i japin ambientit jetë.

4. Çfarë nevojitet në mënyrë që të provojmë eksperiencën e PlexusVR?

PlexusVR: pleXus mund të aksesohet në keto momente, nga Oculus Store. Që të mund të luhet, duhet që përdoruesi të ketë një pajisje që mundësohet nga Facebook (Oculus Quest, Quest 2, Rift ose Rift S).

Shumë shpejt, baza e ketyre pajisjeve do të rritet sepse loja do të jetë e aksesueshme edhe nga SteamVR. Steam është platforma më e madhe në botë për shpërndarjen e lojrave PC. Në këtë mënyrë synojmë të shumëfishojmë bazën e lojtareve, pasi loja do të mund të luhet nga kushdo që ka në zotërim një pajisje si: Valve Index, HTC Vive, HTC Vive Pro, HTC Vive Cosmos, Razer OSVR, Acer AH101, Pimax 4K, 5K, 5K Plus, 8K dhe 8K Plus, Samsung Odyssey dhe Odyssey +, Dell Visor, Lenovo Explorer, Varjo VR-1 dhe VR-2.

5. Adoptimi i teknologjive të realitetit virtual duket në fazat e para. Por do të dëshironim të dinim si e shikoni interesin për këtë teknologji dhe disa statistika për PlexusVR në veçanti?

PlexusVR: Vërtet, realiteti virtual është në fillimet e veta, por njerëzit kanë filluar ta kuptojnë si teknologji dhe të mirat që ajo sjell, shoqëruar edhe me anën argëtuese që ajo ofron. Ne kemi patur reagime shumë pozitive nga përdorues të vendeve të ndryshme të botës si SHBA, Angli, Kanada, Gjermani, Suedi etj. Në 5 ditët e para kemi patur me qindra kopje të shitura, ku pjesa me e madhe e përuruesve është nga SHBA, dhe kemi një rating prej 4.9/5 në store.

6. Si e përshkruani eksperiencën tuaj në Uplift Albania dhe si ka ndikuar programi i akselerimit tek PlexusVR?

PlexusVR: Uplift ka qenë një program i cili na ka ndihmuar jashtëzakonisht. Takimet me investitorët gjatë programit, na kanë mundësuar financimin për të vazhduar projektin që kishim filluar të ndërtonim.  Të ndërtosh një produkt të tillë të duhet shumë informacion dhe njohuri, dhe një pjesë e madhe e tyre janë adresuar gjatë seancave të trajnimit gjatë programit. Ne do të inkurajonim të gjitha startupet shqiptare, të aplikonin dhe te merrnin pjesë në Uplift Albania.

7. Në botën e startupeve investimi është jetik për të ardhmen. Si qëndron PlexusVR në raport me investimet? Apo jeni vetëfinancuar?

PlexusVR: Nga Uplift Albania kemi patur një investim fillestar që na ka ndihmuar shumë të arrijmë deri në këtë pikë ku jemi, lançimin e produktit në store. Tani mendojmë që produkti mund të sigurojë vazhdimësinë e kompanisë.

8. Çfarë mund të na thoni për zhvillimet e fundit si hyrja në Oculus Marketplace apo në komunitetin e zhvilluesve të Facebook?

PlexusVR: Procesi për të hyrë në Oculus Store ishte mjaft i vështirë, pasi produkti shihet me shumë detaje nga specialistë të fushës që sigurohen që çdo gjë të jetë e saktë si nga ana teknike ashtu edhe nga ana e përmbajtjes. Kemi patur komunikime të shpeshta me skuadrën e Oculus që si përfundim rezultuan me sukses dhe ne jemi tani pjesë e komunitetit të madh të Facebook.

9. Çfarë premton e ardhmja për PlexusVR dhe çfarë mendoni se e bën të suksesshëm?

PlexusVR: pleXus është një lojë e cila është sfiduese, impenjative dhe relaksusese në të njëjtën kohë. Sfidat në të cilat vendosesh janë të shoqëruara dhe të lidhura me një histori e cila ndërtohet në çdo pjesë të lojës.

Kemi patur feedback shumë pozitiv nga përdorues në vende të ndryshme të botës. Nisur nga këto besojmë se loja do të vazhdojë të jetë e suksesshme, sidomos edhe pas zgjerimit të bazës së përdoruesve pas lancimit në SteamVR.

10. Bota e realitetit virtual dhe të shtuar po ndryshon me një dinamizëm të lartë. Si e shikoni ecurinë e këtij sektori në një të ardhme të afërt dhe në veçanti realitetin virtual tek lojërat?

PlexusVR: Vitet e fundit industria e AR/VR ka ecur shumë, në shumë fusha, por sidomos në gaming. AR deri më sot është më e aksesueshme nga të gjithë sepse secili nga ne ka një telefon inteligjent. E vetmja barrierë qe ka hasur VR është nevoja e një pajisjeje në mënyrë për të përdorur atë që realiteti virtual të ofron. Tregu po rritet gjithmonë e më shumë, njerëzit po e kuptojnë çfarë kjo teknologji mund të ofrojë dhe çmimi i pajisjeve po behet gjithmonë e më ekonomik. Të gjitha këto do të ndikojnë që në një të ardhme shumë të afërt, çdokush të ketë minimumi një pajisje të tillë. Ne jemi të lumtur që jemi të parët në Shqipëri dhe ndër të parët në Ballkan që bëjmë deri diku të mundur bërjen e kësaj të ardhmeje paksa më të prekshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat