Bllokohet aplikacioni dhe faqja konservatore Parler

Shkencë & Teknologji

Bllokohet aplikacioni dhe faqja konservatore Parler

Më: 12 janar 2021 Në ora: 16:07
Parler

Rritja e fundit e Parler erdhi pas dhunës së javës së kaluar në Uashington, ndërsa përdoruesit e rinj, të zemëruar me bllokimin e llogarisë së Trumpit në Twitter, përdorën aplikacionin duke bërë thirrje për protesta të reja.

Rrjeti social Parler, që përdoret kryesisht nga konservatorët në Shtetet e Bashkuara, u detyrua të dalë jashtë linje të hënën, pasi Amazon paralajmëroi se kompania do të ndalonte hyrjen në serverat e saj, pasi dështoi të kontrollojë dhe largojë përmbajtjen e dhunshme.

Popullariteti i faqes u rrit në javën e fundit, duke u bërë aplikacioni numër një falas në App Store Apple pasi Twitter mbylli llogarinë e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për rolin e tij në nxitjen e një trazire në Kongres javën e kaluar.

Mesazhet e mbështetjes për sulmin e së mërkurës në Uashington DC –dhe thirrjet për demonstrata të reja – ishin rritur shume në platformën Parler, duke çuar kompaninë Google që ta hiqte atë të premten, pasuar nga Apple të shtunën.

Amazon konfirmoi se do të pezullonte platformën nga shërbimet e saj sepse kishte lejuar “kërcënime të dhunës”.

Në një letër drejtuar pronarëve të Parler, Amazon tha se do të ndërpresë shërbimin deri në orën 11:59 të së dielës.

Ueb-faqet si Down for Everyone dhe Just Me, raportuan se Parler doli jashtë linje menjëherë pas mesnatës, duke sugjeruar që pronarët e saj nuk kishin qenë në gjendje të gjenin një partner të ri ku do të mund ta vendosnin aplikacionin.

Në një seri postimesh në Parler të shtunën, shefi ekzekutiv John Matze, tha se faqja do të ndërpritej të nesërmen dhe akuzoi gjigantët e teknologjisë se po bënin një “luftë kundër fjalës së lirë”.

“Ata NUK do të fitojnë! Ne jemi shpresa e fundit e botës për fjalën e lirë dhe informacionin e lirë”, tha Matze.

Parler nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga AFP.

Rrjeti social, i lëshuar në vitin 2018, funksionon pak a shumë si Twitter, me profile që njerëzit mund të ndjekin dhe mesazhet quhen “parleys” në vend të “tweets”.

Në ditët e saj të para, platforma tërhoqi një turmë përdoruesish ultra-konservativë apo edhe ekstremistë të djathtë.

Por, tani tërheq shumë më shumë zëra tradicionalë republikanë.

Një prezantues nga Fox News, Sean Hannity, ka 7.6 milionë ndjekës, kurse kolegu i tij Tucker Carlson ka 4.4 milionë.

Zyrtarët e zgjedhur që përdorin këtë aplikacion janë edhe Devin Nunes, një kongresist i Kalifornisë dhe guvernatori i Dakotës së Jugut, Kristi Noem.

Ende nuk dihet nëse Trump ka një profil në Parler.

Rritja e fundit e Parler erdhi pas dhunës së javës së kaluar në Uashington, ndërsa përdoruesit e rinj, të zemëruar me bllokimin e llogarisë së Trumpit në Twitter, përdorën aplikacionin duke bërë thirrje për protesta të reja.

Në një postim, tashmë të fshirë, një llogari që pretendonte se i përkiste Lin Wood, një avokat pro-Trumpit, bëri thirrje që nënpresidenti, Mike Pence të vihej përpara një skuadre pushkatimi – kërcënime për të cilat mediat amerikane thanë se çuan në një hetim nga shërbimi sekret. /REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat