Parzmorja e “Iron Manit” që të gjithë mund ta veshim së shpejti

Shkencë & Teknologji

Parzmorja e “Iron Manit” që të gjithë mund ta veshim së shpejti

Më: 13 prill 2021 Në ora: 23:36
Parzmorja e “Iron Manit”

Për ta shpjeguar më thjesht, një ekzoskelet është pajisje e jashtme që e mbështet, mbulon dhe mbron përdoruesin, duke i dhënë nivel më të lartë fuqie dhe durimi. Nganjëherë u referohet edhe si “robotë të veshshëm”. Mund të sigurojnë fuqi nëpërmjet baterive dhe kompjuterëve, duke përfshirë motorët dhe hidraulikët

Imagjinojeni veten të veshur me një parzmore me teknologji të lartë, e cila ju bën shumë të fortë dhe të palodhshëm. Një teknologji e tillë, më saktësisht e quajtur ekzoskelet, tingëllon si rikrijim i serive të filmave me superheronj, “Iron Man”.

Megjithëkëtë, pajisja po përdoret përherë e më shumë në jetën e përditshme kudo në botë. Dhe një prodhues – “SuitX” nga Kalifornia – pret që të bëhet pjesë e botës normale.

“Nuk kam aspak dyshim se këto pajisje me kalimin e kohës do të shiten nëpër dyqane”, ka thënë themeluesi i “SuitX”, Homayoon Kazerooni.

Për ta shpjeguar më thjesht, një ekzoskelet është pajisje e jashtme që e mbështet, mbulon dhe mbron përdoruesin, duke i dhënë nivel më të lartë fuqie dhe durimi. Nganjëherë u referohet edhe si “robotë të veshshëm”. Mund të sigurojnë fuqi nëpërmjet baterive dhe kompjuterëve, duke përfshirë motorët dhe hidraulikët.

“Integrimi i njerëzve dhe makinave në një sistem të vetëm e hapë një sferë të re mundësish”, ka thënë Adrian Spragg, ekspert i teknologjisë në kompaninë “Accenture”. “Shumë prej aplikimeve të para kanë qenë të përqendruara në aplikimet mjekësore dhe ushtarake, por gjatë viteve të fundit ka pasur përdorim të madh në një gamë rastesh”.

Parandalimi i lodhjes

Ky zgjerim, i cili ka ndodhur në bashkërendim me përparimet e shpejta në teknologji, ka parë përdorimin gjithnjë e më të madh të ekzoskeletëve nga punëtorët e prodhimit.

Versionet për konsumatorët tanimë po zhvillohen për t’u ndihmuar njerëzve që t’u lehtësohet puna në shtëpi, ta kenë më të lehtë ngjitjen e shkallëve dhe aktivitetet e tjera ditore.

Sipas një raporti, pritet që shitjet të rriten dukshëm. Të ardhurat globale nga ekzoskeleti pritet që të rriten nga 392 milionë dollarë gjatë vitit 2020 në 6.8 miliardë dollarë deri më 2030, sipas një studimi nga “ABI Research”.

“Kostumet” e “SuitX” tani po testohen nga prodhuesit e veturave “General Motors”.

Profesori Kazerooni, i cili njëherësh është edhe drejtor i Laboratorit për Robotikë dhe Inxhinieri Njerëzore në Berkely të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që është në kuadër të Universitetit të Kalifornisë, ka thënë se përfitimet e para të ekzoskeletëve të firmës janë që të parandalohet lodhja e muskujve.

“Kemi treguar se aktiviteti i muskujve në shpinë, supe dhe gjunjë bie deri në 50 për qind”, ka thënë ai. “Nëse bie aktiviteti i muskujve, kjo do të thotë se rreziku për lëndim të muskujve është i ulët. Kjo do të thotë se fabrikat apo menaxherët kanë më shumë produktivitet, kostot e sigurimit janë më të ulëta dhe ka më pak ditë të humbura, për shkak të lëndimeve. Ka më pak shpenzime dhe më shumë produktivitet”.

Kompania “General Motors” është duke e analizuar një dorezë të ekzoskeletit që merr energji nga bateria, e cila është krijuar nga firma suedeze “Bioservo”.

Kjo dorezë, e quajtur Dora e Hekurt, ka sensorë dhe motorë në secilin gisht, të cilët automatikisht i përgjigjen nivelit të forcës që personi e përdor në dorën e tij, kur ngre diçka përpjetë.

“BioServo” ka bërë të ditur se mund ta rrisë fuqinë e dorës së personit deri në 20 për qind për periudha të gjata.

Kostoja dhe përfitimi

Jason Cottrell, shefi ekzekutiv i “MyPlanet”, firmë softuerike nga Kanadaja që ka bërë anketime rreth përdorimit të ekzoskeletëve, ka thënë se bota vetëm sa ka filluar ta kuptojë potencialin e teknologjisë së ekzoskeletit.

Si shembull i aplikimeve të tjera të mundshme, Cottrell ka theksuar “Delta Airlinesin”, aviokompani kjo që ka njoftuar vitin e kaluar se ishte duke e testuar një ekzoskeleton për tërë trupin, i cili është krijuar nga “Sarcos Robotics”, me seli në Utah të SHBA-së. Kostumi mund të ngrejë pesha deri në 90 kilogramë për tetë orë.

“Dhe çka sa i përket një serveri në restorant?”, ka shtuar Cottrell. “Si mund të përfitojnë restorantet nga një pajisje që e mbështet krahun që e mban në dorë një tabaka?”.

Ekzoskeletët më të avancuar përdorin sisteme kompjuterike të inteligjencës artificiale – softuer që mund të mësohet dhe të përshtatet vetë.

Profesoresha Sandra Wachter, studiuese e inteligjencës artificiale në Universitetin e Oxfordit, ka thënë se kostumet e tilla janë të mirëpritura, mirëpo duhet pasur kujdes.

“Në përgjithësi, këtë zhvillim e shoh si pozitiv për shëndetin dhe sigurinë”, ka thënë ajo. “Makinat supozohet të na ndihmojnë me punët e errëta, të rrezikshme e të papastra. Robotika që mbron supet, shpinën dhe kokën, për shembull kur kapni apo lëvizni gjëra, është thelbësore. Kjo është saktësisht një nga përfitimet ekzistuese të robotikës”, ka shtuar Wachter.

Megjithatë, ajo ka spikatur se lindin probleme nëse robotika gjithashtu kalon si mbikëqyrje në vendin e punës.

“A i përcjellin këto kostume lëvizjet tuaja, sa shpejt lëvizni dhe sa shpesh pushoni? A i krahason sistemi këto të dhëna me ato të punëtorëve të tjerë për t’i vlerësuar apo renditur ato? Çfarë ndodh nëse lëvizni më ngadalë se të tjerët ose bëni pushime më shpesh?", ka thënë ajo.

Adoptimi më i përhapur i teknologjisë ekzoskeletore ende mbahet nga një numër faktorësh, përfshirë kapacitetin e baterisë, diapazonin e kufizuar të lëvizjes dhe koston.

“Kostoja mesatare e një ekzoskeleti me një trup të plotë është rreth 45.000 dollarë”, ka thënë Spragg nga “Accenture”. “Megjithëkëtë, me ekonomi të shkallës dhe pjekurisë teknologjike, çmimet do të ulen”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat