Kujtohet karriera dhe kontributi i astronautit Michael Collins

Shkencë & Teknologji

Kujtohet karriera dhe kontributi i astronautit Michael Collins

Më: 30 prill 2021 Në ora: 18:28
Michael Collins

Vdiq në moshën 90 vjeçare astronauti i NASA-s Michael Collins, i cili hyri në histori si pjesë e ekuipazhit të vitit 1969 të Apollo 11 që dërgoi për herë të parë njeriun në hënë. Në intervistat që ka bërë me korrespondentin e Zërit të Amerikës Kane Farabaugh, astronauti Collins reflektoi mbi rëndësinë e misionit, kontributet e astronautëve të kohës së tij, dhe përqëndrimin në të ardhmen e fluturimeve dhe eksplorimit të hapësirës me ekuipazh në bord.

Michael Collins u rrit me vështrimin nga yjet.

Por, ai bëri shaka pas fluturimit në orbitën e Hënës, duke thënë ky nuk ishte destinacioni i ëndrrave të tij.

"Unë jam një Marsian. Mendoj se Marsi është destinacioni tjetër i shkëlqyeshëm”, tha ai.

Megjithëse kurrë nuk vuri këmbë në Hënë, Collins hyri në histori pasi ishte në grupin e astronautëve të zgjedhur të NASA-s për misionet Apollo të viteve 1960 dhe 1970.

Ai ishte astronauti i katërt në botë që realizoi një ecje në hapësirë në kuadër të programit Gemini (Binjakët), por ai njihet më shumë për rolin e tij si pilot i modulit komandues të anijes hapësinore Columbia gjatë misionit Apollo 11 të vitit 1969, kur astronautët zbarkuan në Hënë për herë të parë.

Detyra e tij ishte të drejtonte anijen hapësinore, në orbitën e Hënës i vetëm ndërsa Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin eksploronin në sipërfaqen e saj. Pas përfundimit të misionit, ata u kthyen të sigurt në Tokë.

Astronauti Collins tha se një meritë të madhe për realizimin e misionit historik të Apollos kishin mijëra punëtorë të NASA-s në Tokë.

"Ishte një shembull i mrekullueshëm i organizimit brenda një agjencie të madhe qeveritare, diçka që ne nuk e shohim sot", tha ai.

Pasi udhëtoi nëpër botë duke festuar misionin Apollo 11, ai doli në pension. Ndërsa punonte në Departamentin amerikan të Shtetit, Collins u ngarkua me rolin ndërlidhës për NASA-n në Shtëpinë e Bardhë gjatë krizës së Apollo 13 në vitin 1970. Ai e azhurnoi Presidentin Richard Nixon mbi statusin e kthimit të anijes së dëmtuar në mënyrë të sigurt në Tokë.

"Ai donte që dikush t'i thoshte po ose jo", tha ai në lidhje me këtë ofertë.

Përgjigja ishte po, dhe astronauti Collins besonte se misioni i Apollo 13, i njohur si "dështimi i suksesshëm" i NASA-s ishte një pikë kthese për interesin amerikan në fluturimet hapësinore.

"Kjo e bëri NASA-n dhe publikun më të vetëdijshëm për rreziqet e fluturimeve vajtje-ardhje në hënë, dhe përqendroi vëmendjen tek këto misione."

Astronauti Collins shkroi për karierën e tij si pilot i forcave ajrore, misionet e tij në hapësirë dhe në Hënë në një libër me titull "Carrying the Fire".

Në intervistat për Zërin e Amerikës, astronauti Collins preferoi të përqendrohej më shumë në të ardhmen sesa në të kaluarën, dhe ai thoshte se ekzistonte një mungesë urgjence në përmbushjen e qëllimeve të reja në hapësirë.

"Astronautët dhe ish-astronautët janë pro hapësirës. Pra, unë jam pro përshpejtimit të eksplorimit të hapësirës.”

Collins besonte se planeti që e frymëzoi atë si fëmijë, Marsi, subjekti i librit të tij të vitit 1990 "Misioni në Mars", duhet të jetë fokusi përfundimtar i NASA-s.

“Miku im Neil Armstrong mendonte se kthimi në Hënë ishte një pararendës i duhur dhe i domosdoshëm i një ekspedite në Mars. Do të doja ta anashkaloja këtë nëse është e mundur.”

Ndërsa ai nuk jetoi aq gjatë sa të shihte zbarkimin e njeriut në sipërfaqen e Marsit, ose një rikthim në hënë, helikopteri Ingenuity i sondës së NASA-s, Perseverance që nodhet në sipërfaqen e planetit të kuq sot është duke krijuar rrugë të reja në eksplorimin e hapësirës që kanë ringjallur interesin e publikut.

"Unë mendoj se jemi në rrugën duhur, ndoshta më ngadalë se sa njerëzit do të dëshironin, por gjithsesi në rrugën e duhur."

Astronautët përsëri synojnë të kthehen në hënë si pjesë e programit Artemis të NASA-s, i cili në vitet e ardhshme planifikon të dergojë ekuipazhet e saj pikërisht aty ku kishte shkuar astronauti Collins./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat